Nga Agim Danga
Sa keq…
Sa keq për rininë sot!
E hutuar, e droguar;
Sa keq për rininë sot!
E frustuar, e tërbuar;
Sa keq për rininë sot!
Plot modë, pa shije;
Sa keq për rininë sot!
Pa dritë, pa dije;
Sa keq për rininë sot!
Pa zell, plot mllef;
Sa keq për rininë sot!
Stërkëmbësha mësuar,
Sa keq për rininë sot!
Plot hile gatuar;
Sa keq për rininë sot!
Pa emër, pa vlerë;
Sa keq për rininë sot!
Pa botë, pa Atdhe;
Sa keq për rininë sot!
Pa jetë, pa fole;
Sa keq…!
—————
Formalizëm i Paformalizuar
Formalizëm i pa formalizuar,
Kostume veshur nga njerëz të zhubruar,
Provincializëm i formalizuar
Në rrugë, klub, zyrë e foltore të nderuar,
Shiko ti, o qytetar i fshatarizuar!
Sistem arsimor i paedukuar,
Me universitete e profesorë të plagjiazuar,
Me të rinj dëftesëpajisur por të pashkolluar,
Me fëmijë formuar nga mësues të pamësuar,
Mjerë ti, o i ri i paorientuar!
Treg ushqimor në baltë magazinuar,
Plot me fshatarë që tokën lënë pa lëruar,
E me policë që luajnë “Kape se të zura”,
Që qytetar të mjerë fort e kanë trysnuar,
Ej, çfarë milleniumi i uruar!
O male që shumë histori keni duruar,
Për të ruajtur të lashtën histori pa e rrënuar,
Malësorin shtatlartë hundë e buzë lëshuar
Për leckash e kapni për të mos e lejuar,
Oh, ç’malësor i rrënuar!
Spitale plot ngjyra (zhgj)ëndrrash zbukuruar,
Me manekinë në të bardha ndërruar,
Pacienti në termin “Mall” shndërruar
Thertore që Hipokratin fort e kanë dhunuar,
O i sëmuri shqiptar, kaq keq çengeluar!
Pa shiko! Dhe shqipja fjalë e digjitalizuar,
Për tru të mpirë e mbajtur të gozhduar,
Gjiganden botë për të reflektuar,
Që gjurmë humane për të mos lejuar,
O trumpiri im shqiptar, sa shumë je mjeruar!
Vend i mbytur në art që në Ilirinë e mëkuar,
Me artistë provues sfidash e sa të frustruar,
Që gati janë thesar të shesin nën dorë
Por jo shkarravitjen e tyre të shëmtuar,
O ti art Ilir, kaq keq shqiptarizuar!
O ushtar i Atdheut tim të tradhtuar,
A je shtyllë e vendit apo degdisur, rrënuar?
Ushtri me gjeneralë tregëtarë lulëzuar,
E me ministra kaq keq dizajnuar.
O i paformalizuari im Atdhe!
Prill 2018
———–
VIÇIT
Nga Robert Burns
Në rregull zotëri, fjalën po ta quaj të vërtetë,
Megjithëse tërë heretikët mund të qeshin.
Për shembull, t’ju shikojmë Ju – ja tani,
Një Viç i çuditshëm që të tërë budallallëk i veshin.
Dhe nëse ndonjë Sundues do të ishte aq i mirë,
Sa t’ju bënte të lumtur në të shenjtin pallat,
Dyshoj tani, zotëri, por më vonë do ta gjejmë,
Se akoma je po aq i madh sa një Muzat.
Dhe nëse të dalldisurat orë të dashnorit,
Si fatin tënd ndonjëherë do t’i kesh,
Ndalojeni atë, ju, o fuqi hyjnore!
Ti ngaherë një Dem duhet të jesh.
Megjithëse ndonjë, gruaja që do të martohesh,
Pasurinë e tëndit pallat të bukur adhuron,
E njëjta gjë ka për të qenë, ndonëse mund të mbani
Fisniken kokë me brirë, o sa shumë ju shkon!
Nëse në veshin tënd, i përhirshmi Xhejms,
Do të bjerë kjo e ulëritur a e pëllitur
Pak mendjeshëndoshë do dyshojnë në këtë kërkesë
Që në mes të bagëtisë të jesh i rradhitur.
Dhe kur me të vdekurit të numëroheni,
Poshtë një kodrine plot bar si i padëmshëm,
Mbi kokën tuaj me drejtësi do të tregojnë-
“Këtu shtrihet një Buall i Famshëm!”
Përktheu: Agim Danga
