Një relacion i prokurorisë së Tiranës dërguar Gjykatës, me qëllim arrestimin e kreut të Bashkisë së Kamzës Xhelal Mziu, përveç favorizimeve të kompanive të caktuara në tender publikë, zbardh dhe një skemë spektakolare të Mziut për goditjen e biznesmenëve “armiq”. Hetuesit kanë zbuluar se Xhelal Mziu kishte aplikuar taksa “ekstra” të cilat nuk ekzistonin ndaj disa bizneseve dhe kompanive që ai donte ti luftonte. Sipas relacionit në fjalë, pasi bizneset u ankuan në Gjykatë për këto taksa të vendosura në vitin 2012, gjykata I konsideroi të paligjshme ato. Por Mziu si kundërpërgjigje jo vetëm anashkaloi këtë vendim të Gjykatës por I ngarkoi të njëjtat taksa kompanive edhe për vitet 2007-2011 duke ua shumëfishuar dëmin dhe duke sfiduar në mënyrë arbitrare vendimet e gjykatës. Më poshtë DITA sjell konkluzionin e prokurorëve që kanë hetuar Mziun në lidhje me këtë çështje:
Relacioni i Prokurorisë dërguar Gjykatës së Tiranës për Xhelal Mziun:
(Marrë me shkurtime)
…Në kallëzimin e dytë të paraqitur nga shoqëria “Gjoka Konstruksion” rezulton se Bashkia Kamëz ka vendosur ndaj këtij subjekti taksa në kundërshtim me ligjin. Për këto taksa është urdhëruar bllokimi I llogarive të shoqërive të sipërcituara edhe pse gjykatat kanë vendosur pezullimin e zbatimit të këtyre detyrimeve tatimore.
Bashkia Kamzë ka vendosur në vitin 2011 nëpërmjet rivlerësimit, detyrimet fiskale për periudhën 2007-2001 për subjektin “Gjoka Konstruksion sha” në lidhje me dy taksa të kundraligjshme. Subjekti “Gjoka Konstruksion” ka kundërshtuar këtë rivlerësim tatimor në Gjykatën e Tiranës, ndërsa gjykata nga ana e saj me vendimin e datës 13 Prill 2012 ka vendosur pezullimin e zbatimit të njoftimit të rivlerësimit të urdhëruar nga Bashkia, por pavarësisht këtij vendimi të gjykatës nga ana e kryetarit të Bashkisë së Kamzës është nxjerrë urdhri për bllokimin e llogarive të kësaj shoqërie dhe pse ky shtetas(Xhelal Mziu) ka qenë në dijeni të vendimit të gjykatës.
Në këtë pikë duhet të theksohet fakti se taksat e rivlerësuara mbi bazën e një urdhri të nxjerrë nga Kryetari I Bashkisë së Kamzës janë taksa për të cilat Gjykata e Tiranës dhe më pas Gjykata e Apelit I ka deklaruar si taksa të vendosura në kundërshtim me ligjin(jo vetëm një herë). Kryetari I Bashkisë jo vetëm që nuk merr masa që këto taksa të mos aplikohen në vitet në vazhdim, por e thellon më tej kundraligjshmërinë e tij duke rivlerësuar për vitet e shkuara, për një vlerë më të madhe se taksat e deklaruara sit ë paligjshme nga gjykata.
Të gjitha këto veprime të kundraligjshme të Kryeut të Bashkisë Kamzë janë përsëritur në vitet 2009-2013 ndaj kësaj shoqërie. (Relacioni shpjegon shkeljet përkatëse në çdo vit shën, redaks)
Të gjitha veprimet e sipërcituara të kryera në kundërshtim të hapur me ligjin në mënyrë tepër flagrante nga shtetasi në hetim Xhelal Mziu, u vlerësuan nga organi I akuzës në kërkesën e drejtuar pranë gjykatës për caktimin e masës së sigurimit “Arrest me burg” ndaj këtij shtetasi. E nderuar gjykatë, prokuroria çmon se për shkak të rrezikshmërisë së veprave penale të kryera nga ky shtetas nën hetim në mënyrë të përsëritur, në mënyrë tepër flagrante; dhe për shkak të pasojave që kanë ardhur për shoqëritë kallëzuese çmojmë se e vetmja masë arresti që mund të aplikohet është ajo e “Arrestit me burg”.
