Për një pjesë të madhe të lexuesve, ndoshta nuk është e nevojshme të shpjegojmë se kush është Hamdi Haklaj. Por vitet kanë rrjedhur dhe ngjarjet tragjike që përgjakën Tropojën dhe përçanë familjet e fiset duke sjellë mbi 200 viktima, mund të mos jenë dhe aq të njohura për shumë lexues të rinj. Nga kulmimi i përplasjes së Haklajve me ish presidentin e ish kryeministrin Sali Berisha, në periudhën 1997-99, kanë kaluar mbi 15 vjet. Dhe pavarësisht se kjo familje e sakatuar ka edhe anëtarë të tjerë, si plaku Muharrem Haklaj dhe motra e vëllezërve të vrarë, Zylfija, vëllai i madh Hamdi Haklaj mund të quhet edhe ndër “të fundmit e mohikanëve”. Shkëlqimi, Fatmiri, Halili, nipi i tyre Ylli dhe të tjerë Haklaj janë ekzekutuar njëri pas tjetrit.
Hamdi Haklaj është ndër personat më pak të prononcuar mediatikisht të familjes. Më saktë, ka munguar plotësisht. Prej vitesh i larguar jashtë shtetit dhe përfitues i azilit politik, ai ka ndjekur padyshim me interes prononcimet në DITA të Jaho Muslomanit, Fatmira Hajdarit, Izet Haxhisë, dhe ka vendosur të thotë të vetën. Sigurisht nuk ishte e lehtë për ta bindur, por kjo është histori krejt tjetër. E rëndësishme është që intervista e gjatë e Hamdi Haklajt është tejet e detajuar me fakte, ngjarje dhe personazhe konkretë; një rrëfim jo vetëm i rëndësishëm për drejtësinë, nëse do të merret ndonjëherë parasysh, por edhe befasues për të rejat që sjell dhe forcën e arsyetimit që mbart. Ndiqni pjesën e parë të rrëfimit të Hamdi Haklajt.
Nesër e në vijim do të lexoni:
Çfarë di Hamdi Haklaj për 2 prillin dhe autorët e vrasjes së Arben Brocit
Ku ndodhet sot kaseta e famshme me regjistrimin e Berishës, nga e cila thuhet se nisi seriali i vrasjeve në Tropojë
Çfarë thotë për rrëfimet e fundit në DITA të Izet Haxhisë dhe Jaho Mulosmanit mbi vrasjen e Hajdarit?
Detajet e natës së 12 shtatorit dhe 14 shtator
Si i përgjigjet pyetjes “çfarë do t’i thoje sot Sali Berishës”.
*Me kërkesën e të intervistuarit nuk lejohet riprodhimi i saj nga faqe të tjera online dhe nuk do postohen reagime lexuesish.
