Rikrijim…

Ornela

S’më vjen keq për vitet që më ikën
Ato ikën fare pa më prekur
S’më vjen keq për zjarret që m’u fikën
Se kush ndizet, digjet për t’u tretur.

S’e kupton aspak njeriu i shkretë
Si i tretet jeta në çdo orë
Flokëziu me syrin shigjetë
Kthehet në kodrinëz me dëborë.

Ashtu e pësova dhe unë
Që besoja vetëm në rininë
Dhe kur çaja zhveshur në furtunë
S’e mendoja kurrë pleqërinë.

Gota ime plot me verë të kuqe
Nuk do boshatisej ndonjëherë
Porse jeta qenka plot më huqe
Ato që t’i fal, sërish t’i merr!…

Dhe s’të le aspak që të mendosh
Ishte, apo s’ishte çasti i duhur
Edhe kohë s’ke që të shikosh
Jetën tënde bërë baltë e pluhur.

Shekuj do të shkojnë e do të vijnë
Ne do jemi lodra për mëshirë
Shpirtrat njerëzorë do ulërijnë
Në një natë të zezë, në shkretëtirë!.

Dashuria është abstratkte!…

Dashurinë, dashurinë
Asnjeri s’e ka arritur
Nëpër misteret e saja
Hyn e del i pastërvitur.

S’e njohim në të vërtetë
As në prill as në maj
Po dhe pa e njohur fare,
Ne jemi robër të saj!…

Dashuria s’ka formula
Që përmendësh t’i mësosh
Po për të ësht’ vënë vula
Thjesht duhet të dashurosh!…

Dashuria s’njeh logjikë
Ndryshe dashuri s’do qe,
Është abstrakte edhe pikë,
Ndaj dot s’e kuptojmë ne!…

Dashuria, dashuria
Jo, nuk ka formula fikes
Dhe në një zemër që digjet
S’mund të futesh më zjarrëfikëse!…

Koha ikën si shigjetë
Si shigjetë e vetëtimë,
Po ne s’e njohim gjithë jetën
As veten, as dashurinë!…

o.j/dita

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *