Është struktura më e madhe e zbuluar ndonjëherë në univers. Shtrihet rreth 4 miliardë vite dritë larg dhe sfidon njohuritë moderne të kozmologjisë. Zbulimi i jashtëzakonshëm hedh dyshime mbi një nga shtyllat e njohjes njerëzore mbi gjithësinë, të ashtuquajturin “Parim kozmologjik”, sipas të cilit strukturat e universit janë në shkallë të gjerë homogjene
Një grup astrofizikantësh, të kryesuar nga Roxher Kloues i “University of Central Lancashire”, kanë zbuluar strukturën më të madhe të vërejtur ndonjëherë në univers, kaq e madhe, saqë sipas “teorisë moderne kozmologjike” nuk duhej as të ekzistonte. Duke udhëtuar me shpejtësinë e dritës, për ta kaluar atë do të duheshin 4 miliardë vite-dritë.
Strukturë e pafund
Struktura është e përbërë nga aglomerate kuazaresh, bërthama galaktike të formuara gjatë fazave të hershme të krijimit të universit. Janë bërthama që lëshojnë sinjale optike, rreze X, infra të kuqe dhe ultravjollcë, por mbi të gjitha janë objektet më të largëta të universit që tregojnë për fazat më të hershme të jetës së kozmosit. “Ky zbulim ishte një surprizë e madhe. I mund të gjitha rekordet kozmologjike sa i përket dimensioneve të strukturave më të mëdha të njohura në univers”, thotë Roxher Kloues. Nëse bëjmë një krahasim të thjeshtë, galaktika jonë Rruga e Qumështit ka një shtrirje prej njëqind mijë vite-drite, ndërsa supermasa e përbërë nga galaktikat lokale, e njohur si Supermasa e Virgjëreshë, (brenda së cilës ndodhet edhe Rruga e Qumështit) shtrihet në disa qindra milionë vite-dritë. Por dimensionet madhështore të këtij grupi të sapozbuluar prej 73 kuazarësh i ka lënë astronomët ‘të shushatur’.
Problemi është se modelet aktuale të astrofizikës sugjerojnë se kufiri maksimal për madhësinë e një strukture të tillë duhet të jetë jo më shumë se 1.2 miliardë vite-dritë, në një kohë kur superstruktura në fjalë është 4 miliardë vite-dritë.”Rezultatet e këtij studimi paraqesin një sfidë për njohjen tonë aktuale mbi universin. Tani për tani, prania e kësaj strukture është një mister”, thotë Kloues.
“Parimi kozmologjik” në krizë
Struktura titanike, e emërtuar “Large Quasar Group” (LQG), duket se kundërshton një tjetër parim kozmologjik të pranuar gjerësisht, i cili thotë se universi duhet të shfaqet si njësi homogjene, nëse vëzhgohet në një shkallë gjithëpërfshirëse. “Kjo mund të thotë se përshkrimi ynë matematikor i universit është rezultat i një thjeshtëzimi të gabuar”, shprehet Kloues.Që nga viti 1982 astronomët kanë kuptuar se bërthamat galaktike priren drejt bashkimit me njëra tjetrën duke formuar kështu struktura të mëdha, por kurrë më parë nuk ishte parë një rezultat i tillë i shpjeguar në një ndër revistat shkencore më të rëndësishme, “Royal Astronomical Society”.
Imazhet e marra nga Universiteti Qendror i Lankshajërit tregojnë strukturën gjigante e shenjuar me qarqe të zeza dhe një tjetër strukturë më të vogël të shenjuar me kryqe të kuqe. Janë pikërisht përmasat e saj që sfidojnë “Parimin kozmologjik”, i cili i ka bazat e tij në punën e Albert Ajnshtajnit. Ky parim i përmbahet tezës se universi në ‘shkallë më të gjerë’ është homogjen, pra i përbërë nga struktura me përmasa të njëjta. Për këto arsye astronomët dhe astrofizikantët janë vënë në kërkim të strukturave analoge, që të hetojnë mbi një zbulim, i cili tashmë po trajtohet si një problem
Zbulimi i strukturës titanike është i rëndësishëm për faktin se mund të hedhë dritë mbi evoluimin e galaktikave të ngjashme me tonën, Rrugën e Qumështit. Kuazarët, të cilat emetojnë blloqe të fuqishme energjie, janë ndër objektet më të shndritshme dhe më energjike të universit të ri dhe përfaqësojnë një nga etapat e para, të shkurtra të evoluimit të pjesës më të madhe të galaktikave.
Somario: Modelet aktuale të astrofizikës sugjerojnë se kufiri maksimal i madhësisë të një superstrukture duhet të jetë jo më shumë se 1.2 miliardë vite-dritë, në një kohë kur struktura titanike LQG shtrihet në 4 miliardë vite-dritë