Gjyqtarja Hane GREVE, Zëvëndes Presidente e Gjykatës së Apelit të Gulating-ut , Norvegji e pranishme në konferencën Kombëtare të Lidershipit Gjyqësor e organizuar nga USAID-i ka dhënë një interviste për News24 , ku ka folur per sistemin gjyqesor ne Shqiperi si dhe ka dhënë një vleresim sesi mund te zgjidhet çështja Dajti e bllokuar prej kohësh për shkak të mos pranimit të avokateve për t’a mbrojtur
Zonja Greve faleminderit . Së pari si e konceptoni menaxhimin e gjykatave me transparence dhe me efikasite, çfarë duhet bërë për të përftuar proçese gjyqësore të cilat të jenë të pranueshëm nga të gjitha palët?
Faleminderit për intervistën, dëshiroj të theksoj se ajo që kjo konferencë ka bërë është vlefshmëria , ku menaxhimi i çështjeve gjyqësore është i rëndësishëm dhe të pasurit e nje gjykim të drejtë është një nga çështjet themelore.
Cilat janë eksperiencat pozitive që mund ti ofroni gjyqësorit shqiptar?
Mendoj se ajo që ne kemi bërë mirë është që kemi thjeshtur proçesin gjyqësor në Norvegji. Pra ne kemi bërë më të thjesht proçedurat nga momenti i marrjes së deponimit deri në zgjidhjen e një çështje gjyqësore, gjithashtu i kemi dhënë një rëndësi takimeve përgatitore paraprake, në të cilat bëjmë planifikimin e proçesit gjyqësore. Pra kemi kaluar barrën e punës nga gjykatësit tek palët e tjera, kjo ka thjeshtuar shumë punën dhe ka shkurtuar proçeset gjyqësore jo vetëm civile por dhe penale.
Zvarritja e proçeseve gjyqësore është një nga problematika e shfaqur vazhdimisht vitet e fundit në Shqipëri. A duhet që vendi ynë të bëj ndryshime në legjislacion apo thjesht me vullnetin e mirë të gjyqtarëve mund të ndryshohet klima e proçeseve gjyqesore, në mënyrë që të kemi proçese më efektive dhe të shpejta?
Une mendoj se shumë mund të bëhet edhe në kuadër të legjislacionit dhe rregulloreve që janë në fuqi. Këto mund të arrihen nëpërmjet seancave të planifikimit të proçeseve gjyqësore dhe të rënies dakort mes palëve të ndryshme për veprimet që do të ndërmerren . Kjo do të shkurtonte numrin e seancave të panevojshme në gjykatat shqiptare, të cilat jo vetëm që kushtojnë kohë dhe mundim, por dhe zënë dhe sallat e gjyqit që janë në dispozicion. Mendoj që nëse bëhet një planifikim më i mirë i seancave gjyqësore atëhere çështjet gjyqësore mund të zgjidhen me një seancë, me një takim mes palëve dhe gjykatësit, do kishte më pak punë dhe më shumë salla gjyqi në dispozicion për të gjykuar dhe çështjet e tjera.
Regjistrimi audio i seancave është një risi për sistemin gjyqësor shqiptar i cili po zbatohet në pjesën dërrmuese të gjykatasve. Cili është mendimi juaj për këtë sistem dhe a zbatohet në vendin tuaj një sistem i tillë?
Fatkeqësisht, ne nuk e kemi këtë sistem të shtrirë në këtë shkallë siç e keni ju në vendin tuaj dhe mua më vjen keq për këtë fakt. Mendoj që regjistrimi audio i seancave gjyqësore është shumë i mirë përsa i përket transparencës, kohës që kursen si dhe për faktin që krijohen evidenca të sakta të gjithvckaje që ndodh në një seancë gjyqësore. Mendoj se është një sistem shumë i mirë dhe e ardhmja e këtij proçesi.
Sa i hapur duhet të jetë një gjyqtar me median dhe në raste të caktuara a duhet të lejohen gjyqet e hapura?
Absolutisht që seancat gjyqësore duhet të jënë të hapura, këtu e kam fjalën për seancat gjyqësore zyrtare ku bëhet shqyrtimi i provave dhe fakteve, jo për ato seanca të cilat janë parapërgatitore, pra të cilat janë takime mes gjyqtarit dhe palëve të tjera se si do eci çështja gjyqësore.Absolutisht duhet të jenë të hapura për publikun dhe me përfaqësues nga të gjitha palët .Ndërsa i përket njoftimeve për shtyp dhe media mendoj që gjyqtarët duhet të kufizohen në dhënien e fakteve, kur duhet të ndodh një veprim ose kur ndodh një veprim. Ndërsa të gjithë gjuhën shpjeguese duhet ta hedhin në verdiktin që marrin për çështjen gjyqësore që kanë në shqyrtim.
Shqipëria ditët e fundit ka ndryshuar kodin penal, duke rritur masën e ndëshkimit për disa vepra të caktuara penale, ku qëllimi i hartuesve të këtyre ndryshimeve ka qënë ulja e kriminalitetit. Sipas mendimit tuaj a e ul krimin rritja e masës së ndëshikimit në kodin penal?
Unë mendoj se kjo ndryshon sipas vendeve dhe momenteve të caktuar të këtyre vendeve. Në disa momente të caktuara disa vende mund të vendosin të shtojnë dënimet për krime të caktuara. Për mendimin tim personal mendoj se ajo që ndihmon më shumë është heqja e mundësive për kryerjen e krimeve. Parandalimi i këtyre krimeve dhe sjellja para drejtësisë së autorëve të këtyre krimeve. Për mendimin tim nuk bën shumë ndryshim fakti nëse dikush do të dënohet me 5 , 7 apo 10 vjet, keta persona duhet të sillen patjetër para drejtësisë dhe historia e ngjarjes për të cilën akuzohen të shkruhet ashtu siç është.
Cila mund te jete metoda me e mirë për uljen e kriminaliteti, frika nga ligji me masë të lartë ndëshkimi apo gjykatësit e rrepte që zbatojne në mënyrë rigoroze kodin penal?
Mendoj se nuk duhet të varet nga fakti nëse krimineli do të përballet me gjykatesin A, B ose C. Mendoj që njerëzit nuk duhet të kryejnë krimet se kanë frikë gjykatësin apo ligjin, njerëzit duhet të ndërgjegjësohen të mos jenë të dhunshëm edhe në qoftë se u behet keq të ndergjegjësohen të mos vjedhin, megjithese i kane mundësitë për ta bërë këtë, të mos mendojnë në fund të ditës se ua hodha të gjithëve, sepse tek e fundit nuk ia hedh dot vetes tënde. Duhet të ekzistojnë disa vlera morale në shoqëri që të ulet kriminaliteti
Gjatë dy viteve të fundit një proçes gjyqësor ka sfiduar sistemin e drejtësisë, rasti i njohur “Dajti” ku një i pandehur akuzohet për vrasjen e katër punonjësve të policisë dhe asnjë avokat, qoftë kryesisht apo i zgjedhur nuk pranon ta mbroj të pandehurin. Tashmë ky proçes gjyqësor shumë i njohur ne shqiperi është në ngërç të vazhdueshem.
Cili është mendimi juaj nga aspekti proçedruial si mund të zgjidhen raste të tilla ku avokatët kanë frikë ose refuzojnë të mbrojnë të pandehurin dhe i pandehuri mbetet pa përfaqësim ligjor?
Unë mendoj se në të gjitha rastet proçeset ligjore duhet të jenë të drejta dhe kjo përfshin mbrojtjen ligjore edhe nëse dikush ka kryer një krim të rëndë , sigurisht vrasja e punonjësit të policisë është një krim i rëndë. Ata sërish kanë të drejtën të përfaqësohen në një proçes gjyqësor të drejtë. Mendoj se në qoftë se avokatët mbrojtës nuk pranojnë ta përfaqësojnë të pandehurin në mënyrë vullnetare, atëherë gjykata duhet të ketë instrumentat e duhura të detyrojë avokatët që ta mbrojnë këtë person ligjërisht.
Rreth 170 avokatë të caktuar nga gjykata kanë refuzuar mbrojtjen për arsye presioni për arsye personale dhe tashmë ky proçes gjyqësor është në ngërç. A mund të vazhdojë gjykimi pa një avokat ,në proçese të tilla kaq të ndjeshmë, me një akuzë të tillë për vrasjen e punonjësve të policisë?
Mendoj se nuk duhet të vazhdojë çështja pa përfaqësim ligjor për të pandehurin, mendoj që patjetër duhet gjetur një mënyrë për ta bërë këtë. dhe në qoftë se nuk ka mundësi me avokatë mbrojtës këtu në Shqipëri duhen parë mundësi për të gjetur avokatin mbrojtës jashtë vendit. Jam e ndërgjegjshme që komuniteti dhe opinioni publik nuk e kupton këtë këmbëngulje përse duhet ti ofrohet përfaqësim ligjor një të pandehuri që ka kryer krime të tilla. Europa nuk mund t`ia lejoj vetes këtë që të ketë proçese të tilla gjyqësore pa perfaqesim ligjor. Do ta përgëzoja atë avokat që do ta marr përsipër mbrojtjen pasi gjithmonë ka dicka për të thënë në mbrojtje të një pandehuri pavarësisht seriozitetit të krimit që ka kryer . Nuk duhet të ketë asnjë proçes gjyqësor pa pasur përfaqësim ligjor sado i rëndë të jetë ai krim që ka kryer.
Çfarë këshille do t`iu jepni gjyqtarëve shqiptarë në mënyrë që puna e tyre të jetë sa më e vlerësueshme nga ana e qytetarëve dhe që perceptimi i tyre për gjyqësorin të jetë në nivele të larta ku dhe qytetari më i thjesht i republikës të ketë besim se do marrë një trajtim të barabartë.
Ajo që do t`iu sugjeroja kolegëve shqiptar është ajo që ju sugjeroj kolegëve të mi në Norvegji: Merrni vendime të drejta të duhura, pa i zvarritur gjykimet, ku të shqyrtohen të gjitha faktet e çështjes, që të sigurohen se çdo qytetar të trajtohet në mënyrë të barabartë
(Balkanweb)