Jo kushdo e ka parasysh personazhin e një filmi të vjetër me aktorin Zhan Pol Belmondo. I ngarkuar nga shërbimet sekrete franceze për të vrarë një diktatoruc afrikan që binte ndesh me status – quo – në kolonialiste, Zhos bie në grackën e një skenari klasik të shitjes prej të vetëve, ngaqë në momentet e fundit diktatoruci iu përshtat konjukturës kolonialiste dhe absolutisht nuk duhej ekzekutuar. Ai që duhej vrarë pa mëdyshje tashmë duhej mbrojtur me prioritetin maksimal, pikërisht nga i dërguari prej këtyre shërbimeve. Rrjedha e filmit denoncon realpolitikën e shteteve kolonizatore, që në emër të prioriteteve gjeopolitike nuk kanë skrupuj dhe pa problem sakrifikojnë edhe misionarët e tyre. Sikur në atë periudhë të ekzistonin celularët, do ishte e mundur që Zhos të informohej mbi ndryshimin e planit në momentet e fundit, por nuk do kishim film dhe as do merrnim vesh se gjer ku arrin hipokrizia e gjeopolitikës.
Padyshim ky film m’u kujtua gjatë këtyre muajve, ku mediat trazuan pa kursim të quajturën “Tomagate”, rrjedhën e ngjarjeve dhe hipotezave të një komploti, që fatkeqësisht denoncon cilësinë e ulët të të zgjedhurve ( apo të komanduarve me lista të mbyllura ) që merren me politikë në nivelet më të larta. Sido që të jetë, të fajshëm apo të pafajshëm në këtë rast, njerëzit e politikës e gjejnë më të udhës t’i flasin njëri – tjetrit midis rreshtash, ku shantazhi dhe kërcënimi janë pothuaj e njëjta gjë. Lexuesi apo telespektatori mesatar kuptojnë qartë se politikanët i ruajnë njëri – tjetrit sekrete kulisash dhe kur ua do nevoja i përmendin dhe aludojnë pa i hapur kartat asnjëherë. Aq u mjafton për të përcjellë mesazhin…Dikush deklaron në mes të parlamentit që është Arkiva, dmth, “unë ju di pisllëqet, mos u krruani me mua”… Një tjetër deklaron se mban video denoncuese në çantë; nuk e di statusin juridik të mbajtjes së videove të tilla; nuk është e njësojtë sikur mbajtja e një pistolete pa lejë? Një prokurori, kur dëgjon deklarata të tilla në publik, a nuk i shkon në mend se këto materiale duhet t’i sekuestrojë në dobi të luftës kundër krimit? Për më tepër, këta janë persona që i kanë premtuar zgjedhësve transparencë dhe luftë të pakompromis ndaj korrupsionit dhe trafiqeve të paligjshëm. Po të ndjekësh me pak vëmendje një replikë të zakonshme shigjetimesh nën rreshta e kupton fare lehtë se aludimet çojnë pikërisht në botën e pasur (dhe të pasuruar) të Paligjshmërisë. Është ky shtrati pjellor ku “Tomagate” gjeti hapësirë për t’u zhvilluar e për t’i nxjerrë bojën politikës në nivelet më të larta. E them përsëri, pavarësisht fajshmërisë dhe pafajshmërisë së aksh personi, “Tomagate” është metafora reale e këtij parlamenti, e njerëzve të zgjedhur prej të fortëve të lagjes dhe rivalëve pikantë, të shkundur prej pluhurit të filmave western. Këta personazhe do miratojnë ligje, do sugjerojnë prioritete, do mbrojnë çështje kombëtare, etj, kur akoma nuk kanë mbaruar mes tyre luftën e nëndheshme të interesave personale. Për fatkeqësinë e madhe të shqiptarit mesatar, të tregosh me gisht deputetin e ndershëm në të gjithë morinë e 140 rrogëtarëve të Kuvendit është mundim Sizifi.
