‘Krishtlindjet’ kapin 1 ton drogë e gomonen

anazapta

Policia e Vlorës i feston Krishtlindjet me kapjen e 1 ton droge që po bëhej gati të trafikohej me gomone nga Orikumi me destinacion Italinë. Lënda narkotike është kapur gjatë një operacioni antidrogë të koduar “Merry Christmas”, ndërsa u arrestua mbrëmë Vehbi Barjami, pronari i një prej furgonëve dhe janë shoqëruar 3 të rinj që dyshohet se janë poseduesit e lëndës narkotike, mes tyre dhe një femër. Sipas informacioneve zyrtare, gjatë operacionit janë sekuestruar edhe mjeti lundrues, në të cilat u gjet droga. Ky është i treti operacion i policisë së Vlorës brenda një kohe të shkurtër, ku kapen sasi të mëdha lëndësh narkotike.

 

Operacioni

Aksioni policor u krye në afërsi të Hidrovorit, në fshatin Akerni. Droga e sekuestruar po transportohej me një furgon tip “Benz”, me targë AA607DF dhe me një furgon me targa të Fierit. Operacioni u krye nga Policia Kufitare në bashkëpunim me Policinë e Vlorës dhe gjatë krehjes së zonës që bëri policia në zonën e Orikumit u gjet një gomone e braktisur me 2 motorë. Mendohet se gomonia do të përdorej për transportin e drogës jashtë kufijve të vendit. Sasia e drogës e deklaruar si e kapur gjatë 24 orëve të fundit është 1 ton hashash, e futur në çanta dhe thasë. Gjithçka nisi rreth mesnatës së martë dhe përfundoi mëngjesin e djeshëm. Policia tha se shoqëroi të dyshuarit Marsel Moçka, Xhino Rapaj dhe Florjeta Deliu, të tre 19-21 vjeç, të cilët dyshohet se kanë dijeni për lëndën narkotike dhe transportin e saj.

 

Detajet

Policia e Vlorës ka bërë të ditur se ka finalizuar me sukses operacionin antidrogë të koduar “Merry Christmas” ku si rezultat i të cilit në vendin e quajtur, Hidrovori është bërë i mundur kapja dhe sekuestrimi i sasisë prej 916 kilogramë kanabis sativa. “Lënda narkotike ishte transportuar nga trafikantët me dy automjete tip furgon, “Fiat Ducato” dhe një “Mercedes-Benz Vito”, që janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Kurse në Orikum u kap mjeti lundrues tip gomone, me dy motorë, 1 prej tyre 200 kv/fuqi dhe një tjetër 25 kv/fuqi, me të cilin do bëhej trafiku në drejtim të Italisë”, tha policia vendore. Gjatë krehjes së zonës u gjet edhe një armë zjarri automatike tip “Skorpions”. Hetimet po kryhen në bashkëpunim me Prokurorinë për Krimet e Rënda Tiranë, për të gjetur trafikantët e këtij rrjeti të organizuar.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *