Urimi i Nishanit: Krishtlindjet janë festa e … Ringjalljes!

redaktor

Sot është festa e madhe e Krishtlindjeve, ku me mijëra besimtarë katolikë dhe ortodoksë në vendin tonë e festojnë sot festën më të madhe dhe më të rëndësishme të krishterimit. Të gjithë besimtarët në gjithë botën festojnë lindjen e Jezu Krishtit, dita e shpresës, paqes dhe dashurisë njerëzore.

Këtë ditë e ka uruar edhe Presidenti Nishani i cili, me qëllim ose jo ka ngatërruar me Pashkët ditën e Lindjes së Krishtit.

Më poshtë urimi i Presidentit që është publikuar në faqen e presidencës:

MESAZHI

Të dashur, të nderuar dhe të respektuar, besimtarë kristianë,

Ju uroj nga zemra;

Gëzuar Krishtlindjet.

Gëzuar ditën e shenjtë të Ringjalljes.

Gëzuar këtë festë të madhërishme që ngroh zemrat, ndriçon shpirtrat, kthjellon mendjet.

Krishtlindjet, duke qenë festë e Ringjalljes, janë vetvetiu edhe festë e shumëçkaje tjetër që Ringjallja nënkupton dhe përcjell; festë e urtësisë, mirësisë, mirëkuptimit, afrimit, pajtimit, paqes, gjallërisë, zbukurimit dhe begatimit të jetës.

Festa e Krishtlindjeve këto i arrin përmes evokimit të virtyteve më të larta njerëzore; dashurisë, mëshirës, respektit, mirësjelljes, qytetarisë.

Kjo festë e shenjtë, na jep rastin të dëshmojmë se detyrimet e pashmangshme njerëzore nuk i harrojmë por i kujtojmë. E jo vetëm i kujtojmë, por edhe i zbatojmë.

Të tilla detyrime, që përmes kësaj feste kujtojmë dhe ripërtërijmë, janë mes tjerash; Ndjeshmëria ndaj njerëzve fatkeqë dhe në nevojë; obligimet ndaj të moshuarve, përkujdesjet ndaj të sëmurëve, të braktisurve; mëshira për të vobektit dhe gatishmëria për t’i ndihmuar ata dhe të tjerët të ndjehen njerëz si gjithë njerëzit, etj.

Për të gjitha këto, na duhet shumë punë, që patjetër duhet t’i kryejmë, dhe shumë sakrifica, që patjetër duhet t’i vuajmë. Se vetëm ashtu do dëshmojmë para vetes dhe Krijuesit, se jemi njerëz dhe mëshirën e Tij e meritojmë.

Urimet më të sinqerta për një krishtlindje të kthjellët, të begatë, dhe shpresëdhënëse për të gjithë.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *