Ekzekutoi pronarin e lokalit “Tekila” pse e dekonspiroi tek policia për një punë të papaguar që e përdori, Prokuroria e Elbasanit kërkon dënimin me 25 vite burgim për autorin kryesor të krimit dhe 5 vjet gjithsej për dy bashkëpunëtorët që e ndihmuan të arratisej dhe fshehën krimin. Ditën e djeshme, në Gjykatën e Elbasanit, është zhvilluar seanca për pretencën ndaj Olti Lamçe, 27 vjeç, i njohur edhe me pseudonimin “Ola”, me akuzën “vrasje me paramendim” të Almir Canit. Gjithashtu u kërkuan 3 vjet burg për vëllanë e të pandehurit, Florian Lamçe, 24 vjeç dhe 2 vjet për të njohurin Kliton Gjyla, 21 vjeç, për veprën “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Krimi ka ndodhur më 22 shkurt të vitit 2012 për hakmarrje.
Konflikti për pagesën
I pandehuri Olti Lamçe dhe viktima Almir Cani kanë qenë të njohur mes njëri-tjetrit, pasi kanë vuajtur të dy paraburgimin në qelitë e Burgut të Peqinit për krime të ndryshme. Madje Lamçe shpesh qëndronte edhe në lokalin “Tekila” të Canit, i cili njihej edhe si një usta ndërtimi dhe punonte bashkë me nipin e tij Elvis Cani në banesa të ndryshme. Një vit e gjysmë para krimit, nipi kishte marrë një punë tek banesa e S. Furrxhi për një palë shkallë dhe për ta mbaruar shpejt ka thirrur edhe xhaxhanë Almir Cani dhe pas pazarit mes palëve ka nisur puna. Por për shkaqe të ndryshme kanë punuar ngadalë dhe në dhjetor 2011 dhe janar 2012, mes Elvis Canit dhe S. Furrxhi lindin kontradiktat për pagesën.
Kërcënimi dhe vrasja
Më 16 shkurt 2012, viktima Almir Cani ka thirrur në lokalin e tij “Tekila” edhe shokun Olti Lamçe, që thirrej “Ola” dhe një person tjetër që nuk identifikohet me emër. U ka kërkuar që të shkonin së bashku me nipin e tij tek farmacia e I. Furxhi, që është djali i personit që nuk u paguante hakun e punës së bërë, me qëllim që t’i merrnin paratë dhe t’i bënin presion. Së bashku kanë shkuar te farmacia afër spitalit, duke i kërkuar I. Furxhi lekët që u kishte babai. Por ky i fundit refuzoi duke thënë se nuk u kishte detyrime ai. Në këtë moment personi i paidentifikuar ka nxjerë pistoletën duke e kërcënuar dhe më pas janë larguar me taksi. Familja Furxhi denoncon në polici të dyshuarit dhe policua shoqëron Elvis Canin dhe pyet xhaxhain e tij Almir. Ky i fundit e kishte porositur nipin të mos tregonte emrin e Oltit, por gjatë hetimeve mësohet se emri ishte dekonspiruar. Për këtë shkak Almiri kërkon takim me Olti Lamçen për t’u sqaruar. Më 22 shkurt në mbrëmje, Almiri ka qenë në banesë kur është marrë në telefon nga Florian Lamçe, që i thotë se e priste te lokali në kat të parë. Viktima ka dalë nga banesa për të takuar Olti Lamçen, që e ka qëlluar fillimisht me tytë në buze dhe kokë dhe më pas me një predhë pistolete në kokë. Cani u dërgua i plagosur rëndë në spital, por ndërroi jetë më pas.