Lojtari më i mirë në botë duhet të jetë njëherazi edhe lojtari më i paguar në botë. Këto ishin fjalët e presidentit të Barcelonës, Sandro Rosell pak ditë më parë, në përgjigje të zërave për pakënaqësi të Leo Mesit në lidhje me pagën. Presidenti i qëndron mendimit të tij dhe si dhuratë krishtlindjesh ka vendosur t’i bëjë argjentinasit rinovimin e kontratës me kushte të përmirësuara. Aktualisht Mesi nuk fiton pak, plot 16 milionë euro në vit, falë një kontrate që e ka nënshkruar vetëm pak muaj më parë. Por edhe pse ka një pagë mjaft të lartë, në shtyp u shfaqën zëra të ndryshëm që flisnin për xhelozinë e tij kundrejt Neimarit, i cili u përfol si më i paguari te Barcelona. Kulmi erdhi pas rinovimit të Kristiano Ronaldos me Realin për 17 milionë euro neto, çka e bën atë futbollistin më të paguar në botë, me një milion më tepër se asi i Barcelonës. Mesi kurrë nuk e ka shprehur publikisht kërkesën për rinovim, por ai që foli në publik ishte zëvendëspresidenti ekonomik i klubit, Javier Faus, i cili tha se “nuk mund të rinovojmë çdo gjashtë muaj”. Argjentinasi iu përgjigj në distancë se “Faus nuk merr vesh nga futbolli” dhe se “kurrë nuk kam kërkuar rritje page”. Megjithatë, Rosell, duke mos dashur që asi i tij t’i largohet drejt ndonjë klubi sheikësh, ka vendosur të bëjë sakrificën më të madhe, duke i ofruar rinovimin. Këtë e ka zbuluar e përditshmja sportive spanjolle “AS”, e cila thotë se tashmë gjithçka ka përfunduar, presidenti dhe lojtari kanë rënë dakord dhe kontrata e re do të nënshkruhet në ditët e para të janarit, sapo Mesi të kthehet nga Argjentina, ku është duke u riaftësuar pas dëmtimit të pësuar një muaj më parë. Interesant është fakti se për Mesin do të jetë rinovimi i gjashtë që nga viti 2005, kur nënshkroi kontratën e parë si futbollist profesionist. Gjithashtu, Rosell është i vendosur t’i mbyllë derën edhe çdo çdokujt që do të guxojë të tentojë për të marrë lojtarin më të mirë të botës. Kontrata e re, e cila skadon më 2018, ka një klauzolë lirimi prej 250 milionë eurosh. Kohët e fundit është përmendur emri i Manchester City-t, ndërsa në verë u fol për një ofertë marramendëse të Bajernit të Guardiolës, mbështetur nga Adidas, që dëshiron të largojë klientin e saj më të mirë nga skuadra që sponsorizohet nga Nike. Por, tani vështirë se dikush do të ishte gati të paguante 250 milionë euro për një lojtar, i cili, edhe pse ka qenë dominues absolut i skenës, në vitin që po mbyllet ka shfaqur probleme me dëmtimet e përsëritura muskulore, aq sa ka ngritur edhe dyshime për një mbyllje më të hershme të karrierës së tij.
Bosët e futbollit
Kristiano Ronaldo (Real) 17 milionë
Lionel Messi (Barcelona) 16 milionë
Zlatan Ibrahimoviç (PSG) 14 milionë
Radamel Falkao (Monako) 14 milionë
Thiago Silva (PSG) 12 milionë
Wayne Rooney (Man Utd) 11,5 milionë
Eden Hazard (Chelsea) 11,2 milionë
Robin Van Persie (Man Utd) 11 milionë
Gareth Bale (Real) 11 milionë
Yaya Touré (Man City) 11 milionë
* Shifra e mësipërme tregon pagën neto që lojtarët marrin nga klubet dhe jo të ardhurat vjetore në total që vijnë edhe nga burime të tjera
