Komisioni i Ekonomisë shqyrton sot amendamentet e paraqitura nga Lëvizja Socialiste për Integrim për buxhetin e vitit 2014.
Kryetari i grupit parlamentar të LSI-së Petrit Vasili, shpjegoi konkretisht se LSI kërkon që 20% e të ardhurave të realizuara nga rritja e akcizës për duhanin të kalojë si fond shtesë në Ministrinë e Shëndetësisë. Së dyti, sipas Vasilit, LSI propozon që kontrollet mjekësore falas një herë në vit të zgjerohen deri në moshën 65-vjeçare.
Ndërsa propozimi i tretë lidhet me biznesin fason, për të cilin LSI kërkon që tatimi mbi të ardhurat të vazhdojë të jetë në masën 10%. “Në mënyrë konkrete, grupi i LSI ka propozuar që se paku 20% e të ardhurave të realizuara nga rritja e akcizës për duhanin të kalojë si fond shtesë në Ministrinë e Shëndetësisë, pasi siç dihet rritja e kësaj akcize ka patur si qëllim kryesor mbrojtjen e shëndetit publik. Së dyti, kemi propozuar një ndryshim tjetër që ka të bëjë me zgjerimin kontrollit mjekësor nga mosha 40-60 vjeç, është e rëndësishme që të zgjerohet deri në moshën 65 vjeç. Për disa arsye që janë arsye të karakterit shkencor dhe fiziologjik. Propozimi ynë synon dhe mbulimin më të mirë të meshkujve, që dalin në pension në moshën 65 vjeç”, deklaroi dje Vasili.
