Një fabrikë prodhimi vajrash dhe gomash është përfshirë nga flakët paraditen e sotme në Sukth të Durrësit.
Ngjarja ka ndodhur pranë stadiumit të Sukthit ndërsa mësohet se fatmirësisht nga zjarri nuk ka të lënduar në njerëz por vetëm dëme të konsiderueshme materiale.
Mësohet se fillimisht zjarri ka rënë në fabrikë ndërsa më pas flakët janë përhapur me shpejtësi duke përfshirë edhe magazinën kryesore ku mbahen vajrat dhe gomat e automjeteve.
Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forcat e zjarrëfikësve të Durrësit dhe të Portit të këtij qyteti të cila kanë vënë nën kontroll flakët si dhe po bëjnë të mundur shuarjen e plotë të zjarrit.
Nuk dihen ende shkaqet e rënies së zjarrit në fabrikë ndërkohë që në vendngjarje kanë shkuar edhe forcat e policisë të cilat kanë nisur hetimet.