Saga shqiptare e shekullit XX vazhdon…

Ornela

Nga Jorgo Mandili

 

PROLOG

Por, pavarësisht Fatit tuaj të njëjtë me Fatin e Sizifit, prapëseprapë ka një ndryshim të madh: Sizifi ishte dënuar nga perënditë – juve, përkundrazi, jeni të bekuar nga perënditë, por… jeni të dënuar edhe nga europianët me diskriminim – para njëqind vjetësh me coptim të trojeve, duke ju shpërndarë në pesë shtete, pas luftës së ytë botërore me mosnjohje të qeverisë së re, kurse tani me hezitim të negocimit për pranim në familjen europiane. Rëndohet edhe më shumë “guri rrokullisës” mbi shpatullat tuaja të përgjakura nga ky ndëshkim iracional e absurd, duke ju stigmatizuar si “delja e zezë” e Ballkanit, përkundrejt preferencës sllavo- greko- maqedonase… ju ndesheni me një “handikap europian”, diskriminues, arrogant e i pamerituar për ju, duke e bërë më dramatik mitin tuaj të Sizifit.

HIPOSTAZA EUROPIANE NDAJ SHQIPTARËVE

Hipostaza (nga greqisht ύπόστασις – sediment, manifestim, identifikim) është një term i teologjisë ortodokse që përdoret për të shpjeguar doktrinën e Trinisë së Shenjtë dhe tregon tiparet dalluese, mënyrën e ekzistencës konkrete të diçkaje brenda një natyre të vetme Hyjnore (thelbi). Në Trininë e Shenjtë, diçka tjetër është e zakonshme, dhe një tjetër është e veçantë: e përgjithshme i atribuohet qenies (thelbit), dhe Hypostasis do të thotë veçantia e këtij thelbi. Hipostaza është diçka e veçantë në krahasim me të përgjithshmen, sepse natyra është një parim i caktuar i përbashkët në çdo gjë, dhe hipostazat janë një mënyrë manifestimi e diçkaje të veçantë. …

Sjelljet,qëndrimet e veprimet në tërësi të Europës Politike, tregojnë për një qëndrim të diferencuar e skeptik historik ndaj shqiptarëve përkundrejt “simpatisë dhe preferencave” që ka treguar ndaj sllavo-grekëve në shekuj. Fatkeqësisht kështu është, prandaj edhe parardhësve të shqiptarëve, Rilindasve të tyre, sot mund t’u japim të drejtë për “profecinë” e tyre në lidhje me skepticizmin në qëndrimet e “marifetet” diplomatike e politike të kësaj Europe  kundrejt interesave të Shqipërisë e shqiptarëve, pavarësisht aspiratës së tyre fisnike për orientimin e Shqipërisë drejt Oksidentit. Përsëri ata nuk kishin besim tek Evropa dhe jo pa arsye nëse kthehemi në historinë e marrëdhënieve historike dhe të qëndrimeve që kanë mbajtur europianët në këto ngjarje historike kruciale për shqiptarët, sjellim në kujtesën e kohës “mëkatet historike” të tyre.

  1. Mëkati më i madh ka qenë “përgjakja” e hartës së shqiptarëve, duke i copëtuar e duke mos i përfshirë në projektet e saj të krijimit të shteteve të Ballkanit, qysh në kohën e Sulltan Abdylhamidit, kur bënte planet për shpërbërjen e perandorisë osmane. Shqipërinë dhe Bosnjën ua la Turqisë. Pse? Pikërisht se dyshimi më i arsyeshëm është identifikimi i tyre si “myslimanë”. Jo vetëm kaq, por Shqipëria u përdor edhe si “plaçkë tregu” (Traktati i fshehtë i Londrës) për të kënaqur orekset ortodokse sllavo-maqedonase – greke. Por si do të shkatërrohej Shqipëria sipas Traktatit të fshehtë të Londrës midis Fuqive të Antantës (Francës, Anglisë, Rusisë) dhe Italisë? (sipas këtij dokumenti të frikshëm, publikuar nga Biblioteka e Kongresit Amerikan, tregohet harta famëkeqe e këtij Traktati, i cili kishte hartuar planin për të zhdukur shtetin shqiptar nga harta e Evropës.) Pjesa veriore e Shqipërisë që përfshin Malësinë në veri, në lindje Dibrën, deri në qytetin e Lezhës në perëndim, dhe në jug deri të qyteti i Krujës, ky territor do t’i jepet Serbisë dhe Malit të Zi, transmeton zeri.info. Pastaj Serbisë i jepet e drejta të projektojë dhe ndërtojë linjën hekurudhore Danub-Adriatik. Traktati parashihte formimin e një Shteti Islamik Shqiptar, me një territor shumë të vogël i mbikqyrur nga Italia. Italia do të marrë territorin jug-perendimor që përfshin Vlorën, dhe i ishullin e Sazanit. Greqia do të marrë pjesën jugore të Shqipërisë. Ky ishte një traktat gjenocidial kundër popullit me të vjetër në Evropë, që po të zbatohej do të kishte shuar përgjithmonë ekzistencën e popullit shqiptar. Pas denoncimit të këtij traktati nga Lenini, politikanët europianë të asaj kohe “etërit” e bijve politikë të sotëm europianë, nuk morën parasysh as përpjekjet diplomatike të rilindasve tanë në kancelaritë e tyre për një shtet shqiptar dhe as luftërat e patriotëve tanë për mbrojtjen e trojeve të të parëve të tyre. Falë Amerikës, jemi në këta kufij që kemi ende edhe sot si “sandëiche”, se po të ishte për Europën Politike të vitit ’13 Shqipëria e sotme nuk do të ekzistonte, do të ishte vetëm një “shprehje gjeografike”.

 

  1. Mëkati tjetër ka qenë pas Luftës së Dytë Botërore. Mirë bëri, që dërgoi misione pranë shtabit të përgjithshëm – po kështu edhe SHBA. Mision sovjetik nuk kishte. Pavarësisht lojërave karakteristike për diplomacinë dhe politikën europiane, fituan komunistët edhe për miopi politike të ballistëve. Përse mbetën shqiptarët pas lufte nën influencën e BS? Çfarë ndodhi në Jaltë? Çfarë pazare u bënë për Shqipërinë? Përse e lanë Shqipërinë në perandorinë komuniste, ashtu si në kohën e perandorisë osmane, kurse Greqisë, që ishte më komuniste nga Shqipëria, i hodhën dorën që të mbetej në perëndim?

Ku është “faji” i Shqipërisë, që nga “indiferenca” e europianëve, mbeti në “kampin socialist” nën patronazhin e Jugosllavisë ?

Shqipëria sipas mundësive bëri një luftë heroike me 28 mijë dëshmorë e viktima duke u rreshtuar në kahun e Aleancës së Madhe Antifashiste. Por qeveria e re e dalë pas lufte nuk u njoh nga europianët. Ku fshihej “djalli”? Atëherë çfarë të bënin shqiptarët e rrënuar, të sakatuar e të mjerë të dalë nga mesjeta e “osmanllinjve shqiptarë” të para vitit ’44, analfabetë mbi 90%, distrofikë, tuberkularë, sifilitikë, malarikë, pa bukë, pa kulturë, pa strehë, në mjerimin më biblik, në mes të Europës e në mes të shek 20, që mbetën në “qiell të hapur”, të “panjohur” nga Europa, të mos ia shtrinin dorën Stalinit, për të cilin pavarësisht gjithçkaje, në ato momente e ndihmoi popullin shqiptar dhe nuk mungoi mirënjohja për të, mirënjohje, që e pati edhe ajo një çmim për hir të parimeve apo interesave e preferencave gjeostrategjike.

 

3- Përpjekjet e europianëve pas vetërrëzimit të ” murit të Berlinit”, si metaforë e rënies së të gjitha regjimeve komuniste, u finalizuan me fitoren e lirisë. Siç ndodhi edhe në Shqipëri, që ..shpresuan shumë pas ’90 për një “europianizim” të vendit një ëndërr e bukur e inspiruar nga europianët ,por që shpejt u kthye në një makth biblik … nga  një kastë politikanësh servilë, sharlatanë, mediokër, të paaftë, lumpeni i ish komunisto – zogisto- ballistëve, karrieristë, xhambazë të pacipë e të pamoralshëm, lakmitarë e të babëzitur për para famë e lavdi, të përdorshëm si “idiotë të dobishëm” nga ideologët europianë të neoliberalizmit për të vërtetuar teoritë e tyre të kalimit nga socializmi në kapitalizëm, analoge me eksperimentin e reformës në drejtësi. Një eksperiment politik i papërgjegjshëm, me një popull të vuajtur në shekuj, që pavarësisht gjithçkaje, kishte dalë nga mesjeta dhe kishte siguruar një dinjitet në siguri, në punësim në arsim, në shëndetësi, në kulturë, që ishte mbresëlënës për të brenda 40 vjetësh, nëse llogarit vlerat materiale e morale të akumuluara në këtë periudhë ,të cilat me një menaxhim racional mund të ktheheshin në mirëqenie sociale për popullin. Dduhej ndërruar filozofia e përmbajtjes dhe menaxhimit të asaj gjithçkaje të organizuar brenda një strukture shtetërore, por kurrsesi shkatërrimi që nga themelet e gjithçkaje të arritur në komunizëm … ishin vlera materiale e morale të krijuar nga puna ,përpjekjet,djersa dhe gjaku i një populli në dy breza pas lufte … Një eksperiment i tillë e futi shoqërinë shqiptare në një “qorrsokak demokratik”, që edhe vetë perëndimorët tani janë të pafuqishëm të gjejnë rrugët e zgjidhjes. U realizua me një zell të paparë shkatërrimi i pronës publike e shtetërore në emër të “antikomunizmit” për të instaluar kudo e në çdo gjë “pronën private si e drejtë e pakushtëzuar dhe absolute”, e inspiruar nga maksima neveritëse “gjithçka për ne, asgjë për të tjerët” dhe nga ideologjia absurde që “tregu mund të diktojë ligje për çdo aspekt të jetës sociale”. Pas 30 vjetësh gjithçka duket “ok” sipas eksperimentit të ideologëve dhe teoricienëve të neoliberalizimit të “kalimit nga socializmi në kapitalizmin liberal” … “parajsë demokratike” u arrit , por jo për popullin, por për një pakicë për “më të fortët”, kurse për popullin e shkretuar kjo ëndërr është kthyer në makthin më biblik të historisë së tij jo vetëm me mjerim,por edhe me mërgim, me kriza politike, me “piramida” të parave, me  kriminalitet, me korrupsion, me nepotizëm, me banditizëm, me pasiguri kudo në rrugë në punë, në shtëpi në shkollë, kudo ku ka aktivitet jetësor …Brenda shpirtit të shqiptarëve makthi vazhdon përsëri të endet si “fantazmë”  e doktrinës neoliberale zbatuar në mënyrë totalitare nga “idiotët tanë të dobishëm”, politikanë e qeveritarë – kukulla në duart e pronarëve të parasë, që me sa duket ende nuk e kanë përfunduar misionin e tyre përderisa përkrahen nga ata që i promovuan përsëri për riciklimin e tyre …

 

“HOMO SUM HUMANI A ME NIHIL ALIENUM PUTO”.

Është një shprehje latine që në kuptimin e drejtpërdrejtë përkthehet: “Unë jam një qenie njerëzore, kështu që asgjë njerëzore nuk është e çuditshme për mua” dhe përdoret për një moto që mbron respektin për njerëzit dhe kulturat që duken ndryshe nga e jotja… Kjo është adekuate për vëmendjen e politikës  europiane ndaj shqiptarëve edhe në ditët e sotme …

Jemi në shekullin e 21-të kur progresi kulturor, informativ, shkencor hulumtues e arkivor ka bërë hapa gjigante në dijet mbi historinë, kulturën e lashtë e traditat e popujve të Ballkanit dhe ku po i dalin “petët lakrorit të historisë”. Ndërkaq , ju ende dergjeni nën ” hijet” e së kaluarës… Dhe nga “ex katedrat” e kancelarive tuaja na kërkoni edhe “standarde” shtesë për negociata, që nuk ua keni kërkuar asnjë vendi tjetër të krishterë të Ballkanit … duke vazhduar me të njëjtën”frymë” të etërve tuaj, por më të moderuar e më të sofistikuar . Politika europiane e re, në thelb asgjë nuk ka ndryshuar në politikën e saj ndaj Shqipërisë, pavarësisht “qasjeve dashamirëse” demokratike përtej kësaj fasade ” mbresëlënëse” (si ajo e Makronit që na ndihmoi herën e kaluar për të mos na veçuar si “dele e zezë” përfshiu edhe Maqedoninë )… Fakti që na shton dyshimin e arsyeshëm për një trajtim të diferencuar të shqiptarëve si “delja e zezë” e Ballkanit, lidhet me kërkesat shtesë për negociata… Nëse nuk është kështu, atëherë si shpjegohet diferencimi i Shqipërisë nga vendet e tjera që u futën pa probleme në BE – Kroacia, Hungaria, Çekia, Bullgaria, Rumania, Sllovakia, Sllovenia, Mali i Zi – të gjitha ish socialiste por…të krishtera …edhe RMV do të pranohej nëse nuk do ishte vetoja greke për emrin dhe tani së fundmi vetoja bullgare për gjuhën. “Ardhacakët sllavë” u pranuan si europianë, kurse shqiptarët ilirë u diferencuan? Pse? Mos vallë janë më pak vitalë e më pak të qytetëruar se të ” krishterët” e Ballkanit? …apo mos vallë janë  më pak autoktonë se “ardhacakët” sllavë ? …apo mos vallë se Skënderbeu  mbrojti krishterimin europian për 25 vjet me radhë dhe u nderua nga Vatikani si “Kryqtar i Krishterimit”? Apo …mos vallë, ju “tremb” ideja se bashkimi i shqiptarëve në një shtet të vetëm i bën potencialisht të aftë për “destabilizim ” të Ballkanit ? Pavarësisht se shqiptarët të bashkuar mund të bëhen mbi 10 milionë, asnjëherë nuk kanë qenë agresivë, kurrkujt nuk i kanë rënë në qafë, sepse janë popull paqësor e fqinj të mirë dhe aq të bindur në autoktoninë e tyre, saqë nuk kanë ndjerë nevojën e hartimit të një doktrine si psh “Shqipëria e Madhe”, siç kanë bërë serbët me “Serbinë Hyjnore”, apo grekërit me “Megalidhenë”, që kërkojnë të bindin të tjerët për prejardhjen e “lashtë” të tyre… për shqiptarët doktrina e tyre është “Toka e Ilirëve”, ku ata janë përjetësuar me lashtësinë e prejardhjes, gjuhës, miteve e legjendave… Është kjo arsyeja që shqiptarët kanë parë punën e tyre, por që ata nuk i kanë lenë rehat fqinjët e tyre veriorë, jugorë,perëndimorë e lindorë me pushtimet, luftrat e masakrat monstruoze, që i kanë përgjakur në shekuj, por edhe… me heshtjen apo përkrahjen europiane … Asnjë rrezik nuk i vjen Ballkanit nga bashkimi i shqiptarëve. Prandaj ,siç thotë populli ynë “ka ardhë koha të zerë guri vendë” , që ky gur të mos vazhdojë rrokullisjen me shpejtësi …

Gjithsesi … cilado qofshin arsyet e qëndrimeve diskriminuese europiane ndaj shqiptarëve në shekuj,unë kam dyshimin e arsyeshëm  se “përkatësia fetare” është më e qenësishme për qëndrimet, sjelljet e veprimet e politikës dhe diplomacisë europiane … Se, çfarë emri t’i vësh qëndrimit për Shqipërinë, Kosovën, Bosnjë- Hercegovinën, shtete “myslimane”, duke përfshirë edhe Turqinë ,veçse diskriminues, por edhe paradoksal, se dashur pa dashur po krijohet një “Sulltanat i vogël” në Europë – Turqi-Shqipëri-Kosovë- Bosnjë-Hercegovinë! … A nuk është qëndrim fetar dhe absurd kur të krishterët e Ballkanit si më të “preferuarit” tuaj, trajtohen si më të privilegjuarit , përkundrejt “myslimanëve” të Ballkanit – Sulltanatit ” europian ? A nuk ju trishton dhe ” turpëron” ky fakt në kuadrin e vlerave qytetare europiane? A nuk e ndjeni edhe detyrim moral për t’iu kthyer ” ditët e bardha” të kohës së shkuar këtij kombi  “gjeografikisht të shpërndarë , i thërmuar shoqërisht , pak tribal e ” frikacak nga “valinjtë”, i kapur nga “sindroma e stockholmit, i kompleksuar ndaj të huajve , “fatkeq historik me klasën politike, por… vital, i papërkulur, mikpritës, i zoti i vetes … , ku kuptimi i ekzistencës së tyre është mbijetesa … mbijetesë që është edhe kufiri i lumturisë së tyre – absurde apo jo? Egoja dhe krenaria e tyre është një mënyrë kamuflimi i varfërisë, mjerimit dhe zhgënjimit të tyre … por mënyra se si i rezistojnë mbijetesës i jep kuptim ekzistencës së tyre … në krenarinë e tyre ka shpresë, në mbijetesë ka jetë! … e kjo është cilësi e një populli autokton, fisnik e human… Këta janë shqiptarët! Respektoni shqiptarët dhe kulturën e tyre ,pavarësisht se mund të duket e ndryshme nga e jotja!

(Vijon)

 

 

Share This Article
1 Comment
  • I kam lexuar te gjitha shkrimet Jorgo. Jane te mbeshtetura mbi njohje, mendim, e kulture, shprehin thellesi, kane zdervjelltesi e mbartin pathos.
    Keto karakteristika ka dhe ky. Aresyeja pse kete radhe po nderhyj , gje qe nuk e kam zakon, eshte se shkrimi duket sikur eshte amanet, si porosi,…sikur te jete i fundit… Mos ke gje frike nga corona virusi…!?
    Pershendetje plesha – hoshteve

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *