Nis puna për hartimin e kostos së çdo pacienti që do të trajtohet në shërbimet përkatëse lidhur me sëmundjet e zemrës, veshkave e mëlçisë. Konkretisht bëhet fjalë për detajimin e katër paketave të shërbimit të kardiologjisë, kardiokirurgjisë, hemodializës, transplantit të veshkave dhe të mëlçisë, ku për secilën prej tyre do të përcaktohen kostot reale të vlerësuara nga ekipe profesorësh dhe mjekësh, në bazë të cilave do të lidhet marrëveshje edhe me spitalet jo publike. Në këto kushte do të rishihet edhe forma e vendosjes së ccmimeve për trajtimet dhe ndërhyrjet kirurgjikale që kryhen në sektorin publik e privat. Konkretizimi i kësaj pune është konfirmuar gjatë ditës së djeshme në të takimin e zhvilluar ndërmjet drejtuesve të këtyre shërbimeve, dhe Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, (ISKSH). Sipas drejtuesve të ISKSH-së, përmes përllogaritjes së kostove përkundrejt konkurrencës synohet, ulja e çmimeve në sektorin privat, duke vendosur një raport më të balancuar mes institucioneve shëndetësore publike dhe atyre private.
Drejtori i ISKSH-së, Astrit Beci ka bërë të ditur se nga katër paketat e shërbimeve përfitojnë si spitalet publike ashtu dhe ato private, duke detajuar edhe afatet konkrete të përcaktuara për hartimin e këtyre kostove. “Brenda datës 31 mars 2014, ne do të kemi paketat e shërbimit të kardiologjisë invazive, të dializës, të transplantit të veshkave, dhe të transplantit të mëlçisë. Matja e saktë e kostove të këtyre shërbimeve do të bëj të mundur kontraktimin real nga ana e fondit shëndetësor me ofrues të shërbimit publik dhe privat”, ka deklaruar Beci.
Përkundrejt qëllimit të mirë, mjekët shprehin rezerva ndaj kësaj nisme, pasi sipas tyre këto paketa shërbimesh duhet të ofrohen me të njëjtat çmime në publik e privat. Mjekët pohojnë se pacientët duhet të paguajnë për të njëjtin shërbim, të njëjtën kosto pavarëisht se ku e marrin shërbimin.
“Kur të bëhen këto paketa, mendoj që duhet të jepen paratë njësoj si tek publiku, si tek privati. Nëse QSUT-ja ka 100 pacientë që bëjnë dializë, duhet t’i paguhet e njëjta kosto e pacientit të dializës, njësoj si ai që paguhet në privat. Të paktën me çmimet që kanë qenë që në 2005 është dy ose tre herë më i lirë çmimi në publik, sesa në privat”, bën të ditur kirurgu Arben Gjata. Shpenzimet për çdo shërbim mjekësor do të bëjnë të mundur edhe uljen e çmimeve tek privatet. Shefi shërbimit të kardiologjisë, Artan Godo, ka kërkuar krahas kostove materiale edhe kosto të vetë mjekeve, për të frenuar lëvizjet e qëllimshme të pacienteve drejt privatit. Sipas tij deri më sot fondet për çdo shërbim në QSUT bëhen mbi bazën e lobimit të shefave, shpesh në vlera mbi nevojat. “Jemi shumë larg asaj që ne duhet të bëjmë për nevojat e popullatës dhe në këtë mënyrë këtë mund ta arrijmë në propocionalizimin sipas nevojës së popullatës dhe jo sipas nevojave tona personale”, tha mjeku Artan Goda. Ndërsa mjeku Genc Sulçebe thotë se privati e detyron një pacient të paguajë më shtrenjtë sepse e merr trajtimin për një paketë të tërë duke e çuar koston e një transplanti 3 herë më shtrenjtë deri në 15 mijë euro.
Kriteret
Komisionet teknike për këto katër shërbime të rëndësishme spitalore, janë miratuar nga Këshilli Administrative i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore dhe puna për hartimin e këtyre paketave, do të nisë menjëherë. Janë përcaktuar gjithashtu, kriteret mbi të cilat do të hartohen këto paketa, kritere mjekësore, ekonomike dhe sociale. Që do të thotë se, në hartimin e këtyre paketave, do të vlerësohet shkalla e ofrimit të shërbimit në ndihmë të përmirësimit të cilësisë së jetës, të shmangies se përkeqësimit të mëtejshëm të shëndetit dhe të rritjes së jetëgjatësisë.
