Rregullorja e detajuar si do zhvillohen provimet online për studentët

Ornela

Ndonëse procesi mësimor në universitete po vijon online, studentët do t’i përfundojnë në kohë provimet e sezonit të dimrit. Universiteti i Tiranës ka detajuar tashmë rregulloren e veçantë, ku përcakton rregullat që do të zbatojnë fakultetet për zhvillimin e provimeve online për të gjitha ciklet e studimit. Rregullore kjo që do të jetë në fuqi vetëm përgjatë kohës që viti akademik realziohet në kushtet e pandemisë së Covid-19.

Në rregullore përcaktohet se për çdo provim që do të zhvillohet online, do të caktohen dy data të njëpasnjëshme, për t’i krijuar kështu mundësinë e kryerjes së testimit edhe studentëve që mund të kenë probleme të ndryshme, qofshin ato shëndetësore, familjare, të vështirësive në përdorimin e internetit, apo edhe të funksionimit të pajisjeve elektronike. Studentët do të lejohet të marrin pjesë vetëm në njërën prej datave të përcaktuara. “Për të hyrë në sezonin online të testimeve studentët nuk do të bëjnë më regjistrim individual për provimin. Kjo pasi të gjithë studentët që kanë ndjekur mësimin online, që kanë riprovime dhe provime të mbartura do të regjistrohen nga vetë sekretaritë mësimore. Studenti duhet të marrë pjesë vetëm në njërën nga dy datat e përcaktuara”, përcaktohet në rregulloren e aprovuar nga Universiteti i Tiranës.

Zhvillimi i provimeve online

Autoritetet e Universitetit të Tiranës bëjnë me dije se provimet e sezonit të dimrit përgjatë muajit shkurt do të zhvillohen online në platformën “Microsoft Teams”. Sipas tyre në çdo rast kur testimet do të zhvillohen me gojë do të bëhet edhe regjistrimi i tyre, të cilat do të përdoren jo vetëm në rastet e ankesave të ngritura nga studentët për vlerësimet e marra, por edhe si dokumente për fakultetin përkatës. Po ashtu edhe të gjitha punimet elektronike të studentëve që janë për qëllime vlerësimi, do të duhet të regjistrohen në CD nga pedagogu dhe të ruhen më tej në departamente për qëllime të trajtimit të ankesave të studentëve dhe si dokumente për akreditimin e institucionit përkatës të arsimit të lartë.

Një tjetër rregull që parashikon kjo rregullore është edhe përfshirja e pedagogut të lëndës në zhvillimin dhe vlerësimin e provimit online. Kështu, çdo provim duhet të zhvillohet vetëm nga pedagogu që ka ndjekur lëndën gjatë procesit mësimor në distancë. “Nëse lënda mësimore është zhvilluar nga një pedagog, vlerësimi i arritjeve akademike të studentit nëpërmjet provimit do të kryhet vetëm nga ky pedagog që ka zhvilluar lëndën. Ndërsa kur lënda mësimore është zhvilluar nga dy, ose më shumë pedagogë, në vlerësimin e studentit nëpërmjet provimit duhet të marrin pjesë të gjithë pedagogët që kanë dhënë lëndën përkatëse”, detajohet në rregulloren e posaçme për procedurën e zhvillimit të provimeve online në Universitetin e Tiranës për sezonin e dimrit të vitit akademik 2020-2021″.

Për çdo lëndë të zhvilluar, pedagogu duhet që të informojë studentët për procedurën e provimit, detyrimisht deri në 10 ditë para përfundimit të mësimit online. Të njëjtën gjë duhet të bëjë edhe për detyrat që duhet të bëjnë dhe t’i dorëzojnë online studentët, të cilat do të jenë pjesë e vlerësimit përfundimtar të lëndës.

Kohëzgjatja e testimeve

Më tej rregullorja parashikon që pedagogu duhet të përcaktojë kohën e zgjatjes së provimit duke mbajtur parasysh formën e provimit, llojin e detyrës për provimin nga shtëpia dhe atë me dosje elektronike, numrin dhe llojin e pyetjeve të testit me shkrim. Si rregull kohëzgjatja e provimit me gojë do të jetë nga 10-15 minuta, për testin me shkrim 1-2 orë, ndërsa për provimin e kryer nga shtëpia 2 deri në 3 orë. Dy ditë para zhvillimit të testit, pedagogu duhet të njoftojë studentët për datën dhe orën e testimit, si dhe procedurat që duhet të ndiqen gjatë zhvillimit të tij.

Identifikimi i studentëve

Sa i takon identifikimit të studentëve, në rregulloren e aprovuar nga UT përcaktohet se pedagogët duhet t’u kërkojnë studentëve që të dorëzojnë kopjen e kartës së identitetit nëpërmjet emailit dy ditë para zhvillimit të provimit. Ndërkohë që edhe nëditën e provimit ky dokument duhet të paraqitet nga studenti gjatë nisjes së testimit online.

Nëse ndonjëri nga studentët do të ketë probleme teknike me lidhjen online në platformën e caktuar, duhet që të informojë menjëherë pedagogun e lëndës me anë të emailit, teksa për rastet kur ndërprerja ndodh gjatë  përgjigjeve të testit me shkrim online, përgjigjet e dhëna do të ruhen automatikisht nga platforma, dhe studenti vepron më tej vetëm sipas udhëzimeve teknike të dhëna paraprakisht nga asistenti teknik i IT –së.

Është përcaktuar edhe koha e shpalljes së notave. Sipas afateve të përcaktuara, përgjigjet për testimin e çdo lënde do të bëhen publike pesë ditë pas zhvillimit të tij. Të pakënaqurit me rezultatet e shpallura kanë mundësi të ankimojnë notën, e cila duhet të bëhet nëpërmjet adresës së emailit.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *