Trevino Morales, një nga liderët më të egër të karteleve të drogës, u arrestua mëngjesin e së martës nga policia meksikane në Nuova Laredo qytet në kufi me SHBA-në. Meksika kishte vendosur një shpërblim prej 2.5 milionë dollarësh në këmbim të informacioneve që do të çonin në kapjen e tij, ndërsa Shtetet e Bashkuara 5 milionë dollarë
Miguel Angel Trevino Morales, alias «Z-40», por i njohur edhe si “Juda” për shkak të tradhtive të shumta ndaj miqve dhe rivalëve, u kap ndërsa udhëtonte me një kamionçinë në qytetin meksikan Nuevo Laredo, kufitar me Teksasin e SHBA-së. Një helikopter i armatosur e ndoqi automjetin dhe e detyroi të ndalojë. Prej tij zbritën tre persona midis të cilëve bosi i drogës. Një arrestim i rëndësishëm ky, sepse 40-vjeçari është kreu i kartelit “Los Zetas”, një nga organizatat kriminale më gjakatare në vend. Ndër masakrat e shumta të kryera, ajo që tmerroi mbarë botën ishte kasaphana e 2011-s kur në një fermë në San Fernando, në shtetin meksikan të Tamaoripas u gjetën 193 trupa të pajetë, të ekzekutuar me urdhër të Morales.
Operacioni u udhëhoq nga marinsat meksikanë, repart i cili gëzon një mbështetje të madhe nga ana agjencive federale amerikane duke nisur që nga DEA. Gjurmimi dhe arrestimi i Moralesit është realizuar falë përgjimeve të drejtuara edhe me ndihmën e SHBA dhe të ndonjë kundërshtari të tij, meqë “Z-40”-a kishte shumë armiq dhe mbi kokën e tij rëndonin dy shpërblime për këdo që jepte informacione për vendodhjen e tij. E para e vendosur nga Meksika, në një shifër prej 2.5 milionë dollarë dhe e dyta prej 5 milionë dollarësh e ofruar nga vetë Shtetet e Bashkuara.
I lindur në vitin 1973, në Nuevo Laredo, Miguel u bë pjesë e krimit si një anëtar i thjeshtë i një bande, duke u ngjitur gradualisht në hierarkinë e “Los Zetas”, formacion i krijuar në vitet 1990 dhe i përbërë fillimisht nga ish-anëtarë të forcave speciale meksikane, që më pas u zgjerua me një rekrutim masiv të narkotrafikantëve. Midis tyre ishin edhe kaibiles-at e frikshëm, veteranë të luftës civile në Guatemalë. “Los Zetas” janë në luftë me kartelin e Sinaloas që i përket bosit të bosëve të drogës, El Chapo; si dhe me organizata të tjera që veprojnë në zonat rrethuese të Teksasit.
Prej mëse një viti e gjysmë Morales ishte bërë lideri i kartelit, pas vrasjes së numrit një të tij: El Lazca. «Z-40» është konsideruar gjithmonë si një “shfarosës”, një burrë pak i prirur ndaj kompromiseve dhe i vendosur në zhdukjen me plane ushtarke të kundërshtarëve jo të paktë. Kriminel i pamëshirshëm i cili ka urdhëruar kasaphana të papërshkrueshme me sëpata e armë të tjera, si dhe djegien e trupave të viktimave, Trevino Morales është përkujdesur edhe për bizneset.
Jo vetëm drogë
Disa nga të afërmit e tij janë burgosur në SHBA, pasi kanë ricikluar miliona dollarë në industrinë e rritjes së kuajve. Gjithnjë emisarë të “Z-40”-s, ata kanë ngritur baza në shumë qytete amerikane, ndërsa një raport i fundit ka zbuluar se grupi i tij ishte vënë në kërkim të ‘ushtarëve’ në komunitetet hispanike në Amerikën e Veriut. Bashkë me El Lazca, Trevino zgjeroi ‘investimet’. Tregtia e drogës ka qenë e shoqëruar me menaxhimin e emigracionit të paligjshëm, vjedhjen e naftës dhe prostitucionin. Një xhiro e mbrojtur nga një ushtri e armatosur mirë, një rrjet me një aparat të personalizuar komunikacioni. Arrestimi i Trevinos mund të nxjerrë në pah përçarjet midis Los Zetas. Pas vdekjes së El Lazca, trupi i të cilit u zhduk, disa prej kapove të rangut të dytë vunë në diskutim autoritetin e padrinos, por shumë prej tyre sot nuk jetojnë më./ D.Gjuzi