“Këmishë e fundit xhepa nuk ka!..” (Në kujtim të Kujtim Prodanit)

Ornela

Lajmin e hidhur kur dëgjova,
si nga rrufeja u godita,
në çdo qelizë u helmova,
dhe si rrallë herë ulërita!

Se qe vërtetë për ulërimë,
kjo ikja jote plot mistere,
po ne-o Kujte jemi frymë,
me vdekjen që përgjon pas dere!

Gjithë këto vite të shikoja,
si uragan plot energji,
shpesh vdekjen time e mendoja,
po vdekjen tënde kurrësesi!

Dyzetë vite dhe më shumë,
të lidhur ne në miqësi,
fare i ri kur isha unë,
bëja për Gimin poezi!

Mbete gjithmonë një mik i mirë,
nga më të mirët që kam këtu,
pate një jetë të vështirë,
por edhe vdekjen gjithashtu!

Nuk them se ishe një gjeni,
nuk kam lëvdata superiore,
po gjer në thelb e njihje ti,
dhimbjen dhe zemrën njerëzore!

Dhe sapo pak e mora veten,
nga ky tmerr e kjo hata,
kujtova këngén që do mbetet:
“Këmishë e fundit xhepa nuk ka!.”

Kjo fabul në të vërtetë,
ka brënda gjithë filozofinë,
se që të gjithë në këtë jetë,
ne ikim po ashtu si vimë!

Janë shumë ato që thurrëm tok,
ti dashuroje vargjet e mia,
po këtë herë-o mik-o shok,
s’të shpëtoi dot kënga dhe dashuria!

E dimë vdekjen e pabesë,
gjithmonë na treti dhe na lodhi,
por s’e kuptoj-o mik për besë,
përse-përse tyja të zgjodhi?!

“Hej mik!.”-ka qënë kënga e fundit,
që bëmë bashkë ne të dy,
po media ja ka fut katundit,
se s’është për plehrën pandemi!

Vërtet’ që është homazh për miqtë,
që një gotë verë në mes e ndanim,
“Hej mik!.” -qe ideja jote,
si një homazh për Gjergj Xhuvanin!

E ç’të të them-o miku im,
nuk e them dot sa më ke prekur,
mbi gjashtëdhjet këngë që le kujtim,
të béjnë të gjallë e të pavdekur!

Tani shko në livadhe të blerta,
se rruga gati të është bërë,
këtej dhe shumë s’na mban dot jeta,
aty do mblidhemi të tërë!
A.DUKA

Share This Article
4 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *