Valmir Berisha ka mohuar lajmet nga Italia se ai ka rënë dakord të bashkohet me Milanin, që është një nga skuadrat më të interesuara për sulmuesin e ri shqiptar, i cili luan për Suedinë. “Ibrahimoviçi i ri” është ndër talentet më të kërkuar pas botërorit të moshës, ku ai ishte golashënuesi më i mirë, por ka shprehur disa herë dëshirën që të mos shkojë menjëherë në një klub të madh, pasi i duhet të fitojë përvojë në një nivel më të ulët. Sipas shtypit të huaj, klubet e interesuar për Berishën ishin midis 30 e 35 dhe midis tyre janë gjigantë të tillë si Liverpul, Totenham, Ajaks, Real, Juventus, Inter, Milan e të tjerë, ndërkohë që vetë sulmuesi nuk ka pranuar të shkojë në periudhë prove te Manchester United dhe Arsenal. Duke ndjekur linjën e mëparshme për të shkuar fillimisht në një klub të nivelit më të ulët, Sunderland ka qenë një mundësi e mirë për Berishën, i cili tashmë ka lënë vetëm tre emra në listë. Sipas gazetës “Kvallsposten”, tre klubet e mbetur janë nga Italia dhe Anglia. Berisha thotë se Milani nuk është midis tyre, edhe pse nga Italia, MilanNews ka bërë të ditur për kontakte të klubit me përfaqësuesin e lojtarit të premten e kaluar. “Nuk kam arritur asnjë marrëveshje me Milanin. Nuk kam qenë në Itali dhe Milani nuk është midis klubeve që kanë mbetur”, thotë lojtari, i cili shton se tashmë i ka vizituar tre klubet e mbetur në listën e tij. “Kam qenë në tre klubet e fundit dhe do të zgjedh midis tyre. Jam takuar me trajnerët e lojtarët”. Berisha është vetëm 17 vjeç dhe e ka të qartë se nuk do të hyjë direkt në formacionin e skuadrës së parë, megjithatë ka sqaruar edhe se nuk do të bashkohet me skuadrën e akademisë së klubit. “Do të bashkohem me skuadrën e parë të klubit, por besoj se do të luaj me skuadrën U-21. Nuk do të ishte realiste të mendoja se mund të shkoj nga U-19 e Halmstadit drejt e në skuadrën e parë jashtë. Por, nëse paraqitem mirë me U-21, mund të arrij të ulem në stolin e skuadrës së parë që në sezonin e parë”, tregon planet e tij lojtari. Pritet që transferimi të bëhet sapo të hyjë janari dhe ai do të largohet si lojtar i lirë, pasi i ka skaduar kontrata me Halmstadin, por klubi suedez do të marrë një kuotë prej rreth 500 mijë euro për rritjen e lojtarit në sistemin e tij.
