Zbulohet skema e dytë e mashtrimit me rimbursimet e TVSH-së nëpërmjet 8 firmave të tjera fantazmë për kanë përfituar nëpërmjet deklarimeve të rreme financiare për shitje skrapi, 26 milionë dollarë. Pas denoncimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe në një muaj hetime intensive nga Task-Forca e Prokurorisë, ditën e djeshme, policia e kryeqytetit bëri arrestimin e 7 administratorëve të firmave fantazmë, 2 punëtorëve dhe të financiares, kurse gjykata ka dhënë masat e “arrestit me burg” për të parët dhe vetëm për ekonomisten “arrest shtëpiak”. Kjo është skema e dytë e zbuluar pas 5 milionë dollarëve të parë me 11 firma fantazmë, teksa u arrestua ish-drejtoresha dhe 2 inspektorë tatimorë, ndërsa 7 të tjerë u shpallën në kërkim, bashkë me 2 administratorët përfitues. Por këto ditë pritet të dalë edhe skandali i tretë për 20 milionë euro të tjera të një kompanie të njohur, emri i të cilës nuk bëhet i ditur për shkak hetimesh.
Arrestimet e administratorëve
Ditën e djeshme, Gjykata e Tiranës ka shqyrtuar dosjen për 9 të dyshuarit e përfshirë në skemën gjigante të manipulimit të tabelave dhe faturave financiare të raportuara si xhiro aktive, por që në fakt kanë rezultuar fiktive. Dëmi ndaj shtetit ka qenë 26 milionë USD përgjatë dy viteve të fundit. Prokuroria sqaroi se bëhet fjalë për persona, që në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë krijuar subjekte tatimorë fiktivë, duke përdorur njerëz të varfër si fasadë, me të cilët gjoja kryenin shitje të sasive të skrapit dhe blerje dhe në mënyrë të paligjshme përfitonin rimbursimin e TVSH, të favorizuar edhe nga drejtuesit e Tatimeve. Ndaj tyre janë ngritur akuzat e “falsifikimit të dokumenteve, vulave dhe stampave”, si dhe “mashtrim”. Policia ekzekutoi urdhër-arrestet dje për Gjergji Lami, 33 vjeç, daministrator i “AJSI”, Ilir Allmeta, 31 vjeç, pronar i “ALEKSI&AJSI” dhe “ALLMETA”, Josif Kadria, 53 vjeç, Ramiz Veizaj, 50 vjeç, pronar i “Jurkli-2012”, Kadri Rama, 51 vjeç, administrator i “VAKUM” dhe “LU-KA-GRUP”, Robert Hoxha, 47 vjeç, i subjektit “XHOIS GRUP” dhe Avni Hoxha, 55 vjeç, i subjektit “HOXHA”. Kurse në “arrest shtëpiak” është lënë Hava Muçollari, 45 vjeçe, ekonomiste e disa subjekteve që manipulonte kontabilitetet. Gjithashtu janë ndaluar babë e bir nga Elbasani, Përparim dhe Jurgjin Zeqaj, që janë përdorur si emra për të kryer lëvizjet me faturat.
Skema mafioze
Nga hetimet e deritanishme rezulton se subjektet tregtare të mësipërme, të konsideruara të Nivelit II, sasitë e skrapit i sigurojnë duke e blerë nga persona të ndryshëm, nga fitimi i tenderëve të ndryshëm për blerje hekuri, kryesisht nga demontimi i ish-fabrikave të ndryshme, apo nga subjekte të tjerë, të cilët janë të regjistruar në QKR dhe në Sistemin Informatik të Tatimeve, me aktivitet grumbullim e shitje skrapi. Por në fakt, shumica e subjekteve, që janë hequr si të Nivelit III, janë regjistruar në mënyrë fiktive, vetëm për të tërhequr blloqet me fatura TVSH-je në Drejtoritë Rajonale të Tatimeve. Me këto blloqe lëshonin më pas fatura shitjeje me TVSH fiktive për shitje skrapi tek subjekte të Nivelit II. Por kjo faturë quhej fiktive, pasi në fakt nuk kryhej shitje e mallit në të vërtetë, pra nuk dërgohej sasi skrapi. Dhe për të realizuar skemën, përdornin persona me vështirësi ekonomike ose të panjohur, të cilët i paguanin, duke i konsideruar si blerës të këtij malli. Duke mos njohur procedurat, këta punonjës përdoreshin në skemën e mashtrimit, kurse përfitimin e rimbursimit e tërhiqnin kompanitë fantazmë.
Të arrestuarit e djeshëm:
Gjergji Lami, Kashar, 33 vjeç, “AJSI”
Ilir Allmeta, Tiranë, 31 vjeç “ALEKSI&AJSI”, “ALLMETA”
Josif Kadria, Tiranë, 53 vjeç
Ramiz Veizaj, Tiranë, 50 vjeç, “Jurkli-2012”
Kadri Rama, Tiranë, 51 vjeç, “VAKUM”, “LU-KA-GRUP”
Robert Hoxha, Tiranë, 47 vjeç, “XHOIS GRUP”
Avni Hoxha, Tiranë, 55 vjeç, “HOXHA”
Hava Muçollari, 45 vjeçe, ekonomiste, “arrest shtëpie”
Jurgjin Zeqaj, Elbasan, 21 vjeç,
Përparim Zeqaj, Elbasan, 50 vjeç
A ekziston ndonje mundesi qe keta te kthejne parte, apo thjesht do bejne ca muaj burg dhe do dalin te shijojne parate e vjedhura?
Po per transferten e 1.6 million eurove te mbledhura per llogari te CEZ nga bjera kompani e Zamir Manes dhe pasi beri transferten jashte te tyre mbylli kompanine cfare do te behet.Zamir Mane ka hapur e mbyllur me dhketra kompani brenda 24 oresh duke pastruar jo pak milliona….kur do veproje ligji per te?