Bozdo prezanton buxhetin e Bashkisë, Dalipi: Tirana, kryeqytet pa kryetar

anazapta

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranë, Enno Bozdo,ka prezantuar projektbuxhetin e vitit 2014 për kryeqytetin. Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak mungonte kryebashkiaku Basha, njëkohësisht kryetar i Partisë Demokratike.

Kreu i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Aldrin Dalipi, e cilësoi mungesën e Bashës një sjellje mospërfillëse ndaj këshillit.

“Kryetari i Bashkisë së Tiranës duhet të jetë këtu, nëse gjen kohë për konferenca shtypi, duhet të gjejë kohë të paktën një herë në vit të vijë këtu dhe të flasë përpara qytetarëve dhe jo vetëm në zyrën e tij. Kur anashkalohet ky këshill unë gjykoj që është një shprehje e mospërfilljes, shprehje e asaj që deri diku po vuan Tirana. Futjes së politikës së madhe në atë çka ky qytet pret në të sotmen dhe të nesërmen e vet. Tirana është një kryeqytet pa kryetar. Braktisja e tij është joserioze”, theksoi Dalipi.

Bozdo tha në fjalën prezantuese se buxheti i vitit të ardhshëm ka rritje 5 për qind në krahasim me vitin e kaluar.

“Sot, Këshilli Bashkiak i Tiranës merr në shqyrtim dokumentin më të rëndësishëm të vitit, dokument i cili përcakton linjat e zhvillimit të qytetit në tre vitet në vijim, ndjek prioritetet strategjike, mbështet zhvillimin ekonomik dhe social të Tiranës, nxit punësimin dhe shpirtin e sipërmarrjes dhe financon mekanizma për t’u dhënë përgjigje problematikave sociale të shtresave në nevojë dhe atyre të margjinalizuara. Dokumenti i sotëm ka vijimësi logjike, programore dhe financiare. Ai hyn plotësisht në kuadrin e dokumentit të planifikimit buxhetor afat-mesëm 2014-2016, duke respektuar tavanet buxhetore, vijimësi e PBA 2013-2015. Veçanërisht ky i fundit është i rëndësishëm sepse përfaqëson një planifikim tre vjeçar koherent, i zbatuar për herë të parë në Bashkinë e Tiranës, me vizionin e ofrimit të zgjidhjeve tërësore dhe jo ad hoc, duke shënuar kështu një rritje cilësore shumë të madhe në mirëmenaxhimin financiar dhe vendosjen e objektivave të integruara për qytetarët e Tiranës. Buxheti total i Bashkisë së Tiranës për vitin 2014 është 8.645.847.000 lekë dhe paraqitet me rritje prej 5% në krahasim me buxhetin e vitit paraardhës”, tha Bozdo.

Bozdo kërkoi që vëmendja të përqendrohet në rendin e ditës dhe shmangen akuzat politike.

“Në të mirën e qytetarëve të Tiranës ti mbahemi rendit të ditës, të shikojmë dokumentin që kemi përpara. Çdo diskutim për situata që kanë ndodhur gjithmonë edhe më parë nuk do kontribuonte as në klimën e mirë që kemi sot, as në diskutimin për të përmirësuar këtë dokument, do të na çonte në një rrugë pa krye”, citon Ora News nënkryetarin e Bashkisë së kryeqytetit.

 

Share This Article
4 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *