Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar, ka deklaruar se procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka një qëllim tjetër parësor, krahas përmirësimit të marrëdhënieve ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve. Por, sipas tij, qëllimi kyç është anëtarësimin e të dyja vendeve në BE. Zyrtari evropian, duke folur për nevojën e zhvillimit të tri formave të dialogut të proklamuara prej tij më herët, krahas atij politik që është duke u zhvilluar në Bruksel, ka përmendur edhe dialogun ndërmjet autoriteteve të Kosovës dhe përfaqësuesve politikë të serbëve të veriut, si dhe një dialog të brendshëm ndërmjet serbëve të integruar në institucione të Kosovës dhe të atyre që nuk e njohin autoritetin e Kosovës. Asnjëri nga këto dy procese dialoguese nuk kanë nisur. Zhbogar ka thënë se këto tri forma dialogu janë një kusht i domosdoshëm për një zgjidhje afatgjatë dhe të qëndrueshme për shumë nga problemet ekzistuese në Kosovë. “Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë po vazhdon dhe qëllimi themelor i tij është mundësimi i anëtarësimit si i Serbisë ashtu edhe i Kosovës në Bashkimin Evropian. Mirëpo, nuk do të ketë prosperitet afatgjatë përderisa Kosova të merret me të gjithë qytetarët e vet në bazë të ligjeve, standardeve dhe procedurave të njëjta ditore, derisa të mos arrijmë deri te normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve”, i ka thënë gazetës Zhbogar.