PAKISTAN – Persona të armatosur kanë qëlluar për vdekje prokurorin që po heton vrasjen e ish-lideres pakistaneze Benazir Bhutto, që u vra në një atentat në vitin 2007.
Policia lokale njoftoi se Chaudhry Zulfiqar Ali ra në një pritë teksa po udhëtonte me makinën e tij nga Islamabadi për në gjykatën e Raualpindit, ku do të mbahej një seancë pikërisht për çështjen “Bhutto”.
Policia nuk ka spekuluar për motivin e vrasjes. Zulfiqar ishte gjithashtu në krye të hetimeve të një çështjeje të lidhur me sulmet e Mumbait në vitin 2008 në Indi.
Ish-presidenti pakistanez Pervez Musharraf është akuzuar se kishte dështuar në garantimin e sigurisë për zonjën Bhutto në kohën e vrasjes së saj.