Por më tepër se kjo, filmin me Zhos profesionistin m’a solli ndër mend drama e “atentatorit” Bami. Deri tani, i vetmi i arrestuar është Bami, i kontaktuar të ekzekutonte dy deputetët për 600 mijë euro. Lexuesit mesatar i shkon në mendje se të kontaktosh një vrasës duhet të jesh i sigurtë që ky person ka një kurrikulum të besueshëm vrasësi. Si të thuash, kur dua të rregulloj lavatriçen, nuk mund t’ia kërkoj këtë punë një rrobaqepësi. Që në majë të problemit del vetvetiu pyetja: “A ka precedentë dhe përfshirje në vrasje Bami?”. Që dikush të paguajë një shumë marramendëse për një aksion kriminal të kësaj përmase, duhej patjetër të kontaktonte një “Zhos profesionist”, ndofta me kurrikulum të pasur në këtë fushë. Ndryshe e gjithë kjo është një stisje e pashembullt, në të cilën Bami është viktima e gjetur rastësisht rrugës. Biles, realisht atentat deri tani i kanë bërë Bamit dhe personit tjetër që supozohet si ndërmjetësi – këtu komikja shndërrohet në tragjike, sepse jo vetëm që vrasësi nuk di të vrasë, por këtë tentuan t’a vrasin . Ndofta organet përkatëse duhet të kishin gjurmuar më mirë qëkur problemi u shfaq vitin e shkuar. Duke zbuluar atentatorët ndaj Bamit dhe Ndërmjetësit mund të gjenin përmasën e vërtetësisë apo bllofit të kësaj historie. Ishte momenti i duhur dhe detyrimi ligjor kur kushtonte më pak të blije lopën e gjallë sesa t’a shesësh tanimë të ngordhur. Por duket që organet përkatëse nuk kanë qënë në lartësinë e detyrës në kohën dhe vendin e duhur e ndofta ndokujt duhet t’i kushtojë vendi i punës. Ose ndofta i lejuan vetes një gabim tjetër, duke lënë “Zhos profesionistin” në mëshirën e fatit. A nuk është përgjegjësi e organeve hetuese mbrojtja e dëshmitarit të penduar? Përse duhej të mendonte Doshi për mbrojtjen e tij? Deputeti Doshi me këtë veprim e konsideron shtetin inekzistent. E sjellë në këtë dritë, kjo ngjarje legjitimisht ngre në pozitën e viktimës Durim Bamin, gjithmonë nqs ai nuk ka precedentë në organizimin dhe ekzekutimin e ngjarjeve me sfond kriminal.
Me siguri nuk do ngjasë kurrë një mbyllje finale e njëjtë me fatin e Zhos profesionistit në film. Me shumë gjasa prokuroria do shkojë drejt zgjidhjes optimale të këtij rebusi, duke marrë parasysh përmasat e skandalit dhe përfoljen e personaliteteve më të larta të shtetit. Por ndofta do kish qënë një leksion i mirë sikur Bami të kish qënë në lartësinë e një Zhos profesionisti dhe t’i nxirrte bojën kësaj videoloje me një mal parash në mes, që me siguri janë shpërblim i pazareve të fëlliqura. Ndofta e meritonin protagonistët këtë epilog dhe ndofta opinioni publik do fillonte të zgjohej nga letargjia.
Akoma s’ka mbaruar…ndoshta detyrohen qe “te ndodhe”.
O terpomullari po si skeni turp se na hapet barkun me kto shkrime puthadorsi!.
Ti me kujton ZHerar de Pardjen ate veglen qorre qe vret pas shpine ZHosin,dhe me e bukura eshte kur heroi i filmit thote para se ta vrasin ,,SHIKO SI DO FERSHELLEJN PLUMBAT NE SHPINEN TIME TANI..Qe nenkupton Doshin sipas meje..sipas teje Toma perfaqson diktatorucin qe doli kunder pushtetit gllaberus te piktorit..
“ali”,me duket se e kam permendur se qellimi i shkrimit nuk eshte te gjeje kush trillon apo kush mashtron, “Zhos” ne rastin qe hipotezoj do te ishte atentatori i regjur qe do i nxirrte bojen kesaj maskarade. Sikur eshte krijuar ideja qe Bami nuk eshte i kesaj kategorie, gjithnje me kaq sa kam lexuar ne shtyp. Po nuk doli ndonje e dhene qe Bami te kete bere atentate/ekzekutime vetem ose ne grup- pra, te kete eksperience, i bie qe porositesi te kete ngateruar avionin me karrocen dhe e gjithe kjo histori me pazar 600 mije euro dhe kosto te pallogaritshme politike padyshim qe lekund pa mase raportin e besimit midis shtetit dhe qytetarit. Per mendimin tim diktatoruci del nga shembulli, por atentatori Bami, i supozuar ose i vertete eshte i shitur dhe realisht i vetmi i tentuar te vritet. Se fundi, nqs keni nje mendim kunder nuk ka problem, punet e mullareve nuk zgjidhen ne internet. Mos e humb per pak miresjellje, siç thote Ali Asllani ne strofen e tij me te bukur; “Shkoi dhe vera me aq buje/ dhe me aq e aq stolira/ plaç moj vere qe per pak uje/ thave lulet me te mira”.