NJË DOSJE PËR KUNDËRSHTARIN JU LUTEM

anazapta

Sa për farë, edhe dje, në një dalje para gazetarësh për të paraqitur bilancin e punës 1-vjeçare të Bashkisë, kreu i saj Lulzim Basha, e ndoqi ritualin e “plakut” për korrupsionin në Bashki, në fushën e ndërtimeve, duke aluduar për ish-paraardhësin e tij Rama, e që sipas Bashës, i është dhënë fund nën drejtimin e tij. Atëherë, nuk kuptohet se përse nuk bën atë që po bën mazhoranca aktuale: të përgatisë dosje atje ku gjen fakte korruptive e t`i çojë në Prokurori.

Për më shumë se 10 vjet, ka qenë hit i ditës, çjerja e mentorit të tij për një të ashtëquajtur 20 përqindsh, që vijon ende për më tepër, dhe Basha që edhe pak muaj mbush 3 vjet në Bashkinë e Tiranës, nuk po mund të na servir një dokument që bie erë korrupsion; të në japë një shifër a një fakt se si e kishte katandisur “i gjati” institucionin e Bashkisë së Tiranës, kur dhe vetë Imami, e shpalli qeverisjen e Tiranës nga Rama si më të korruptuarën në 23 vjet.

Por nëse paska qenë kaq e korruptuar, atëherë i bie që dhe korrupsioni aty të ketë qenë aq i lehtë për t`u zbuluar dhe evidentuar, ngaqë dhe kuotat e korruptimin kanë qenë në nivele maksimale. Mua nuk ma ha mendja se Rama ka qenë ndonjë ëngjëll e s`e ka ngjyer pak gishtin, por hamendjet, deri në çastin që të plotësohen me fakte konkrete, kapërcejnë çdo limit lirie për t`u endur në fantazira, sa më pas nis e prodhohen legjenda urbane, tipike për provincialitetin tonë, ku institucion kryesor për qarje hallesh, dertesh e zgjidhje punësh, kemi kafenetë.

Nuk dihet se sa e se ç`lloj peshqish do shkojnë dyer gjykatash, por të paktën kjo mazhorancë po bën një punë tej llafeve në erë: Po kopsit ca dosje, po kalkulon ca shifra, po bën ca llogari, po na jep ca fakte. Kaq kërkohet dhe nga kahja tjetër, asgjë më shumë. Basha ende e ka shansin e mundësinë që të na tregojë konkretisht, se ç`ka qenë në të vërtetë ai 20 përqindshi, e se çfarë paudhësish ka bërë Rama me ndërtuesit. Ndryshe, mos na bëjë si medemek opozitar. / E. Hoxha

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *