Herën e fundit që Michael Trost e kishte parë Aleksandër Pecin, të dy burrat ishin të shtrirë për tokë në një nga rrugët e një fshati të vogël në Afganistan, duke pyetur veten mes një breshërie armësh se a ishte ky një përfundim i dhunshëm i jetës së tyre në tokë.
Ribashkimi i tyre të hënën në aeroportin “McGhee Tyson” ishte një ngjarje e lumtur, pasi Trost për herë të parë takoi ish-shokun e luftës, Pecin, të cilin s’e kishte parë që nga dita e tmerrshme e shkurtit të 2012, shkruan The Daily Times.
“Herën e fundit që e kam parë atë, ishim në fushëbetejë”, ka thënë Trost, duke shtuar: “Ne e shikuam njëri-tjetrin, dhe nuk e dinim nëse do t’ia dilnim”, transmeton Koha.net.
Ai e quan një mrekulli ritakimin me të, duke thënë se krijohet një lidhje e veçantë nga raste të tilla.
“Duke e parë atë tani… është si një mrekulli. Kjo është një lidhje që krijohet tek ushtarët kur ata janë në një situatë të tillë së bashku. Mbështeteni te njëri-tjetri, edhe nëse nuk e flisni të njëjtën gjuhë”, është shprehur Trost.
Tregimi i Trostit mund të jetë i njohur për qytetarët e Blount Countyt, vendlindja e tij. Ai i ishte nënshtruar një trajtimi mjekësor, kur në vitin 2012, ai, së bashku me ushtarët e tjerë të stacionuar në Afganistan, kishin rënë në pritë të Policisë Kombëtare Afgane.
Në këtë sulm të afganëve Trost humbi gjysmën e dorës së tij të djathtë, që e la me lëndime të mëdha në ekstremitetet e tij të ulëta. Atij iu deshën rreth tre muaj trajtim në spitalet ushtarake para se të mund të kthehej në shtëpi, në Blount County.
Që nga atëherë ai është nderuar me çmimet “Purple Heart” dhe “Bronze Star”, ndërsa është nderuar edhe nga presidenti Barack Obama – është trajnuar edhe nga bejbollistët profesionalë si dhe është vizituar nga të famshmit.
Por, afër katër vjet që nga aksidenti, Trost ende nuk e kishte parë mikun e tij Pecin, ushtarin shqiptar me të cilin kishin ndarë së bashku një post ushtarak dhe një përvojë që i ka ndryshuar jetën.

