Sa herë vinte gushti gëzoheshim shumë. Dardha e komshiut që ndodhej në qoshe të kopshtit të tij, degët i shtrinte jashtë gardhit. Në gusht ajo ishte pjekur, dhe nga era rrëzonte kokrra nëpër ferrat që rrethonin krejt shtëpinë e xha Latës (Latifit). Ne i thoshim dardha e shtrigut. Kjo ndoshta sepse ky qe një plak thatanik me hundë të kërrusur e të gjatë dhe sy të kërcyer jashtë zgavrës.
Kishim përshtypjen fëmijërore se ky urrente çdo njeri, mbasi nuk para komunikonte me të tjerët dhe nuk donte që të cenohej qoftë edhe një gjethe prej “mbretërisë” së tij rrethuar prej ferrave. Njëherë, kur shkuam të qëmtonim ndonjë kokërr ashtu tinës, ai na pikasi dhe pa bërë zë u afrua si hije. Ne ia mbathëm të trembur, kurse njërin nga shokët që u pleks nëpër ferra, e arriti dhe me shkopin që mbante përherë në dorë, ia çau kokën me gjak. Ne e morëm me vrap dhe e çuam tek Noja ime që ia mbushi plagën me sheqer. Nuk më harrohet ajo skenë dhe ajo fytyrë si e ardhur prej botës së përrallave.
Këtë histori prej fëmijërisë sime, ma sjell në mendje çdo mbledhje qeverie që transmetohet bujarisht orë e pa orë nëpër televizione. “Xha Latëve”, në të gjitha kohërat nuk u përvëlohet zemra për përmirësimin e imazhit politik në vend e të jetës së popullit, por kanë luftuar dhe do luftojnë për krijimin dhe konsolidimin mbretërisë së ferrave…
Email nga adresa: [email protected]