Matura Shtetërore 2021/ Kushtet dhe datat e provimeve për shkollat e mesme profesionale

Ornela

Përcaktohen datat dhe rregullat se si do të zhvillohet Matura Shtetërore 2021 për të gjitha shkollat e mesme profesionale në vend. Katër janë edhe provimet që do të zhvillojnë maturantët e këtyre shkollave përgjatë këtij viti. Në udhëzimin e miratuar së fundmi edhe nga qeveria përcaktohet se maturantët e këtyre profileve shkollore do të zhvillojnë tre provime të detyruara në lëndët “Gjuhë shqipe dhe letërsi”, “Matematikë”, dhe “Gjuhë e huaj” sikundër ndodh me të gjitha shkollat e tjera të mesme, ndërsa si lëndë me zgjedhje do të japin “Teori profesionale të integruar” sipas drejtimit apo profilit specifik që maturanti ka ndjekur gjatë përfundimit të studimeve të shkollës së mesme. Ekspertët theksojnë se për të qenë kalues, si në tre provimet e detyruara, ashtu edhe në atë me zgjedhje, maturanti apo kandidati i maturave të shkuara, do të duhet të marrë detyrimisht 25 për qind të pikëve totale me të cilat vlerësohet testi. Përzgjedhja e testeve përfundimtare të provimeve të maturës sërish do të bëhet përmes teknologjisë digjitale. Autoritetet e arsimit kanë detajuar edhe kushtet se si do t’i zhvillojnë provimet kandidatët që kanë mbaruar shkollat e mesme profesionale përgjatë viteve të shkuara, por që duan të rikthehen në garë për studimet e larta.

Datat e provimeve për profesionalet

Provimet do të zhvillohen po në të njëjtat data, sikundër ndodh me shkollat e tjera te mesme. Kështu në datën 3 qershor maturantët e profesionaleve do të zhvillojnë provimin e parë të detyryar në lëndën e gjuhës së huaj, për të vijuar në datën 7 qershor me testin e gjuhës shqipe dhe letërsisë, më tej në datën 11 qershor me lëndën e matematikës, si dhe provimi i fundit që do të zhvillohet më 15 qershor në lëndën e “Teorisë profesionale të integruar”. Sa i takon këtij provimi, MASR ka miratuar tashmë edhe listën e 38 lëndëve që do të zhvillojnë si provim me zgjedhje maturantët e shkollave profesionale, të cilën e gjeni të detajuar në vijim të shkrimit. Sipas udhëzimit të shpallur dje në Fletoren Zyrtare të Qeverisë, administrimi i provimeve të Maturës Shtetërore Profesionale 2021, bazohet në rregulloren e Maturës Shtetërore, të miratuar me urdhrin e përbashkët të ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe ministrit të Financave dhe Ekonomisë.

Provimi i gjuhës së huaj

Sa i takon gjuhës së huaj, bëhet e ditur se testi (D3) do të hartohet në përputhje me gjuhën, e cila në planin mësimor të arsimit të mesëm profesional trajtohet si gjuhë e huaj e parë. Ndërkohë që testi i provimit duhet të jetë në nivelin gjuhësor që përcaktohet në kurrikul në përfundim të arsimit të mesëm profesional. Autoritetet e arsimit sqarojnë se gjuha e huaj që jepet si provim i detyruar është përzgjidhur nga maturantët që gjatë plotësimit të formularit A1 dhe A1Z.

Për kandidatët e viteve të kaluara (të maturave shtetërore 2014 deri në 2020) që kanë rezultuar jokalues në provimin D3, bëhet e ditur se duhet ta rijapin këtë provim. Ndërsa kandidatët e tjerë, (të maturave shtetërore para vitit 2014) që kanë aplikuar me A1Z, nuk do ta rijapin provimin e detyruar D3. Në ndihmë të pregatitjes së maturantëve për këto provime janë shpallur edhe programet orientuese ku listohen tematikat që do të jenë prioritet në përmbajtjen e testeve të Maturës 2021. Provimet e detyruara “Gjuhë shqipe dhe letërsi”, “Matematikë”, “Gjuhë e huaj e parë”, dhe programet orientuese të tyre, të mbështeten në programet ekzistuese të kulturës së përgjithshme të arsimit profesional. Kandidati i cili rezulton mbetës në të paktën njërën prej provimeve të detyruara të Maturës Shtetërore Profesionale duhet ta rijapë atë në sezonin e vjeshtës që që të pajiset me diplomë, çka më pas i hap udhë garës për vijimin e studimeve të larta në strukturat universitare publike dhe private që funksionojnë në vendin tonë.

Kushtet për maturantët e 2013-2016

Kandidati që në maturat e këtyre viteve  ka zgjedhur “Teorinë Profesionale të Integruar” dhe ka rezultuar kalues do të pajiset me diplomën e Maturës Shtetërore Profesionale, pavarësisht se mund të rezultojë jokalues në një apo dy provimet e tjera me zgjedhje. Në rastet kur ka zgjedhur “Teorinë Profesionale të Integruar” dhe rezulton mbetës duhet të rijapë provimin e detyruar të Teorisë Profesionale të Integruar, pavarësisht rezultateve të provimeve të tjera me zgjedhje. Ndërsa kur ka zgjedhur dy apo tri lëndë me zgjedhje, te të cilat nuk përfshihet “Teoria Profesionale e Integruar”, duhet të japë provimin e detyruar të kësaj lënde, pavarësisht rezultateve të provimeve të tjera me zgjedhje.

Kushtet për maturantët para vitit 2011

Në udhëzim përcaktohet se për të gjithë kandidatët që kanë marrë Dëftesë Pjekurie para vitit 2011 dhe dëshirojnë të aplikojnë për studime në institucionet e arsimit të lartë, do t’u njihen provimet e detyruara ose provimet e njëvleftshme me to, të njësuara nga njësitë arsimore vendore. Këta kandidatë, në rastet kur nuk kanë dhënë provimin e “Teorisë Profesionale të Integruar”, ose e kanë dhënë dhe nuk kanë rezultuar kalues, kanë të drejtë të japin këtë provim, kur e kanë të nevojshme për plotësimin e kritereve të pranimit të përcaktuara nga institucionet e arsimit të lartë.

Konkurimi për studimet e larta

Sipas vendimit të miratuar më herët nga qeveria, në garë për studimet e larta si në universitetet publike, ashtu edhe në ato private do të lejohet të marrin pjesë vetëm maturantët dhe kandidatët që plotësojnë kushtin e mesatares së përcaktuar. Kështu, duke nisur nga ky vit dhe në vijim, në studimet e ciklit të parë “Bachelor” kanë të drejtë që të aplikojnë maturantët dhe kandidatët e tjerë që kanë mesatare të shkollës së mesme nga nota 6.5 dhe lart, në varësi të degës së zgjedhur. Për programet e studimit të gjuhëve të huaja në garë do të mund të hyjnë vetëm maturantët që kanë mesatare të shkollës së mesme mbi notën 7, në degët e mjekësisë kërkohet mesatare edhe më e lartë, mbi 7.5 në varësi të degës së përzgjedhur. Ndërsa në programet e studimit të ciklit të parë “Bachelor” që japin akses në programet e ciklit të dytë “Master” në fushën e mësuesisë do të mund të garojnë kandidatët që kanë mesatare nga nota 7.5 e më lart.

Përjashtohen nga detyrimi i plotësimit të kriterit të notës mesatare kandidatët që aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimeve 2-vjeçare me karakter profesional,  kandidatët që aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimeve në fushën e artit dhe të sportit, si dhe kandidatët me origjinë shqiptare nga Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Presheva, Medvegja dhe Bujanovci.

Nota mesatare për pranimin në institucionet e arsimit të lartë përllogaritet si mesatare e thjeshtë e këtyre treguesve: mesatares aritmetike të thjeshtë të notave përfundimtare vjetore të lëndëve për të gjitha vitet e shkollimit në arsimin e mesëm të lartë, si dhe mesatares aritmetike të thjeshtë të notave të provimeve të Maturës Shtetërore 2021, si dhe të maturave në vijim.

Lista e 38 lëndëve që do jepen si provim me zgjedhje për çdo profil profesional

  1. Hoteleri-turizëm
  2. Shërbime mjetesh transporti
  3. Mekanikë
  4. Elektroteknikë
  5. Elektronikë
  6. Përpunim druri
  7. Ndërtim
  8. Tekstil-konfeksione
  9. Tekstil-konfeksione (NABER ADA)
  10. Teknologji ushqimore
  11. Bujqësi
  12. Shërbime sociale dhe shëndetësore
  13. Instalues i sistemeve termohidraulike
  14. Teknologji kimike
  15. Peshkim
  16. Detari
  17. Gjeologji-miniera
  18. Llogari
  19. Shërbime bankare
  20. Sipërmarrje e agjencisë turistike
  21. Sigurime
  22. Tregti
  23. Administrim biznesi
  24. Rrjete të dhënash
  25. Mbështetje e përdoruesve të TIK
  26. Zhvillim ëebsite
  27. Rrjete të dhënash (pilot-GIZ)
  28. Inxhinieri informatike softëaresh (Hermann Gmeiner)
  29. Silvikulturë
  30. Agrobiznes
  31. Veterinari
  32. Gjeodezi
  33. Biznes (Harry Fultz)
  34. Elektronikë (Harry Fultz)
  35. Automekanik (Harry Fultz)
  36. Kërkim, shpim dhe shfrytëzim nafte, gazi dhe uji
  37. Shërbime kujdesi për të moshuar (pilot GIZ)
  38. Shërbime të udhëtimit dhe turizmi

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *