Rënie e konsumit dhe investimeve, importet bien 5%

anazapta

Importet kanë shënuar një rënie prej 5% me bazë vjetore për periudhën janar-nëntor, duke dëshmuar për konsum dhe investime të tkurrura, që kanë mbizotëruar përgjatë gjithë vitit 2013. Të dhënat bëhen të ditura nga publikimi i tregtisë së jashtme për nëntorin të INSTAT. Importet në total arritën në 457 miliardë lekë për 11 mujorin, duke u tkurrur me gati 24.2 miliardë lekë, në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo është tkurrja e parë e importeve që nga viti 2009, kur ato u reduktuan me rreth 3% me bazë vjetore, si rrjedhojë e krizës financiare globale që preku dhe vendin tonë në atë kohë. Grupmalli kryesor, ai i “mineraleve, lëndëve djegëse dhe energjisë”, ka shënuar rënien më të thellë me 18.8 miliardë lekë, apo 18%, duke arritur në 82 miliardë lekë. Edhe grupi tjetër kryesor, “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi”, një tregues direkt i investimeve në ekonomi, është tkurrur me 7.7 miliardë lekë, apo 8.7% në rreth 80 miliardë lekë për 11 mujorin. Frenimin e ndërtimit e reflekton tkurrja e grupmallit “material ndërtimi dhe metale”, që ka rënë me 5.3 miliardë lekë, apo 8.6%, në 57.3 miliardë lekë. Një tjetër tregues direkt i frenimit të konsumit në ekonomi është rënia e importeve të ushqimeve, pijeve e duhanit, që është zvogëluar me rreth  1.3 miliardë lekë, në rreth 84 miliardë lekë. Megjithatë, nëntori ka shënuar një kthesë në importet e ushqimeve, pijeve e duhanit, që kanë kthyer tendencën rënëse, duke u zgjeruar lehtë me bazë vjetore, teksa ka mbaruar efekti sezonal i prodhimeve vendase. Janë ngadalësuar në të njëjëtn kohë dhe ritmet e rënies së grupit “materiale ndërtimi e metale”.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *