Skënderbeu dhe epoka e tij në romanin shqiptar

Ornela

Nga prof. Nasho Jorgaqi

Në historinë mesjetare të Shqipërisë, shekulli i pesëmbëdhjetë zë një vend të veçantë, si një epokë heroike, që ( jo i vetëm i dha tonin një periudhe të tërë historike, por) me vlerat dhe shëmbëlltyrën e tij rrezatoi në mbarë historinë shqiptare. Kjo është epoka që lidhet me emrin e Skënderbeut, kur populli shqiptar nën udhëheqjen e tij u bëri ballë për njëzetë e pesë vjet hordhive osmane dhe fitoi mbi to. Heroizmi dhe vetëmohimi i një populli të vogël kundër fuqisë më të madhe të botës s’atëhershme pushtuan kohërat dhe mbetën në ndërgjegjen e historisë.

Skënderbeu dhe epoka e tij ushtruan në shekujt e mëparshëm një ndikim të madh në ndjenjat e mendimet e shqiptarëve. Figura e heroit u shndërrua në një simbol frymëzimi e besimi, qëndrese e force. Çdo kohë mori prej saj, por dhe çdo kohë e pasuroi atë me vlera të reja. Këtë bëri në radhë të parë populli me traditën e tij të bukur poetike, por dhe çdo kohë e bëri dhe letërsia. Mund të themi se Skënderbeu u bë hero i përhershëm i letërsisë shqiptare.

Shkrimtarët humanistë shqiptarë me Marin Barletin në krye shkruan qysh në fillim të shekullit të 16, vepra biografike e emëruara artistike, që mbetën me vlerë të përhershme për autenticitetin e tyre dhe jehonën e drejtpërdrejt të kohës skënderbejane që sollën.

Në shekujt e errët që erdhën më pas, shëmbëlltyra e heroit asnjëherë nuk e humbi shkëlqimin e vet. Fjala e shkruar shqipe e përcolli nga brezi në brez. Por figura e tij njohu një përtëritje të fuqishme e të gjerë në letërsinë shqiptare të Rilindjes gjatë shekullit të XIX. Kjo letërsi e bëri Skënderbeun dhe epokën e tij një nga temat e saj madhore. Shkrimtarët e Rilindjes iu drejtuan mesjetës e kryesisht shekullit të pesëmbëdhjetë, duke parë atë në prizmin e momentit historik dhe të interesave kombëtare. Të frymëzuar nga ideali i tyre patriotik, ata evokuan nga kjo epokë, jo anët mistike dhe ekzotik të fjalës, tërhequr vëmendjen e romantizmit evropian, po frymën e saj kryengritëse e aspiratat liridashëse, shembullin e bashkimit kombëtar. Të gjitha këto shkrimtarët rilindës i mishëruan në figurën e Skënderbeut dhe e kthyen atë në një simbol të gjallë që frymëzonte dhe thërriste për luftë. Këtë detyrë historike do ta përballonte kryesisht poezia. Poetët e shquar si De Rada, Dara, N. Frashri do të shkruajnë poema epike dhe epike-lirike, të cilat do t’i këndojnë heroit e do të evokojnë epokën e tij të lavdishme. Vepra të tilla luajtën një rol të rëndësishëm në zgjimin dhe forcimin e ndërgjegjes kombëtare të popullit shqiptar.

Tema Skënderbejane do të vazhdojë të jetë e pranishme edhe në letërsinë që u zhvillua gjatë periudhës së shtetit shqiptar. Atë do ta shohin në vepra poetike, në drama, në histori të letrarizuara. Romani që në këtë kohë hidhte hapat e parë nuk mundi ta rrokë dot. Në rrethanat e reja që u krijuan pas Luftës Nacionalçlirimtare dhe Revolucionit popullor , tema historike në letërsinë shqiptare fitoi një peshë të re. Kjo u duk qartë në trajtimin e pasqyrimin e figurës së Skënderbeut dhe epokës së tij. Në qoftë se letërsia shqiptare pararendëse më tepër i këndoi figurës së Skënderbeut dhe në disa raste e evokoi epokën e tij, duke dhënë ndonjë moment të rëndësishëm, letërsia e re e pasqyroi në përmasa më të gjera dhe në dritën e një botëkuptimi të ri filozofik dhe metaforik të cilit ajo i dha artistikisht thelbin historik të epokës, zbuloi kohën dhe njerëzit në dritën e së vërtetës historike.

Dhe këtë arriti ta bëj në radhë të parë, romani si gjinia letrare me mundësi më të madh pasqyrimi dhe interpretimi. Përvoja e grumbulluar në trajtimin e temës historike nga letërsia jonë, pjekuria që ajo kish fituar, arritjet e historiografisë shqiptare në studimin e mesjetës qenë ata faktorë objektivë që çuan në pasqyrimin e trajtimin romanesk të temës së Skënderbeut. Por nga ana tjetër duhet nënvizuar se interesimi për këtë temë do të rritet në mënyrë të dukshme në fund të viteve 60 dhe në vitet 70. Një nxitje natyrisht i dha përkujtimi i 500 vjetorit të vdekjes së heroit, por angazhimi i romancierëve për të trajtuar gjerë figurën e Skënderbeut dhe epokën e tij do të vinte dhe nga disa rrethana historike në të cilat u ndodh Shqipëria socialiste duke filluar nga vitet ’60. Në kushtet e bllokadës dhe të presioneve politike dhe ekonomike që ushtruan mbi vendin tonë superfuqitë, shkrimtarët shqiptarë i hodhën sytë edhe nga historia e tyre kombëtare. Në disa pikëpamje historia po përsëritej në rrethana e forma të tjera dhe kjo i bëri veçanërisht romancierët, të kërkojnë dhe të gjejnë analogji e paralelizma në historinë e Skënderbeut për momentin historik që kalonte vendi. Kështu ata i folën kohës së tyre, veç të tjerash dhe nëpërmjet ngjarjeve heroike të shekullit të pesëmbëdhjetë. Duke bërë këtë, romancierët shqiptarë i vinin në ndihmë popullit në luftën fisnike që ai zhvillonte kundër bllokadës dhe rreziqeve që i kërcënoheshin atdheut nga armiqtë e lirisë. Tamam në këtë kohë do të lindte romani i vërtetë me temën e Skënderbeut. Në qoftë se poezia e drama e kishin trajtuar këtë temë në mënyrë të pjesshme dhe episodike, romani do ta bënte në përmasa të gjera e të plota. Romancierët do të ngrinin perden e kësaj epoke të ndritur dhe do ta pasuronin e thellonin përfytyrimin tonë mbi heroin e kohën e tij. Romani historik shqiptar me temën skënderbejane u çfaq në gjirin e letërsisë  dhe pjekurisë që ajo kish fituar.

Romani shqiptar hapi një rrugë krejt të re po të kemi parasysh se romani historik evropian për Skënderbeun e trajtoi dhe pasqyroi këtë temë nga pozita romantike -sentimentale, të shkëputur përgjithësisht nga procesi i gjallë social-historik. Romani shqiptar do ta vështronte e pasqyronte jetën dhe historinë e shekullit të 15-të në dritën e botëkuptimit shkencor materialist duke u çveshur nga petku legjendar dhe fryma kalorsiake. Ai do ta vendos heroin dhe koh1dhe kohën e tij, në një truall real, në rrethana objektive dhe këtë do ta arrijë përmes një pasqyrimi të denjë artistik.

Romani historik shqiptar për Skënderbeun dhe epokën e tij dha rezultate të çmuara që në veprat e para. Një nga veprat që tërhoqi vëmendjen e lexuesve ishte romani ” Muret e Krujës” e Gjergj Zheit, ku duke na dhënë kuadrin e gjerë të kohës, me një patos historik, zbulohet bukur qëndresa  e popullit kundër hordhive osmane, heroizmi i tij masiv dhe personalitetit i gjithëfuqishëm i Skënderbeut. Vëmendja kryesore në roman i është kushtuar paraqitjes së masave popullore, të cilat të frymëzuara nga ideali patriotik dhe shembulli i heroit luftojnë me heroizëm për mbrojtjen e Arbërisë. Në romanin ” Shqipja e kreshtave tona” të Skënder Drinit, Skënder Drinit, Skënderbeu është personazhi kryesor i veprës. Subjekti i romanit i përmbahet një plani pak a shumë kronologjik dhe kjo ka bërë që të përfshihen në të pothuajse gjithë ngjarjet më të rëndësishme të kohës. Duke e thurur veprën në dy linja, në linjën e Skënderbeut dhe në atë të fatit të popullit, të cilat alternohen me njëra tjetrën përmes një kompozicioni linear, shkrimtari ka arritur të japë tablonë e madhe të luftës popullore. Tema e qëndresës shqiptare në shek. 15 ka gjetur  një realizim artistik të fuqishëm në romanin “Skënderbeu” të Sabri Godos. Kjo është vepra ku figura e Skënderbeut është dhënë në mënyrë më të plotë e më të gjerë në gjithë letërsinë shqiptare. I marrë në rrjedhën e ngjarjeve që nisin me kthimin e tij në Shqipëri më 1443 e deri kur ai vdes më 1468 heroi bëhet në këtë mënyrë protagonisti i romanit, dhe lexuesi ballafaqohet hap pas hapi me jetën dhe bëmat e tij. Kështu, brendinë dhe ndërtimin e romanit e ka përcaktuar biografia e heroit dhe kronologjia e ngjarjeve. Në bazën e tij është konflikti më i madh i shekullit: lufta heroike e popullit shqiptar kundër agresorëve osman dhe kjo i ka dhënë romanit një karakter të theksuar epik. Pamjet e gjera të epokës, shtrirja e plotë e ngjarjeve, pasuria e fakteve historike janë sfondi mbi të cilin gjallon dhe vepron heroi. Skënderbeu është paraqitur në dy drejtime: nga një anë në luftën që ai bën për bashkimin e vendit dhe krijimin e shtetit shqiptar dhe nga ana tjetër në përpjekjet për të siguruar një aksion të përbashkët antiosman në plan evropian. Është meritë e autorit që ka ditur të krijojë një unitet artistik brenda veprës dhe këtë e ka arritur në radhë të parë në ndërthurjen dhe lidhjen reciproke në mes ngjarjeve historike dhe jetës së heroit. Romani ka një meritë tjetër të shquar, sepse duke na dhënë përmes tablosh të gjëra e realiste një vizatim të plotë të shoqërisë shqiptare të shek. 15 i bën asaj autopsinë sociale për të treguar ata faktorë e rrethana që  lindën një personalitet si Skënderbeu.  Me të drejtë autori për ta zbuluar figurën e Skënderbeut, vendin kryesor në roman ia ka dhënë paraqitjes sa më të plotë të rolit të fshatarësisë si forca më e madhe lëvizëse e epokës dhe mbështetja bazë e heroit, por nga ana tjetër ai hedh dritë mbi luftën e Skënderbeut kundër anarkisë feudale, duke treguar se feudalët me separatizmin e tyre bëhen burim i tradhtive dhe disfatave. “Skënderbeut” i S.Godos është një vepër që shquhet për karakterin e saj origjinal, po të kemi parasysh se ajo qëndron në mes rrëfimit letraro-historik dhe romanit. Pasuria e madhe faktike dhe informacioni i gjerë shoqërohen me gjykime e sentenca të goditura, me meditime filozofike e historike, të dhëna këto me një stil të bukur e të fuqishëm. Vepra të bën për vete me epicitetin e saj, qoftë kur rrok gjithë rrjedhën e ngjarjeve dhe biografinë e heroit, qoftë dhe kur hidhte dritë në momente nga afresku i madh skënderbejan. Rrëfimi i autorit është i gjallë, por ekzaltime e zbukurime, brenda kufijve të objektivitetit, i shprehur me një gjuhë lakonike me ngarkesë emocionale, e ritëm të brendshëm. Vlerat e veprës rriten po të kemi parasysh që romani me tërësinë e ideve dhe paraqitjen e epokës së Skënderbeut, bën analogji dhe tërheq paralelizma me kohën tonë dhe nxjerr mësime me vlerë për brezin e ri.

Arritja më e shënuar në trajtimin e temës historike të shekullit të 15-të është padyshim romani “Kështjella” e Ismail Kadaresë. “Kështjella” është nga ato vepra madhore të letërsisë shqiptare që ka mundur të japë në mënyrë sintetike e të thellë shpirtin e epopesë skënderbejane. Kësaj ai ia ka arritur duke trajtuar vetëm një episod nga historia e mesjetës: rrethimin e një kështjelle shqiptare nga ushtria osmane, qëndresën historike të shqiptarëve, që i bëjnë ballë forcës dhe djallëzisë osmane dhe tërheqjen më në fund me turp të armiqve. Te kjo kështjellë hovi i feudalizmit ushtarak osman drejt perëndimit ndalet e dështon. Kështu kështjella kthehet në simbol lirie e qëndrese që i kalon kufijtë e mesjetës.

  1. Kadare i është drejtuar historisë së shek. të 15, ka marrë prej saj fakte, por e ka interpretuar historinë artistikisht duke krijuar karakter të gjallë, situata të fuqishme dramatike, atmosferë sugjestive. Me forcën e një talenti origjinal dhe duke iu përmbajtur saktësisë shkencore të historianit, ai ka përftuar në faqet e romanit një të vërtetë artistike, ku ngjarjet e kohës marrin një nëntekst të qartë historiko-shoqëror dhe kthehen në përgjithësime të tipareve të epokës. Konfliki i veprës është real, historik, po analiza dhe sinteza janë politike, të dhëna me forcë të madhe artistike. Aty zbulohen qartë forcat ndërluftuese, duke tipizuar përmes figurave të gjalla heronjtë e qëndresës dhe agresorët. Në roman është lënë jashtë kronologjia e ngjarjeve historike sepse aksioni i tij është përqendruar jo në ngjarje, por në marrëdhëniet në mes njerëzve të thjesht, heroizmit të tyre. Këta janë luftëtarë të Skënderbeut, ndonëse figura e tij asnjëherë nuk paraqitej drejtpërdrejt. Skënderbeu ndihet në qëndresën e kështjellës. Mendimi i heroit mban njerëzit në këmbë dhe i udhëheq në luftën heroike. “Kështjella” ndonëse flet për shekullin e 15-të, ajo ka një tingëllimë të qartë për aktualitetin e sotëm shqiptar. s’ka dyshim se romani lind në kohën tonë, në atmosferën e Shqipërisë socialiste dhe doemos ndihet në të gjendja shpirtërore e popullit shqiptar, pathosi i tij patriotik që buron nga lufta për mbrojtjen e lirisë dhe interesave të socializmit. Romani gjatë shtjellzimit të subjektit, me kontekstin ideor të tij bën analogji në mes qëndresës shqiptare të shek. 15-të dhe qëndresës së sotme. Edhe pse jepen procese historike e ngjarje të një të kaluare të largët romani mbetet pjellë e kohës sonë. kritika e huaj sidomos ajo franceze e ka vënë re dhe e ka çmuar tingëllimin bashkëkohor të veprës, duke nënvizuar se te “Kështjella” mund te diktohet në filigran qëndresa e Shqipërisë në vitet ’60.Romani “Kështjella” është vepër me vlera të shquara artistike. Kritika e ka cilësuar si një poemë epike me tone madhore, epope magjike të luftës për liri, si një vepër mjaft origjinale që qëndron në mes rrëfimit artistik dhe afreskut historik.

Është meritë e shquar e shkrimtarit, që përmes një rrëfimi magjepsës e të qetë, analizon nga një anë proceset historike të kohës dhe nga ana tjetër karakteret e njerëzve duke i dhënë këto në unitet e në funksion të njëra tjetrës. Autori nuk bën inkursione historike, as përshkrime nga jeta zakonore mesjetare, po tërë vëmendjen ua kushton zbulimit dhe përshkrimit realist të karaktereve, marrë këto gjithnjë në raport me kështjellën. Me të drejtë është vënë në dukje aftësia e veçantë e Kadaresë në këtë roman, për të individualizuar e tipizuar personazhet e romanit, qoftë në mendime e veprime, qoftë në psikologjinë e tyre.  Romani është ndërtuar me një arkitekturë oigjinale, ka një kompozim soli, të ngjeshur e funksional. Lidhja logjike e ngjarjeve është bërë në mënyrë të tillë ku idetë e ndryshme konvergojnë për të dhënë mendimin kryesor të veprës. Subjekti i thjeshtë i romanit merr jetë dhe ndikon fuqishëm te lexuesi në sajë të toneve dramatike, të kontrasteve të forta dhe imazheve plastike. Ai jepet me një stil të qetë e lakonik, me nëntekst të pasur, me një gjuhë të rrjedhshme e sugjestive. Romani është çmuar dhe për një koncentrim të fuqishëm, për sensin e masës në përdorimin e mjeteve artistike, për një kompaktësi të brendshme. “Kështjellës” siç shkruan kritiku Rexhep Qosja ” nuk mund t’i hiqet asgjë, asnjë skenë, asnjë fjalë, asnjë detaj”.

Për meritat dhe vlerat e saj të mëdha, “Kështjella” i përkthyer në shumë gjuhë është çmuar dhe ka fituar admirimin e lexuesve dhe kritikëve në vende të ndryshme:

-Romani me temën e Skënderbeut dhe epokës së tij lindi dhe u afirmua në letërsinë shqiptare në vitet ’60 e këndej në kushte të caktuara historike.

-Ky roman duke u mbështetur në një koncept shkencor të historisë e dha Skënderbeun dhe mesjetën shqiptare mbi një bazë materialiste. Ndryshe nga romani evropian, i cili ka krijuar një përfytyrim romantik e sentimentalist, me frymë kalorsiake dhe ekzotike për Skënderbeun dhe kohën e tij, romani shqiptar i vendosi ata mbi një truall real, zbuloi thelbin e tyre historik e shoqëror .

-Romani shqiptar me këtë temë paraqitet kryesisht si roman realist, me karaktere e rrethana tipike dhe brenda pasqyrimit realist koha dhe heroi janë dhënë nga këndvështrime të larmishme. Autorë të ndryshëm kanë çfrytëzuar dhe procedime artistike të ndryshme, në përputhje me talentin e tyre krijues.

-Romancierët shqiptarë, duke trajtuar temën e mesjetës, i janë drejtuar historisë jo thjeshtë për ta përshkruar atë, por për të nxjerrë mësime dhe konkluzione me vlerë për kohën e tyre. Një gjë të tillë e kanë bërë duke iu përmbajtur denjësisht kërkesave dhe specifikës të letërsisë artistike.

– Veprat e romancierëve shqiptarë kanë krijuar një përvojë të çmuar në trajtimin ideo-artistik të temës historike që meriton të njihet e të studiohet.

 

 

 

Share This Article
3 Comments
  • Perse (perke) zoti Athanasios Jorgaqis fillon “historia” e Arnautise perpara Osmaneve?
    O Nasho.
    Eshte e vertete qe Arnautet “pretendojne” se jane pasardhes te Ilyreve dhe te mohoen figura Perandoresh Ilyre si Megas Kostantinos Xlloros,i biri i Elenit,Megas Iustinianos Perandori Ilyre Adhrianos etj?
    A nuk ka hipokrizi me te madhe per nje Protektorat Italiane te mohoj figura te tilla dhe te nderoje nje Misionare me cmime dhe prapaskena politike si Tereza?
    Jo vetem qe nuk i perket ketij Kombi te Lashte se tradhetoj Besen e dhene ne Ilisus (sot Lezhe) ate Orthodhokse,por nuk ka bere asgje per kete Protektorat.
    Humanitare Tereza me parate e Papes?
    A nuk e paguajme kete percarje te Kombit Greke te Epirit nga Turqia dhe Italia ne emer te nje State pa Identitet?
    Sa poshte kane rene te vetequajturit Skiptare!

  • Disa Mite dhe Mashtrime historike mbi Iskander-beun.
    1-Sipas “historianit” te famshem Xhufi qe nuk ka lene Museum pa Meletisur,lindi Orthodhokse d.m.th Jeorgo,u be Myslimane Geni-tsaros Iskander-beu dhe per aresye “Strategjike” qe do tja hidhte Papes se Venedikut u “be’ katolike” Gjergj!
    Cfare komedie!
    Ndryshimi ishte se Katoliket e fshinin Menderen me doren e djathte kurse Orthodhokset me te Majten,por ishin dhe jane “vellezer” te Krishtere.
    Dhe kjo u duk me shperberjen e Jugosllavise dhe bashkimin e Gjermanise dhe bombardimin e Serbise,kurse kunder Turqise Islamike dhe te drejtat e Kurdheve asgje.
    Bile jo vetem te ktheje Agia ne Xhami Turqia por edhe Parthenonin Simbolin e Demokracise ta rrafshojne turqit,amerikanet do mendojne per te shitur F-35 po anulloje S-400 me Ruset.
    2-Se ishte “Atleti i Krishterimit” kur ne Perkrenaren e Tij ne Austri eshte Simboli i Perendise Greke Zeusit.
    Dihet fort mire edhe sot nga ata qe kane dy gram tru,sa luftohen Greket nga te ashtuquajturit “Greke” Orthodhokse ne Greqi.
    3-Se luftoi per “Krishterimin” kur Krishterimi u nda ne 1054A.D. ne Orthodhokse dhe Katolike,sa Orthodhokset thonin me mire me Sulltanin se sa me Hipokritet e Papes.
    4-Se eshte “Heroi” i Myslimaneve turq kur Ai vete luftoi kunder Allahut te tyre “te Shenjte” qe u convertuan me vone ne Arnaute,Albanas.
    5-Se Besa Greke Orthodhokse e dhene ne Ilisus (sot Lezhe) ishte “Skiptare”.
    6-Se per Jeorgios Kastriotis dhe Epirotet e “Marin Memes” ishte i biri i Zeusit Pellazge,por me te bijen e Tij Parthenen Athina “nuk kishte dhe nuk ka lidhje fare”!
    Covidi nuk eshte gje fare se cfare ju ka bere Tur-qia.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *