Avokati i Popullit përsërit rekomandimin për rritjen e shpërblimit për pensionistët që gëzojnë statusin e Veteranit të Luftës Nacional-Çlirimtare, një e drejtë që kësaj kategorie i mohohet prej vitit 2008. Rekomandimi i parë është bërë më 30 prill të këtij viti ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, por Këshilli i Ministrave e ka injoruar çështjen duke mos kthyer përgjigje zyrtare. Aktualisht AP i është drejtuar kryeministrit Edi Rama për t’i dhënë një zgjidhje këtij problemi, pasi veteranët e gëzojnë me ligj shpërblimin sa herë ka rritje të pensioneve. Por prej vitit 2007, Ministria e Mbrojtjes ka krijuar një ngërç për zbatimin e ligjit të 17 nëntorit 1994. Dhe prej gjashtë vitesh, veteranët e luftës enden sa nga një institucion në tjetrin.
Rekomandimi
Ankesa më e fundit është paraqitur nga një grup pensionishtësh veteranë nga Gjirokastra, që e gëzojnë statusin. “Pretendimi i tyre është se nuk kanë përfituar shtesën e shpërblimit për periudhën 2008-2012, megjithëse masa e shpërblimit ndryshon sa herë që rriten pensionet e pleqërisë, sepse neni nr. 8 i ligjit 7874 i 17 nëntorit 1994 e rregullon këtë gjë dhe thotë se ‘masa e shpërblimit ndryshon në varësi nga indeksi i çmimeve dhe inflacioni”, thuhet në rekomandim. Avokati i Popullit, Igli Totozani, sqaron se fillimisht më 7 mars 2013 i është shkruar Ministrisë së Financave për sqarim. Përgjigja ka qenë se me këtë çështje merren Sigurimet Shoqërore. Më 25 mars të këtij viti i është dërguar letër Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe ka ardhur përgjigjja se kompetenca për ligjin i takon Ministrisë së Mbrojtjes dhe ISSH zbaton vetëm vendimet e Këshillit të Ministrave. Më 28 mars Ministria e Mbrojtjes ka kthyer përgjigje se llogaritjet i bën ISSH, pra kalon ‘topin’ në një tjetër institucion. Kurse Komisioni i Statusit të Veteranëve është shkrirë nga 2002. Pra Ministria e Mbrojtjes nuk ka bërë me projekt-ligje për shpërblimin e veteranëve të luftës.
Zvarritja
Duke parë se institucionet ia pasonin çështjen njëra-tjetrës, Avokati i Popullit ka investiguar vetë. Ka gjetur fakte dhe dokumente se deri në 2007 ka qenë Ministria e Mbrojtjes që kryente këto veprime. Pas këtij viti u është mohuar e drejta për këtë shpërblim të gjithë veteranëve të luftës, pasi nuk janë nxjerrë më akte nënligjore sipas procedurave. MM nuk ka propozuar as draftet përkatëse në Këshillin e Ministrave, pasi justifikimi për Komisionin e Statusit të Veteranëve nuk qëndron, sepse MM ka bërë edhe më pas drafte të tilla pa këtë komision deri në 2007. “Duke qenë se kemi marrë përgjigje negative nga këto institucione, kërkojmë që sipas nenit 102, pika 2 e Kushtetutës, që thotë se; “Kryeministri zgjidh mosmarrëveshjet mes ministrave”, kërkojmë ndërhyrjen tuaj për caktimin e organit kompetent për projekt-vendimin dhe miratimin e shpërblimit të mohuar veteranëve”, thuhet në ripërsëritjen e rekomandimit.
