Nëpër tallazet e jetës së Xhorxhi Robos

Ornela

Jovan Bizhyti

Ishin ditët e çlirimit, ditë festive, kur populli priste me brohoritje djemtë dhe vajzat që ktheheshin nga malet, nga lufta partizane, duke sjellë lirinë në vatrat shqiptare. Dhe qytetet e krahinat e Shqipërisë po çliroheshin një e nga një. Midis tyre, sapo ishte çliruar dhe qyteti i Beratit dhe e gjithë Myzeqeja.

Berati, ato ditë të para të çlirimit, ishte përkohësisht kryeqytet i Shqipërisë, pasi aty u krijua e para Qeveri Demokratike e sapo dalë nga lufta, deri sa u çlirua plotësisht Shqipëria në 29 nëntor 1944 dhe kur Tirana, kryeqyteti “de fakto”, u bë gati të priste pushtetin e ri të popullit.

Në Berat, Xhorxhi Robo punoi si drejtues partie i qarkut, së bashku me shokun e tij të luftës, Reiz Malile. Aty ishin hapat e tij të para si drejtues i pushtetit të ri dhe punoi me shumë përkushtim, me shumë respekt e dashuri për njerëzit e mirë, punëtorë e patriotë të Beratit. Ishte i paanshëm në zgjidhjen e halleve të njerëzve, që në atë periudhë ishin të shumta. Në Berat krijoi dhe familjen e tij të re me Mellaninë, vajza e Jani dhe Varvara Trujës, një familje patriotësh të nderuar dhe të lidhur ngushtë me luftën Nac.Çl.

Në vjeshtën e vitit 1947, Xhorxhi Robo transferohet në Tiranë, në Komisjonin e Kontrollit të Shtetit, me detyrën drejtor i pushtetit lokal. Vendi ato kohë ishte i varfër e i shkatërruar nga lufta dhe planet një e dy vjeçare, kërkonin mobilizim të popullit si në qytet e në fshat. Edhe kuadrot, kryesisht të rinj, të sapo dalë nga lufta partizane, kërkohej të ishin kudo e kurdoherë pranë njerëzve, për të zgjidhur hallet e problemet e përditshme.

Në vitin 1949, Xhorxhi Robo komandohet sekretar i parë i partisë në rrethin e Lushnjes, pas shkarkimit të shokut dhe bashkëluftëtarit të tij të luftës, Hasan Gina, për “Gjëndjen e sëmurë në Lushnje”. Kështu u cilësua nga udhëheqja e lartë e Partisë në atë kohë situata e krijuar në Lushnje, pas konstatimit të një sërë dobësish e mungesash në punën drejtuese të Komitetit të Partisë të rrethit. Përgjegjësia iu ngarkua sekretarit të parë, Hasan Gina, për mos ndjekje të problemeve, për hatëre e miqësira, si dhe për zbutje të luftës së klasave. Xhorxhi Robo u dërgua për të përmirësuar më tej punën si myzeqar dhe njohës i mirë i njerëzve dhe i terrenit të Myzeqesë.

Myzeqeja në atë kohë të pas luftës kishte shumë halle e probleme, si dhe e gjithë Shqipëria. Bujqësia ishte në kolaps, për mungesë bonifikimi dhe të rrjetit ujitës, ku dimri përmbytëte tokat fushore dhe thatësira e verës zhuriste gjithçka. Fshatarët, sapo kishin nisur të gëzonin tokën e tyre nga “Reforma Agrare”, që nisi në Gorre të Lushnjes në 1945, ku Enver Hoxha ndau tapitë e para të tokës fshatarëve myzeqarë. Kjo krijoi fillimisht dhe konflikte me pronarët e ligjshëm, që ishin familjet e bejlerëve, dhe që pushteti i ri komunist i shpronësoi. Në fshatra, sapo ishin ngritur kooperativat e para bujqësore dhe ky aksion vazhdonte në gjithë rrethin. Fshatarët nisën t’i gëzoheshin punës së përbashkët kolektive, që ishte një formë e re organizimi. Sëmundja e malaries ishte shumë shqetësuese, veçanërisht në masën e fshatarësisë dhe analfabetizmi shfaqej me mungesën e shkollave dhe të kuadrove të arsimit. Pra, pushteti i ri kishte përpara një mal me probleme që kërkonin zgjidhje, ndaj populli i mbështeti reformat dhe mënyrën e organizimit për një të ardhme e mirëqënie më të mirë.

Xhorxhi Robo, si djalë myzeqar që ishte, e njihte shumë mirë gjendjen e rrethit dhe nisi punën së bashku me kuadrot e tjerë për t’i çuar përpara këto angazhime të sapo nisura. Por nuk kaluan veç katër muaj dhe ky komandim në Lushnje u ndërpre, pasi nomeklatura e lartë e ktheu përsëri në Tiranë në detyra më të larta, në aparatin e KQ të Partisë. Në Lushnje e zëvëndësoi, Mihal Bisha, edhe ky një kuadër i luftës. Xhorxhi Robo ato kohë, shihej si një kuadër i ri dhe me perspektivë. Kish mbaruar që para luftës Normalen e Elbasanit, por ndihej nevoja e arsimimit të lartë. Dhe në shtatorin e vitit 1956, dërgohet në shkollën e lartë, “Vladimir Iliç Lenin” në Moskë për tre vjet. Në atë shkollë shkuan 14 shokë e shoqe nga Shqipëria. Udhëtimi u bë me avionin e linjës së Budapestit dhe prej andej po me avion deri në Moskë. Moska një qytet i madh e i lashtë, me ndërtime karakteristike të lindjes dhe me rrugë e parqe të bukura, ku në dimër mbulohej nga qyrku i bardhë i dëborës dhe në pranverë e në verë me gjelbërim e lule shumëngjyrëshe.

Edhe ambjentet e shkollës, ishin të rrethuara me godina të bukura e një park i madh shlodhës plot gjelbërim. U sistemuan në konvikte komode, ku studentët shqiptarë jetonin në dhoma dyshe së bashku dhe me studentë rusë,

për të përvetësuar sa më shpejt gjuhën ruse. Xhorxhi kishte në dhomë një shok rus nga Briansku. Edhe ai kish qenë në radhët e ushtrisë ruse në luftën e Dytë Botrore dhe kishte luftuar në shumë beteja kundër nazistëve gjermanë, ku dhe ishte plagosur në shpatull. Për trimëri e heroizëm në këto beteja, ai kish marrë dhe shumë medalje e dekorata trimërie. Quhej Vasili Kavaliov, shok shumë i mirë, i dashur e energjik.

Gjatë pushimeve të verës, studentave shqiptarë u krijonin mundësinë të ktheheshin pranë familjeve në Shqipëri, pasi shumë prej tyre ishin familjarë. Në verën e vitit 1957, Xhorxhit i erdhi bashkëshortja, Mellania, për disa javë me pushime në Moskë. Ishte një surprizë e bukur dhe kaluan çaste të paharruara. Vizituan shumë vende piktoreske të Moskës, parqet e bukura e madhështore, “Sheshin e Kuq” të Kremlinit, Muzeleumin e “Lenin-Stalinit”, Universitetin “Lomonosov”, ndoqën disa shfaqje teatri në “Balshoi Teatër” e tjera.

Ato kohë në BS pas vdekjes së Stalinit, po ndodhnin ndryshime të mëdha, që më vonë krijuan çarje në mardhëniet Sovjeto-Shqiptare. Hrushovi, që pasoi në udhëheqje Stalinin, nisi një erë të re në politikën e brendshme e të jashtme të BS, në marrëdhënie me Amerikën e me vendet perëndimore të Europës, rehabilitoi Titon e Jugosllavisë, që deri atëherë ishte përjashtuar nga lëvizja komuniste botërore si bashkëpuntor me imperializmin dhe si revizionist. Po ashtu doli në skenën e politikës dhe goditja kundër figurës së Stalinit, me teorinë e “Kultit të Individit”. Këto probleme diskutoheshin në heshtje midis studentëve, por pa u thelluar, pasi nuk kishin ende informacionin e duhur. Për këto çështje, sapo kishin nisur dhe kontradiktat e para midis PK të BS dhe udhëheqjes komuniste shqiptare, por nuk mendohej se do shkonin në nivele kaq të larta.

Në programin mësimor, shkolla organizonte dhe praktika mësimore në terren në disa nga republikat Sovjetike. Në maj-qershor të vitit 1958, një grup studentësh, ku bënin pjesë dhe shqiptarë, shkuan në republikën e Gjeorgjisë. Xhorxhi Robo në atë grup ishte dhe me shokun e tij shqiptar, Piro Bita. Udhëtimi ishte me tren disa ditë e netë. Soditën e shijuan shumë qytete e fshatra, terrene fushore e malore, deri sa mbërritën në Tbilis, kryeqytetin e Gjeorgjisë. Praktika ishte për të parë nga afër punën dhe jetën e popullit gjeorgjian, zhvillimet që ndodhnin në qytete e fshatra, ku dhe Gjeorgjia si i gjithë BS, kishin dalë me shumë pasoja nga lufta, ashtu si dhe Shqipëria.

Populli gjeorgjian ishte një popull që nga karakteri dhe traditat e tij, ishte shumë i ngjashëm me popullin shqiptar. Edhe ata ishin popull trim, liridashës, mikpritës, punëtorë, arsimdashës dhe me tradita për një familje të shëndoshë si dhe ne. Për dy muaj të praktikës, studentët panë nga afër jetën në shumë ndërmarrje, në uzina e fabrika, në fshatra në kolkoze e sovkoze, panë dhe vende historike e turistike të Gjeorgjisë.

Në Tbilis, Xhorxhi u interesua dhe për jetën e aktivitetin e patriotit myzeqar, Naun Grigor Doko (Prifti) nga Libofsha e Myzeqesë, i cili pas një aktiviteti të gjerë patriotik e revolicionar në Myzeqe në vitet 1920-24, u shqua veçanërisht në Revolucionin Demokratik të Qershorit në mbështetje të qeverisë së Fan Nolit. Pas rikthimit të regjimit të Monarkisë, qeveria demokratike e Fan Nolit u rrëzua me dhunë dhe Naun Doko (Prifti) u përndoq si dhe shumë patriotë të tjerë nga qeveria e Ahmet Zogut, duke shkuar në emigrim, e përfundimisht u vendos në Tbilis të Gjeorgjisë. Në vitin 1926 u pranua student në Universitetin e Tbilisit dhe në vitin 1928 pranohet në Partinë Komuniste të BS.

Në vitin 1930, Naun Doko (Prifti) mbaron me rezultate të shkëlqyera studimet dhe emërohet punonjës shkencor në atë universitet. Më pas përfundon dhe aspiranturën në fushën e planifikimit ekonomik. Në vitin 1932, emërohet zv/rektor i Universitetit të Tbilisit dhe një vit më vonë në 1933, emërohet Rektor i atij Universiteti. Pra, një figurë pedagogjike e shkencore që ka nderuar Shqipërinë dhe vendlindjen e tij, Myzeqenë. Në vitin 1934, në moshën 38 vjeçare, Naun Doko (Prifti), vdiq në senatoriumin e Tbilisit nga tuberkulozi. Muzeumi qendror i Tbilisit, mbante të ekspozuar një stendë me materiale nga jeta dhe vepra pedagogjike e shkencore e rektorit shqiptar të atij universiteti, Naun Grigor Doko (Prifti). Për studentët shqiptarë dhe veçanërisht për myzeqarin Xhorxhi Robo, ishte nder e krenari për veprën e kontributin e këtij njeriu enciklopedik, pedagog e shkencëtar me vlera të larta njerëzore e shkencore, që u shua në moshë aq të re në dhe të huaj. Naun Doko (Prifti), vlerësohej e mbahej mend nga brezi i atyre viteve dhe kujtohej e nderohej me respekt nga qytetarët e Tbilisit.

Gjatë tre viteve të shkollës, u zhvilluan praktika mësimore dhe në qytete të tjera të BS, si në republikën e Ukrainës dhe konkretisht në qytetin bregdetar të Odesës e tjera. Përgatitjet që morën në shkollë, ishin shumë të nevojshme për kuadrot e rinj shqiptarë, sepse përvoja e luftës dhe e punës, kërkonte dhe një arsimim të përgjithshëm teorik, kërkonte pjekuri ideologjike e filozofike për ndërtimin e sistemit të ri komunist që zbatoi Shqipëria pas luftës Nac.Çl. Armata e të rinjve studentë që u shkolluan në vendet e lindjes komuniste, si dhe në BS, u kthyen më të përgatitur, për të marrë përsipër detyra të larta shtetërore e partiake.

Fill pas kthimit nga studimet, në shtatorin e vitit 1959, Xhorxhi Robo emërohet Sekretar i parë në rrethin e Lezhës. Si kudo në Shqipëri edhe në Lezhë problemet që kërkonin zgjidhje ishin të shumta. Fusha dhe vetë qyteti i Lezhës përmbyteshin në pjesën më të madhe të vitit nga vërshimet e Drinit. Mungonin pothuajse bonifikimet, kishte shumë toka moçalore dhe tokat mbi ujë s’kishin vaditje. Kolektivizimi i bujqësisë sapo kishte përfunduar dhe kërkohej punë e madhe për forcimin e përsosjen e tij. Qyteti i Lezhës ishte i vogël me rreth 2000 banorë, megjithatë problemet dhe hallet e popullit ishin të shumta.

Terreni i rrethit ishte i thyer, që nga bregdeti me fushat moçalore, deri kodrinat e malësia që kufizonte me Shkodrën e Mirditën. Popullsia përbëhej nga 4 shtresa shoqërore: Katundarë vendas autoktonë, Zadrimorë fusharakë autoktonë, Mirëditorë të ardhur ndër vite dhe malësorë nga Malësia e Madhe e Dukagjinit. Feja që dominonte në 98% të popullsisë, ishin katolikë. Niveli arsimorë ishte i ulët, kryesisht fillor e shtatëvjeçar. Lezha në ato vite kishte 1 doktor, 1 agronom, 1 inxhinjer dhe 1 veteriner dhe diçka më shumë kuadro teknikë të mesëm. Populli në përgjithësi ishin njerëz të urtë e të bindur, ishin arsimdashës dhe punëtorë e të përpjekur për një jetë më të mirë. Kjo ishte në përgjithësi panorama që krijoi Xhorxhi Robo për rrethin e Lezhës në ato vite kur sapo filloi detyrën e re. Megjithëse vinte nga studimet që kreu në Moskë, atij nuk i mungonte dhe përvoja, si nga lufta ashtu dhe gjatë punës që kishte kryer më parë në Berat, në Lushnje dhe në Tiranë në organet e larta drejtuese.

Nga natyra ishte i urtë e popullor, i komunikueshëm me njerëzit, energjik i pa lodhur, duke e shkelur rrethin cep më cep, për të njohur sa më mirë njerëzit dhe problemet që kishin. Bënte pritje populli në fshatra për hallet që kishin, pa qenë nevoja të vinin në komitetin e partisë në Lezhë. Uniteti i popullit kishte rëndësi të madhe, pasi hasmëria e ligjet e vjetra të kanunit, ishin një plagë e rëndë për malësorin lezhjan. Nxiti funksionimin e kuvendeve të fshatit, rolin e pleqësisë dhe njerëzve me influencë. Kuadrot e rrethit i kishte mbështetje, veçanërisht veteranin e nderuar, Shaqir Dibra e të tjerë, duke i vënë në lëvizje për këto probleme.

Në Lezhë, ndihej shumë mungesa e kuadrit vendas, pasi kishte shumë të ardhur nga Shkodra dhe nga jugu i Shqipërisë. Përpara këtij fakti, nxiti zhvillimin e arsimit nëpërmjet ngritjes dhe frekuentimit të shkollave nga fëmijët, të kopshteve e çerdheve si në qytet e në fshatra. Ndërhyri në institucionet qendrore për të rritur planifikimin e të drejtave të studimit në shkollat e mesme profesionale e të arsimit të lartë për rrethin e Lezhës. Qyteti  në atë kohë kishte vetëm një shkollë 7 vjeçare dhe një të mesme gjimnaz, po ashtu shkolla fillore e 7 vjeçare kishte dhe në fshatra.

Rëndësi të veçantë Xhorxhi Robo në Lezhë i dha investimeve në bujqësi, kryesisht bonifikimit, sistemimit të tokave dhe rrjetit vaditës e kullues, që ishin drejtimet kryesore për zhvillimin e bujqësisë. Rrethi i Lezhës në vitet 1960-61, kur drejtonte Xhorxhi Robo, realizoi për herë të parë planin e drithërave për sigurimin e bukës, duke i dhënë shtetit edhe teprica. Po ashtu u ngrit e u zgjerua më tej veprimtaria prodhuese e ndërmarrjeve industriale, si ajo Ushqimore, ndërmarja e Prodhimeve të Ndryshme të Artizanatit, ndërmarja Komunale, ajo e Ndërtimit, SMT-ja e rrethit, Porti Detar i Shëngjinit, Peshkimi e tjera, të cilat zgjidhën në mënyrë të ndjeshme punësimin e njerëzve dhe rritjen e ekonomisë prodhuese.

Lezha ishte dhe një vend historik, ku në vitin 1444 të shekullit të XV-të, u mbajt Kuvendi i Lezhës me Princat shqiptarë. Aty në 1468 është varrosur dhe prijësi i shqiptarëve Gjergj Kastrioti Skënderbeu, që i rezistoi rreth 25 vjet hordhive turke, duke u prirë shqiptarëve me fitore në të gjitha betejat kundër pushtuesve. Për nder të këtyre ngjarjeve historike, u ndërtua “Memoriali i varrit të Skënderbeut” nga mjeshtrat gurëgdhëndas lezhian dhe populli i Lezhës e nderon atë si një vlerë të rëndësishme historike, që frekuentohet nga i gjithë populli dhe nga vizitorë e turistë vendas e të huaj. Një vlerë e madhe për Lezhën ishte dhe porti detar i Shëngjinit, që e lidh me rrugët detare të Adriatikut, ku u zhvillua më tej industria e peshkimit dhe e transportit detar.

Lezha , në vitet 1959-61, ariti disa suksese të dukshme dhe kjo në radhë të parë i dedikohej punës vetmohuese të popullit puntorë lezhianë, kuadrove të palodhur që drejtonin së bashku me Xhorxhi Robon, dhe në Kongresin e 4 të PPSH, sekretari i parë i Lezhës, Xhorxhi Robo, u zgjodh në forumet e larta drejtuese, kandidat i KQ të Partisë dhe pa kaluar shumë kohë, rikthehet sërish në Aparatin e KQ të Partisë në detyra më të larta.

Duke qenë një kuadër i përgatitur dhe i devotshëm, Xhorxhi Robo në vitin 1969, emërohet Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Republikën Popullore të Kinës, në periudhën më të rëndësishme të marrëdhënive midis këtyre dy shteteve, duke zëvendësuar Behar Shtyllën, detyrë të cilën e kreu me sukses deri në fund të mandatit në vitin 1973.

Xhorxhi Robo                Xhorxhi Robo me bashkëshorten, Mellania.

Viti 1969

Share This Article
7 Comments
  • Ky me duket se u dekorua para dy-tre vjetesh nga Rama sebashku me numrin e madh te punonjsve socialiste!? Mos ka qene me rinine ky pas clirimit? Me Liri Gegem, Nako Spiron, etj? Dhe nga fundi i jetes paksa i rene nga shendeti dhe gjysem i paralizuar? Apo e ngaterroj me ndonje tjeter une?

  • Per KUADRO,qe kane qene,,Per kuadro qe kane qene,.
    E nisen me triska,,e mbaruan me tullona.Zia,zia,njehere nuk e mbushi barkun ky popull rreckaxhi,derisa rrembyen vaporet e ndryshkur si majmune neper litare.,
    Leri mor ato keneta ku kullosnin bullicat,,plot me peshq e shpese uji.Edhe sikur mos kishte misrin(qe u shofte),kishte mishin,kishte peshkun,mjafton te hidhte nje kosh ne Terbuf,mbushej me pendekuq kenete..
    Myzeqeja ne kohe te bejlereve ka qene bollek,,Fabrika,tym e pluhur,zbor ushtarak dhe mbledhje partie nuk ka patur,,por kulace me mjalte,,kos buallice dhe rosa te egra te pjekura ne prush,ka pasur me bollek Myzeqeja.Lere token si e ka krijuar natyra se mire ka,keq nuk ka Permbytjet e permiresojne token..Permbytjet e Nilit krijuan BOLLEKUN ,Hambarin e botes ne Egjypt.Por llumi i proletariatit ju mori token bejlereve dhe e mbushi me llac e tulla,beton.Ishte me mire kenete Terbufi,se sa sot,qe nga Cerma ne Fier nuk gjen me 10m katror fushe,,Jane mbudhur me ndertime,qe u permbytshin,i mbulofte uji zaptuesit .
    Te dhjefsha Xhorxhi Robin,enver hoxhen,memet katilin,,Bashkimin Sovjetik dhe marxizem-leninizmin. e zise dhe mizerjes.

  • More Demo dhjeramani ne
    Stambooll te shkoi nami.
    Ishe mbetesh kapedani
    Qe per shok ka hajvanin.
    Mos mendo se te ka ardh koha
    Ne politike keshtu e ka loja
    Sapo nisesh lart te ngrihesh
    Nuk vonon ne by.. te .iesh.

  • Nderim për luftëtarët dhe ndërtuesit e Shqipërisë!
    Përkujtimi i çlirimtarëve dhe i ndërtuesëve të Shqipërisë së Re, midis të cilëve është edhe i paharruari Xhorxhi Robo, është nderim që mban gjallë kujtimin dhe veprën e tyre, Shqipërinë e ringritur , bazë dhe shpresë për gjithë kombin shqiptar.
    Mijëra ndërtues, inxhinierë, agronomë, mësues, shkencëtarë, gjuhëtarë, detarë, oficerë që dhanë dhe japin kontributin e tyre me vetëmohim shkruajnë në shtyp dhe tregojnë për punën e tyre dhe të sektorit të tyre me krenari për arritjet që e ngritën Shqipërinë në nivele botërore janë paraardhësit dhe bashkëkohësit tanë dhe frymëzim për të gjithë ne, sidomos për më të rinjtë.
    Pas kaq fatkeqësive në demokraci, problemet kanë hyrë në rrugën e zgjidhjes, po kështu edhe shqiptarët po ecin drejt mirëkuptimit e bashkimit për drejtësi e dinjitet kombëtar për të qenë të barabartë me kombet e tjerë në Ballkan dhe në botë pa të cilën as të drejtat njerëzore as përparimi ynë nuk janë të garantuar. Ne nuk jemi vend i vogël, siç na quajnë disa me qesëndi. Ne na kanë coptuar përdhunshëm ata që sot na pengojnë përsëri me ideologji e pangopësi. Koha kërkon më shumë mençuri dhe aktivitet popullor për të çuar para dhe përfunduar atë që brezat e sollën me përkushtim deri këtu. I paharruar qoftë kujtimi i tyre. Rroftë uniteti gjithëshqiptar! Respekt për Z. Jovan Bizhyti.
    Përshëndetje përkujtimore të përzemërta familjes së nderuar të Xhoxhi Robos. Kasandra.

  • Nderim për luftëtarët dhe ndërtuesit e Shqipërisë!
    Përkujtimi i çlirimtarëve dhe i ndërtuesëve të Shqipërisë së Re, midis të cilëve është edhe i paharruari Xhorxhi Robo, është nderim që mban gjallë kujtimin dhe veprën e tyre, Shqipërinë e ringritur , bazë dhe shpresë për gjithë kombin shqiptar.
    Mijëra ndërtues, inxhinierë, agronomë, mësues, shkencëtarë, gjuhëtarë, detarë, oficerë që dhanë dhe japin kontributin e tyre me vetëmohim shkruajnë në shtyp dhe tregojnë për punën e tyre dhe të sektorit të tyre me krenari për arritjet që e ngritën Shqipërinë në nivele botërore janë paraardhësit dhe bashkëkohësit tanë dhe frymëzim për të gjithë ne, sidomos për më të rinjtë.
    Pas kaq fatkeqësive në demokraci, problemet kanë hyrë në rrugën e zgjidhjes, po kështu edhe shqiptarët po ecin drejt mirëkuptimit e bashkimit për drejtësi e dinjitet kombëtar për të qenë të barabartë me kombet e tjerë në Ballkan dhe në botë pa të cilën as të drejtat njerëzore as përparimi ynë nuk janë të garantuar. Ne nuk jemi vend i vogël, siç na quajnë disa me qesëndi. Ne na kanë coptuar përdhunshëm ata që sot na pengojnë përsëri me ideologji e pangopësi. Koha kërkon më shumë mençuri dhe aktivitet popullor për të çuar para dhe përfunduar atë që brezat e sollën me përkushtim deri këtu. I paharruar qoftë kujtimi i tyre. Rroftë uniteti gjithëshqiptar! Respekt për Z. Jovan Bizhyti.
    Përshëndetje përkujtimore të përzemërta familjes së nderuar të Xhorxhi Robos. Kasandra.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *