Nga Bedri Islami
Për Petro Markon
Ndoqa në Top Channel një emision për Petro Markon. I bukur, por jo i plotë; tejshkuar me kujtime të profesor Bardhosh Gaçes, që risillnin shkrimtarin e madh, sëbashku me dëshirën të jetë përjetësisht pranë detit, dhe, tjerrëza që nuk të emociononin.
Nëse letërsia është shprehje, atëherë Petro Marko është njëri ndër shprehësit më të fuqishëm të saj.
Nëse themi se gjuha shqipe, në të gjithë dialektet e saj, është një gjuhë e kumbueshme – këtë na e sjell qartësisht Petro Marko, që nga poezitë e tij të para dhe deri tek romani i fundit i tij, ndoshta nga më të fuqishmit e letërsisë shqipe, ” Re dhe gurë”.
Petro Marko ishte ligjërues i gjuhës shqipe.
Mendohet gabim se ligjërimi i përgjigjet realitetit, kësaj gjëje misterioze që quhet realitet.
Besojmë se proza është më afër realitetit se sa poezia. Petro Marko, përmes prozës së tij poetike dhe poezisë mugëlluese na sjell një gjë krejt të ndryshmë. Ai ka prozën poetike dhe poezinë sipërore; kjo e fundit, e shkruar kryesisht në rininë e tij, është luftarake dhe e vrullshme, pasi bregasi flokëgjatë dhe i vrullshëm nuk e përceptonte dot veten – veçse të vrullshëm, pasionant, të ndershëm dhe jetësor.
Nëse dikush ka bërë luftë jetësore – ai është Petro Marko.
Petro Marko ka një varg në rininë e tij, ” heshtja e gjelbër e detit” – e askush nuk mund ta dijë se si mund të heshtë ai, me dallgët dhe brigjet, askush si asnjë njeri nuk e mendon dot se si mund të heshtë poeti Petro.
Katër herë, në katër regjime është burgosur ai: nga Zogu, sepse ishte ndër komunistët e parë idealistë; nga italianët, sepse ishte antifashist; nga gjermanët sepse ishte antinazist dhe nga Shqipëria, sepse ishte antikomunist dhe në të njëjtën kohë, i njohur si kundërshtues i dominimit sllav, i njohur si antiserb.
Është miku i parë i Qemal Stafës, të cilin i vendos pseudonimin „Brutus“ dhe i boton poezitë; gjen te Migjeni uraganin e ardhshëm dhe ,megjithëse poeti ishte i ndaluar, ai i bën vendin e duhur; miku i afërt i Skender Luarasit e në të njëjtën kohë i heshtur në miqësinë e tij me Mehmet Shehun; vendos në nënkrejsën e Asim Vokshit çantën me poezitë e tij dhe përkulet në gjunjët e infermieres së luftës, Justina Shkupi; përlotet nga gjethja e rënë në bregun e leqenit, ku është Poradeci dhe vetë ngjan me një shterg deti që është zhvendosur tek zgalemi i thinjur Lasgush, e përbuz gjithçka që ka të bëjë me përuljen.
Një botë e tërë rrokulliset tek librat e tij, dhe, kur të gjithë pritnin se Ai mund të ishte njeriu i njëmijë e një enigmave; vetë jeta e tij është e tejshkuar, në fakt ai është njeriu më i hapur, më i sinqertë, moskokëçarës ndaj rrjedhës së kundërt, të cilën e përqesh dhe ia ndjen dhimbjen që ia përcjellin.
Askush tjetër nuk ka qenë i tillë dhe vështirë të përsëritet. Dashuronjës i marrë i lirisë ai e ndjen se burgu po shtrydhet brenda njerëzve, gjoksit të tyre; as jeta dhe as arti i tij nuk i shkojnë për shtat butësisë, e ai ishte njeriu më i butë në botën e librave.
Gjithësecili poet ka heroin e tij; Homeri ka Priamin që puth duart vrastare të Akilit, Sofokliu ka Edipin që zbërthen enigma, dhe kështu zbërthen fundin e fatit të tij, Dante ka nëntë rradhët e Ferrit dhe Beatriçen si ëndërr parajsore e paaritshme; Kafka endet në labirintet e tij të pamata, Kadare ka një qytet të tërë të gurtë, ku nisi zanafilla e rrëmujshme dhe ngritja e një godine kolosale që nuk e mposhtin motet; Petro Marko ka detin dhe ai nuk kuptohet dot pa të.
30 vite mbushen nga largimi i Petro Markos dhe deti mbetet në mijra e mijra vegime të tij.
Letërsia e Petro Markos është në fakt jetëshkrimi i tij.
Petro Marko ishte kryeredaktori i parë i gazetës Bashkimi dhe kur ambasadori jugosllav, në vitin 1947, i tha se gazeta Bashkimi duhet të mësojë nga gazeta Borba e Beogradit, Petro marko ia ktheu ,” e përse Borba të mos mësojë nga Bashkimi” – dhe përfundoi në burg. Ishte i katërti i tij, por jo i fundit i familjes së tij.
Pesë romane të Petro Markos, sipas bindjes sime, do të ngelin domosdo në historinë e letërsisë shqipe . Qyteti i fundit, Hasta la Vista, Stina e Armëve, Nata e Ustikës dhe Re dhe Gurë.
Secili mund të shtojë se çfarë mund të mbetet më tej.
Bukuria dhe forca e romaneve të Petro Markos është si një bukuri gjithnjë e gatshme për të na gllabëruar. Po të kishim më shumë ndjeshmëri, këtë do të mund ta shihnim qartas në të gjithë korpusin e madh të botimeve të tij.
Është shkrimtari i vetëm i botuar dhe pastaj, menjëherë, i ndaluar.
I ka ndodhur kështu me të gjithë romanet e tij. Ende pa u bërë si duhet shpërndarja, ka ardhur ndalesa. Kjo i ka bërë edhe më enigmë librat e tij, ka zgjuar një kureshtje ndryshe dhe ka përcjellë atë që u është dashur ta vrasin: shpirtin.
Po të përdorim fjalët e Shkrimit të Shenjtë : shkronja vret, shpirti ngjall , atëherë do të dinim përse në një kohë qerthullore gjithçka e Petro Markos, pavarësisht nëse ishte monarki, fashizëm, komunizën ishte e ndaluar dhe përse ajo që ishte e ndaluar të ngjallte shpirtin.
Petro Marko ishte poeti i rënë, që ngrihej; i rrëzuar nga të tjerët dhe i ngritur nga shpirti; i mallkuari që ishte i dëshiruar; i mbrojturi që duhej të luftonte; i leçituri që ngjallte admirim; i vetmuari që ndiqej nga të gjithë; njeriu që dihej se do të përndiqej nga fjala ende pa u tharë boceti i librit të tij; ai është njeriu që dashuron jashtë skolastikës , e mbani mend Gorin tek Hasta la Vista dhe dashurinë e tij me Anitën, nuk mund të dashurojë ndryshe, se të duash do të thotë të ndiesh, se të mungon diçka; është poeti që sjell qindra figura që në romanet e tij janë një botë dhe të gjithë ato janë pasqyrimi i tij.
Në fakt ai krijoi një botë. Të mbushur me dashuri, mendim, me cene, vuajtje, përplasje, burgje, mëkate, dhimbje fizike, çaste magjike, me ndjesi faji dhe përdëllim poetik. Tek ai flurimet nuk e humbasin asnjëherë forcën, ai largohet nga e pakufishmja për të qenë vetë i pakufi; largohet nga e fshehta për të qenë i pranishëm; bëhet lehtësisht i goditur nga e vërteta dhe ndjell retë e mëritë e gjithë botës pr t’i shërbyer asaj përmes sinqertetit, që është kaq i paktë në këtë botë të brishtë, të pasigurtë dhe me lumturi kaq të përkohshme.
Ditët e para të pas 29 nëntorit 1944 poeti i kalon në dy familje të ndryshme nga bindjet dhe prirjet, por me të përbashkta: dy familje t vjetra shkodrane, të pasura, me trashëgimi të herëshme, të besimit katolik, me banesat jo shumë larg njëra tjetrës ; në 29 nëntor do të jetë tek Gjovalin Luka – një tjetër idealist i pakërkund shoq, ku nëna e shtëpisë u bën në atë ditë të shënuar një ëmbëlsirë të vjetër shkodrane, që quhet ” haxhimakulle” , dhe në tryezë do të jetë me Ramiz Alinë, dhe pak ditë më pas, ndoshta të nesërmen, tek familja Topalli, ku do të jetë bujtës i disa ditëve. Në të dy shtëpitë do të jetë i mirëpritur, i besuar, ndjellës i së mirës, i fjalës së paqtë, mirëbesimit, pasi donte larushinë e botës.
Ai e donte botën pa urrejtje, dhe kjo për të ishte gjë e zakonshme, e natyrshme dhe e domosdoshme, sepse, në honet ku e hodhi vrazhdësia ai e kishte përjetuar atë. Njëkohsisht donte një bot të dashuruar, sepse, si shkruante dikur, të jetosh pa dashuri, është një gjë e pamundur, lumturisht e pamundur.
Njëri nga shenjtët më pak të njohur tek ne, Shen Anselmi thonte dikur se ” të vësh një libër në duart e një të padituri është po aq e rrezikshme sa të vësh një shpatë në duart e një fëmije”.
Kështu ndodhte edhe me ato që kishin nëpër duar librat e Petro Markos.
Në vitin 1991 Petro shkoi të pushonte përjetësisht në Dhermi, aty ku dëshironte dhe që ia kishte lënë amanet Moikom Zeqos, Xhevahir Spahiut dhe Bardhosh Gaçes. Dy poetëve dhe studjuesit të njohur. Nuk ia kishte lënë amanet qeverisë, por miqve poetë, se poetët e mbajnë fjalën e dhënë një poeti – mësues.
E kam takuar pak herë, më shpesh në klubin e gazetarëve dhe në kafe me Moikomin. Një herë më tha se ” yt atë ishte i parakohshëm, ti përpiqu të gjesh kohën tënde”.
Nuk është më.
Më është kujtuar sonte një dijetar i shquar, Platoni, i cili donte të ngushëllohej për vdekjen e Sokratit, duke e përfytyruar se mësuesi i tij vazhdonte të punonte.
Mjerisht ne nuk kemi asnjë Platon. Shteti hesht para së bukurës. Megjithëse e bukura është e përjetshme
E pyetën një her shkrimtarin e shquar Bernard Shaw nëse besonte që Biblën e kishte shkruar Shpirti i Shenjtë.
Ai u përgjegj se, ” Çdo libër që ia vlen ta rilexosh është shkruar nga Shpirti”.
Dhe librat e Petro Markos, si e thamë, janë shkruar nga Shpirti.
Ai ka sjellë Zotin brenda Letërsisë.
Zotin e së mirës, të bukurës, të paqtës, që është befasisht edhe i qendresës dhe mosthyerjes.
Për Vinçens Prennushin
Pjesë nga esse-ja kushtuar poetit Vinçens Prennushi
Vinçens Prennushi kurrë nuk mund ta kishte menduar se do të vdiste si një martir.
I paqtë në shpirtin e tij, serioz dhe i ditur, i pasionuar pas arteve dhe mirëbërës i habitshëm, kurrë nuk mund ta kishte menduar se fundi i jetës së tij do i përngjante një kalvari të pafund, të mundimshëm dhe të gjakuar.
Prennushi do të ishte ndër të ata prelatë që e mundte komunizmin me paqe!
Ai vuan se mos shokët e qelisë së madhe, ku njerëzit janë shtrirë bri njëri tjetrit, sa nuk mund të lëvizet më tej, nga njëri cep në tjetrin, nuk e njohin për vëlla , se mos të bashkëdënuarit nuk shohin edhe përtej syrit dhe të tashmes së tyre.
Vuan nga vuajtjet e të tjerëve dhe nuk e njeh dhëmbjen e tij.
Është i kryqëzuar në fatin e tij, solemn para çastit të fundit, pa asnjë lloj pendimi e, për më tepër, pa asnjë lloj mërie.
Çdo gjë e ka bërë mirë, është munduar për më të mirën e mundshme, jo vetëm si prift, por mbi të gjitha si njeri, është përpjekur “ për të dashtunën botën tonë”, ka bërë çka mundur për të sjellë paqe mes njerëzve, pjesë përsosmërie të shpirtit.
E shumëfishtë është veprimtaria e tij, hapësirë e pamatë, trazuese, por kurrë shpërthyese. Ajo do të shtrihej që nga përmbledhjet e para virtuoze të Visareve të Kombit, më pas poet, i njohur në përkthime, drama, vepra fetare, përshtatje poetike dhe botues i klasit të parë, njësues i gjuhës dhe drejtues i revistave famoze ; për të dhe rreth tij do të shkruajnë figurat më të njohura të kohës, atdhetar i klasit të parë, përbashkues i mendimit kombëtar, orator i shquar, njëri ndër prelatët më të lartë të Kishës katolike, drejtues i saj n fillimin e viteve të errta për ekzistencën e saj, e në fund, si të mos mjaftonin të gjitha këto, martir i saj.
Tepër i madh qëndron ai në shikimin tonë të përditshëm, lartësia e tij nuk sheshohet dot, pasi adhurimi i tij për Shqipërinë shndërrohet në një dashuri të flakët; vetëm duke depërtuar në shpirtin e tij, në zgafellat aspak të mistershme, mund të kuptojmë ndjenjën e thellë të Vinçens Prennushit për njerëzit dhe njerëzimin, afërsinë njerëzore që të afron, dhe, që, befasisht, aq mrekullisht , shfaqet në poezi.
Heronjtë dhe heroinat e poezive të tij, përfytyroj këtu vajzën që, duke dalur hëna ndër bajama, rri e qëndis flamurin e Shqipërisë, dashurinë e saj të pakrahasueshme me asgjë tjetër, janë si ato që në një vend tjetër i paraqet poeti i madh gjerman , Gëte, në formën e tyre më të lartësuar, që edhe në çastet sublime ata gjejnë kurajon për të dëshmuar dashurinë për jetën dhe atdheun që i takojnë.
Poezia e Prennushit, përgjithësisht didaktike, ngjason me ato të poetëve të tjerë nga rradhët e krijuesve të botës së krishterë katolike, sidomos të prelatëve të saj. Ajo ka veçantinë që, si pak herë të tjera, më shumë shijohet duke e dëgjuar, se sa gjatë leximit, pasi është ngritur që në zanafillë si e tillë: për t’u deklamuar, për të qenë pronësi e të tjerëve. Ajo bëhet më e afërt pikërisht kur rizgjohet, e atëherë ka çastin e saj më intensiv jetësor, bëhet pjesë e së prditshmes, fiton madhësi të reja.
Gjthë format e dukshme të shpien nga i njëjti qëllim, përkryerja, çka ia jep edhe besimi dhe devotshmëria e tij; ndjenja, dhe ata e ndjejnë jetën dhe pasqyrimin e saj; besimin, pa të cilin tek Prennushi asgjë nuk ka vlerë; gurgullimën e jetës, si shenjë lumturie dhe vuajtje në të njëjtën kohë; Prennushi është më i madh si Njeri se sa si poet, por poetika e tij e lartëson si Njeri.
Shikoni portretin e tij: është ndër më fisnikët që mund të paraqitet. Është tipike qytetare shkodrane, me sytë që shkëndijojnë dhe të sjellin qetësi, shikimi i paqtë dhe qetësues, zhbirues , por jo gërryes; gjithçka e hapur, disi qiellore, si të donin të paralajmëronin fundin e tij; një burrë i pashëm që ndjell mirësi dhe tek i cili mund të kesh besim të pafund.
Portreti i tij të afron, të ndjell qetësi, ai, aq sa duket si njeriu i lartë e Kishës, aq është edhe përshfaqja fisnike njeriut që të beson dhe që, po ashtu të grisht drejt besimit. Në sytë e tij, në të gjitha portretet e njohur, edhe në çastet më sublime, ka mirësi, duket sikur aty është feshur shpirti i shenjtë i njeriut dhe i poetit në të njëjtën kohë. Është një shkëlqim që të grish, të cilit i afrohesh pa droje dhe që ke dëshirë ta ndjesh.
Kur e shikon portretin e tij përshtypja e parë është mirësia, ndërsa ajo wqë vjen pas saj është stoicizmi. E ndjen se ky njeri nuk mund të thyhet dhe se rrugës që i është përkushtuar domosdo nuk do e braktisë, sado të mundismhme do të jenë çastet e saj. Për të përgatitur veten për Golgotën që e pret ai i kushtohet poezisë, por nuk është ajo jeta e tij; është diçka mes qendresës që do i duhet më pas, kur jeta e tij do të jetë në zgripin e pa mëdyshuar, por edhe qetësim i shpirtit.
Të gjitha tiparet e tjera të portretit të tij i gjen në atë staturë njerëzore që mund të quhen “zotërinjtë e Shkodrës” dhe që e gjen në të gjitha besimet e atij qyteti tolerant, të çuditshëm, kështjellës së mbretërve që do të bëhet edhe kështjella e njërit nga besimeve më të lashtë të botës, katolicizmit dhe që do të ketë më shumë martirë se asnjë qytet tjetër në botë, përfshirë edhe Jeruzalemin.
Nëse Roma do të ishte dhe vazhdon të jetë vatra ku krishtërimi buloi si askund deri sa u kthye në kryeqytetin e tij, Shkodra, pak më tej në hartën e botës do të jetë qyteti i dhëmbjes së krishterë, vendi ku përjetimi i shkeullit të par të ndjekjes së Apostujve, do të përsëritej dy mijë vite më pas dhe do të jetë shembulli i pazakontë në historinë e Njerëzimit.
Janë dy shembuj torturues që mund ta përligjin fjalinë e mësipërme. Nga 31 poetë, dramaturgë, përkthyes, njerëz të artit të pushkatuar nga regjimi komunist 9 prej tyre ishin prelatë katolikë, në të gjitha rangjet. Mes tyre Vinçens Prennushi, atë Gjon Shllaku, atë Anton Harapi, dom Lazër Shantoja, Dom Ndre Zadeja, Imzot Jul Bonati, atë Nikollë Gazulli, atë Benardir Palaj..të gjithë nga emrat m të shquar të shkencave shqiptare, disa nga të cilët kishin në momente të veçanta aktivë në polikë, por që ajo kishte qenë kurdoherë pasuesja e jo domehtënia e jetës së tyre.
Nga 146 artistë,shkrimtarë,poetë,dramaturgë,përkthyes të burgosur, ekzekutuar apo vdekur në internim, një e katërta kanë qenë priftërinj të besimit katolik dhe më shumë se kaq i takojnë këtij besimi…
Prennushi do të jetë njëri prej tyre. Ndoshta më i shquari. Në listën e më të lartëve të hierarkisë kishtare. Intelektual i përkryer, njohës i disa gjuhëve, sidomos i gjermanishtes, e pasionuar pas muzikës, sidomos Mozartit dhe Bethovenit, ai me të një
ëjtin pasion grumbullon visaret e kombit, sidomos në Gegëri, ku edhe e shkon jetën e tij, pa harruar dashurinë e të pamatë për viset e tjera shqiptare.
Prenushi do të jetë bashkëkryetari i parë i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë të vitit 1946, sëbashku me një tjetër emër të njohur, Sejfulla Malëshova dhe që do të kenë të njëjtin ërfundim, vetëm se njëri, Prennushi, do të vdesë i kryqëzuar si Ati i tij shpërtëror, ndërsa tjetri, malishova, i internuar, në një vetmi të madhe; do të jenë dy jetë dhe bindje të kundërta që do të ndëshkohen njëlloj: Malishova komunist i bindur, fanolist dhe kjo e bashkonte paska me Prennushin, që ishte mik i afërt i Gurakuqit dhe i Fishtës, që të dy fanolistë; Malisova do të ishte ndër krerët e komunizmit në Shqipëri, por jo hakmarrës, liberal në strofkën nga nuk do të dilte më veçse i sakatosur; Prennushi ishte e kundërta e tij, ai i takonte njerëzve që besonin në Atin e tyre të Shenjtë, por , kur u bashkuan, në pasjetën e tyre martire, megjithëse kishin iluzione të ndryshme, nuk e mendonin se fundin do e kishin të njëjtë.
Prennushi do të vdes i martirizuar, gjithnjë me antkhin se mos sakrifica e tij nuk ishte e mjaftueshme, Malishova i braktisur, i përcjellë me një karrocë komunale dhe i mënjanuar nga një botë e tërë, që kishte kujtuar se ishte bota e tij.
Edhe në akthet e fundit, i përpëlitur nga dhimbja e pazakontë, prag vdekje, me shpinden e gjakosur nga dërraset e dyshemesë ku ishte shtrirë, si të kërkonte shartet e fundit, ai vuan se mos nuk kuptohet nga njerëzit e tij , se mos ajo që po heq nuk është e mjaftueshme për të dëshmuar sakrificën, belbëzon se ” gjithmonë kam menduar me ba mirë”, motivi i jetës së tij, sheh të vetë të munduar dhe vuan se nuk i ndihmon dot, e di fare mirë se gjithçka që ka filluar nuk është asgjë tjetër veçse Golgota e vuajteve, por, si heroina e tij, nuk shterr forcën për të dhënë përgjakimin e fundit shpirtëror: jetësimin e tij për vizionin e tij misionar.
Asnjë poet tjetër nuk mund të kishte parashikuar një fund të tillë për vete, se sa Prennushi me poemthin e tij.
Është vizionar, misionar, martir dhe kryengritës pa asnjë armë tjetër veç shpirtit të tij.
Madhëshia e tij e ndoqi pas gjithë jetën,, por asnjëherë ajo nuk u dëshmua më fuqishëm se sa në vdekjen e tij.
E pamohueshme është tani lavdia e tij.
PËR FISHTËN DHE MJEDËN!
Ata që e kanë njohur , qoftë edhe një herë, poezinë e Mjedës apo të Fishtës, dy nga figurat më të njohura të viteve’30 të shekullit të shkuar, nuk e kanë harruar asnjëherë.
Ka disa shkaqe për këtë.
Poezia e tyre është e natyrshme, dhe është e njëjtë sikurse pema çel lule, si bora që bie, erërat e mëngjesit, pikëzimi i brymës si kristalinë, e qeshura dhe dhimbja.
Asgjë nuk është jashtë të natyrshmes në poezinë e tyre. Shpesh herë ajo është një melos tingëllues dhe therës, brengë dhe çlirim, fillesë jete dhe përfundimi i saj, rruga e gjatë dhe e lodhshme , ashtu si përdurimi i mundimit; poezi substanciale, të cilat, në vete, më shumë se sa një poezi, shfaqet si një filles enciklopedie.
Askush deri më tani nuk i ka vënë në diskutim vlerat e kësaj poezie; ata nuk kanë të bëjnë me përkohshmërinë e jetës njerëzore; lexuesi që ka një dromcë fantarie e ndjen se ata janë momente sinqeriteti të daltuara me ngulm, mjeshtëri dhe synimin e të përsosurës.
Poetitë e Mjedës dhe të Fishtës shijohen njëjtë si nga intelektuali i viteve të shkrimit të tyre, qoftë ai i diplomuar në Vjenë, – kjo ndodh me Çabejn dhe Poradecin_, ashtu edhe nga rrugëtari i zakonshëm, që ndoshta nuk i ka parë kurrë me sy librat e tyre, por i ka dëgjuar poezitë dhe mendja e tij ka lëvizur në një ritëm ndryshe.
Me përmendë emrat e tyre do të thotë të kesh ndër mend poetët klerikë që ishin shumë më tepër se kaq, vepra e tyre është aq harmonike sa mund të duket e pashmangshme dhe deri e pritshme.
Për to mund të perifrazohet pohimi i famshëm i Zotit – Ekzodi,3,14, ” Jam ai që jam”, sepse ata ishin pikërisht ata që janë: poetë që mbeten në kujtesën njerëzore dhe, duhet thënë, askush nuk është sot i shqetësuar nga lavdia e tyre.
Ata janë ndur gjatë në labirintin e fjalëve, duke i përzgjedhur ato, më të domosdoshmet, më të zakonshmet dhe duke i dhënë atyre pasaportën e jetësisë.
Ka një melodizim të poezisë së tyre sa që, më lehtë mund t’i këndosh . se sa t’i lexosh; ata të tingëllijnë në vete si arie të shkurta mozartiane, që nxitin fantazinë njerëzore.
Poezia e tyre i ngjan një ëndrre; një ëndrre të kontrolluar, të vullnetshme dhe aspiruese, por thellësisht një ëndërr.
Mjedën, brezi im, e ka njohur më parë dhe e ka njohur gjithnjë në dritë, ndërsa Fishtën e ka takuar fshehtas, në mugëtirë e kjo e ka bërë edhe më ëndërruese takimin me të, si ndodh me gjërat e ndaluara.
Mjeda ishte për ne, në atë dritën e tij vullneti i lirë, thirrësi i lirisë dhe i vajit të bylbylit; Fishta ishte joshja për të takuar të ndaluarën, që dukej e pamundur.
Nuk e di se ku kam lexuar se në shkretëtirë të duket sikur je përherë në qendër.
Takimi me Fishtën të vendoste në qendrën e një bote tjetërsoj, që bëhej më e plotë dhe më e bukur kur e takoje atë në të njëjtën kohë poetike me Mjedën.
Mjeda mbetet i madh për nga imazhi, vizioni, ritmi, përsosja e vargut deri në grimcën e tij; Fishta është i madh në çdo pikëpamje!
PËR STENDALIN
Nuk mund të them se e kam njohur mirë Stendalin,kishte gjithnjë një mesore mes asaj që kërkoja dhe asaj që përcillej; sidomos në fillimet e ardhjes të përkthimeve të tij madhore, “Manastiri i Parmës” dhe ” E kuqja dhe e Zeza”, më është dukur se kishte gjithnjë një zgjatje të risjelljes së përjetimeve, ose ndoshta, në atë moshë kërkoja që gjithçka të zgjidhej më shpejt, pasi, si e përceptoja asaj kohe, dashuria duhet të ishte e furishme, e shfaqur, mrekullibërëse dhe e paduruar.
Më tej, kur i rikthesha atij, gjithçka përmbysej. Romanet e tij më dukeshin më të shkurtër nga sa i kisha në përfytyrimin tim, ngjarjet rridhnin më shpejt nga sa do të kisha dashur dhe, ajo që më ishte dukur në fillimet e para aq e bukur dhe e zjarrtë, tani më linte të ftohtë, ndërsa e kundërta ndodhte me ngjarjet që dikur më kishin rrëmbyer.
Stendali, gjithnjë sipas meje, nuk mund të përceptohet ndryshe, veçse si një lëvizje e vazhdueshme, rrëmbyese, përcëlluese e në të njëjtën kohë magjepse.
Zhyljen Soreli më ishte i afërt në fillimet e tij për një dashuri të pamundur, të rrëmujshme, tejet fshatarake, më tepër synim se sa ndjenjë; kokoroç i pandreqshëm, rebel i tulatur, merita e vetme e të cilit ishte se dinte përmendësh Librin e Shenjtë, flokëdredhur e bukurosh, i lakmuar e lakmonjës dhe, nëse dikush do më kishte thënë të afroja një ngjashmëri me portretin e tij, unë menjëherë do të kisha zgjedhur Sergei Eseninin; fshatar edhe ai, kokoroç dhe flokëderdhur, i lakmuar e lakmonjës, dashuronjës i krisur pa qenë i dashuruar dhe, nuk e di pse, isha i bindur , nëse Esenini do të kishte jetuar në Verier apo në Bezanson, menjëherë pas rënies së Napoleonit, do të kishte qenë i njëjtë me Zhylien Sorelin lakmitar, që e gjeti dashurinë pikërisht kur e humbi dhe e braktisi jetën kur ajo po i afrohej në një rritje të re.
Se deri asaj dite Soreli ishte një fëmijë i përkdhelur, shenjë lakmie, sfidë, si kishte qenë në fillimet e tij Esenini; dhe befas u bë burrë në një çast të vetëm; pikërisht atëherë kur , duke menduar se po vriste mërinë e tij, kuptoi se kishte qenë i dashuruar. Dhe, ashtu si do të ndodhte më pas me poetin rus, do të largohej nga jeta, duke e dashur largimin si shpagim për humbjen e tij, zbrastinë që kishte rreth vetes, moskuptimin e të jetuarit, mungesën e qëllimit dhe bjerrjen e të vërtetës: nga dashuria mund të largohesh, por nga ankthi i saj nuk shpëton.
Stendali nuk është një moralist i dorës së parë, ai është një vëzhgues i dorës së parë; ai nuk sajon, ai rrëfen, dhe e bën këtë aq mjeshtërisht sa mund ta ndjesh; nuk është i huaj ndaj asaj që ndodh, por pjesë; nuk vuan, por dëshmon vuajtjen; ai nuk i nënshtrohet instiktivisht synimit, por e sjell synimin tek ne si një gjë të kuptueshme; ai nuk e vret mendjen se për cilin shkruan, por çfarë sjell përmes shkrimit të tij; ai e do dhe nuk e do Lësjen Levenin , një kopje ndryshe e Sorelit, ai nuk është nga autorë që vuan me përsonazhet e tij, por ne na sjell dhimbje; në vete ka një kërkesë të brendshme, të qartë, për të ndriçuar gjithçka rreth përsonazheve të tij, të cilët i thyen kur do vetë ai, i ngre , kur i mbushet mendja, dhe me një qetësi të habitshme bën bilancin e tij.
E tërë Franca është në librat e tij; ajo Francë që dashuron si e çmendur, që rrëzon mbretër e markezë, që zbukuron botën përmes një revolucioni, që përmbys mbretër dhe ringre mbretër; që bën një mijë e një marrëzira e përsëri mbetet dinjitoze, e qartë, e mprehtë, dinake dhe e gatshme për rebelim.
Franca ka një milion Sorelë në çdo perudhë të jetës së saj, të gatshëm për rebelim, për duale qesharake dhe beteja madhështore, dhe Stendali është duelisti i kohës, i dashuruari i momentit dhe vëzhguesi gjakftohtë.
Askush si ai nuk bën përmbysjen përmes rrëfimit, nuk sjell imazhet e udhëtimeve magjepse, dramën e një bote që po bie dhe të një brezi që kërkon të ngrihet, për të zënë vendin e asaj klase që përmbyset, dhe që, si askund tjetër, këtë na e sjell Stendali, gjërat nisin me ide të mëdha, vizione përmbysëse dhe kthehen në një çikrrimë të zakonshme, të përsëritura nga njëri brez në tjetrin. Ose e kundërta, nisen nga hiçi për të qenë madhështore.
Sa më shumë që të lexosh Stendalin, aq më shumë e do pranë vetes.
Ai nuk është besimtar i pamasë dhe i fantaksur si Tolstoi, nuk ndërton fushëbeteja të madhërishme si Balzaku, nuk e trondit bota cigane si mikun e tij Prosper Merime; ai është dishepulli i botës së tij që vetë e krijoi dhe, nëse na bën pjesë në një cop herë të jetës sonë, atëherë duhet kuptuar se nuk të bën dhuratë, por të ka detyruar.
Stendali është i magjishëm në ndërlidhjen e tërheqjes absolute me botën e shpirtit; ai të josh përmes skenave dhe të ndjell dëshirën për të ditur më tej. Një botë e zvetnuar bie nën këmbët e tij si gjethet e vjeshtës; një botë e tërë është e destinuar të zhduket ose të transformohet; dyert që nuk janë hapur ende , dashur pa dashur, do të shkyhen në një mijë grimasa; ai nuk të përkdhel, ai të godet; nuk të jep dorën të ngrihesh, por të tregon se ka rrugë për të bërë ringritjen tënde dhe kjo nuk është mëshira…
Thuajse kurdoherë mbresat më të vona i mjegullojnë ato më të herëshmet; ata e zbrapsin njëra tjetrën, mirëpo tek ritkhimi i Stendalit, pra kur ne rikthehemi tek ai dhe na duket se ai vetë vjen tek ne, asgjë nga ajo që ke pasur në vete nuk ndryshon.
Magjia mbetet.

Faleminderit i nderuar Beri Islami, per kete shkrim ne nderim te figures se,*Luftetari e Spanjes*sa kryePENA e atdheut tone Petro Marko. Nje jete prane tij, pas clirimit, me kujtimin me te ralle,(une drejtor shkolle),shoqeruar mes Malesise Tiranes,,Zal-Mner Zal_Dajt, per marien e subjetit te ROMANI *ARA ne MAL*1966-67.(dihet si u prit nga suoestrukturat e kohes..) . I perjetshem kujtimi Tij.Faleminderi Qytetit Vlores, ndeuar, vene emrin *PATRO MARKO* Bibliotekes se atij qyteti.
Toronto 22-01-2021- Pasuesi Veteran-85 vjecari.
Guri Naimit D.(Dh Xh>)