Dr. Sadri RAMABAJA
Autenticiteti kulturor i Kombit tonë do trajtuar si forcë shtytëse në procesin e ndërtimit të Federatës Shqiptare. Ngjashëm, si me vendet e jugut të kontinentit që bënë kalimin nga statusi politik kolonial, në vende të lira (1950–1960), në rrafshin ekonomik, ato, megjithatë, nuk arritën dot ta fitonin pavarësinë. Edhe Kosova, nën administratën e UNMIK-ut dhe më pas EULEX-it (1999–2008), u shndërrua gradualisht nga një koloni klasike e Serbisë, siç ishte, në neokoloni. Ky pozicion kaq i favorshëm për Serbinë, do të lëkundet në një masë të ndjeshme vetëm në sektorin e energjetikës, në vitin 2020, kur më në fund, u arrit të krijohet Sistemi Energjetik Unik Shqiptar.
Pavarësisht kësaj, hapësira shqiptare si tërësi, mbetet tutje në të ashtuquajturën Zonë Periferi, nëse i referohemi ndarjes së shteteve në zona ekonomike sipas Immannuel Walerstein-it (1988), e herë në Zonën – Qendër megjithëse nën “radarin” e Zonës – Qendër të SHBA-ve & BE-së, por me tendenca të rrëshqitjes në zonën e “Semi-Periferisë” (Turqia & Rusia).
Në këtë sistem të ndarjes strikte, jo vetëm ekonomike, ecja drjt faktorizimit të kombit, që nënkuptohet drejt krijimit të Federatës Shqiptare, ka si parakusht stabilitetin politik, respektivisht konsolidimin e elitës politike.
Krijimi i Bllokut Energjetik Unik duhet kuptuar si njërin prej hapave të parë që bëri politika në shërbim të unifikimit dhe zhvillimit të Zonës sonë ekonomike, do të duhej të pasohej me krijimin e “Blloqeve politike” unike në rrafshin ideologjik e kombëtar. Krijimin e Qendrës së Vetëvendosjes së fundmi në Tiranë (2019) e shoh si hap shumë serioz në këtë rrafsh.
Federata shqiptare – rikthim tek Shqipëria e Gjergjit
Federata Shqiptare duhet shikuar si faktor koheziv në procesin e rikthimit të plotë të kombit në shtratin e tij autokton të selitjes së ndërgjegjes nacionale në frymën e qytetërimit perendimor.
Duke ia hequr nga dora çfardo mundësie egocentrikëve për t’na trajtuar tutje si “vend icoptuar” (TORN CONTRY) edhe në rrafshin kulturor, ne lëmë prapa në histori strategjitë e armiqve të kombit për t’stagnuar ecjen tonë përpara, respektivisht për t’na kthyer në një drejtim krejtësisht tjetër (drejt Lindjes siç janë tendencat ndërkohë). Shih për këtë, Federata Shqiptare do të mund të shihet edhe si zgjim yni në trajtën e një Revolucioni, që nuk nënkupton braktisje të “një pjese të vetëvetes” ose “të një shtrese identitare”, por, përkundrazi, rikthim i plotë në vetëvete, tek Shqipëria e Gjergjit.
Federata Shqiptare do të mundësonte focimin e homogjenitetit tonë kulturor, në aspektin e çështjes së përkatësisë sonë civilizuese. Rrumbullakësimi i këtij projekti (FSH) ka si parakusht që të mbështetet nga së paku tre faktorë:
1. Të ELITËS politike dhe ekonomike;
2. Të POPULLIT dhe
3. BE-ja, respektivisht qendrave të saj vendimmarrëse, para së gjithash Berlinit).
Mbështetja e faktorit të parë – Elitës politike dhe asaj ekonomike, duhet ndërkohë të materializohet përmes dy qeverive me projekte konkrete me pasion të theksuar.
Faktori popull është një hap para elitave tona. Këtë e ka dëshmuar pjesa e kombit në Shqipërinë politike gjatë luftës, sidomos reflektimi i kuksianëve në raport me atë përmasë biblike të të dëbuarve nga Kosova (1999), por edhe ai i çdo shqiptari deri në fshatrat e thella në jugun e Atdheut.
Kjo ndjesi e të qenunit Një u shpërfaq me solidaritetin e ridëshmuar sërish më 26 nëntor 2019, me rastin e tërmetit me pasoja të rënda në Durrës, por kësaj radhe nga kosovarët – pjesa tjetër e kombit, me shpërfaqjen e solidaritetit të përmasave të jashtëzakonshme, që burimin kishte sërish te ndjesie e të qenunit Një.
Mbështetja e duhur nga faktori i tretë është e ndërvarur nga konsolidimi i faktorit të parë; ajo pason vetvetiu.
Ngritja e Federatës Shqiptar është projekti më madhor i Kombit; si i tillë ai nënkupton parasëgjithash ruajtjen e kultivimin e strukturës mendore, që asocion me rolin e sintaksës në ruajtjen e mëvetësisë së gjuhës. Jo rastësisht gjuhëtari ynë, Tafil Kelmendi ,e kishte cilësuar atë — pra sintaksën “si Kështjellë të gjuhës”; kultivimin e stilit të të jetuarit dhe të shprehjes së ndjesive dhe riprodhimit të vërtetës.
Shqiptarët si komb, nuk kanë nevojë të adaptojnë e huazojnë stile të të menduarit e të të jetuarit nga të huajt, aq më pak nga ata me të cilët i lidhë vetëm aksidenti historik (të qenunit nën Perandorinë Osmane, pra të pushtuar nga ajo perandori).
Qytetërimi shqiptar është sa autokton aq edhe perëndimor. Shih për këtë, procesin e krijimit të Federatës Shqiptare do parë edhe si hap madhor historik, që do të krijojë parakushtet për rikthim tek Shqipëria e Gjergjit, tek vetvetja, por edhe si një garanci e mirëfilltë për ecje përpara, duke qenë plotësisht vetvetja, pjesë e qytetërimit perëndimor.
Federata Shqiptare shih për këtë do konsideruar edhe si një gjedh mbrojtës kundruall tendencave neootomane, respektivisht tolerimit të nanuritjes së “pjesës së konvertuar” (national conversion), që sot identifikohet si nusprodukt i islamit politik, që me të drejtë Williams e cilëson si përfaqësim i “zgjimit kulturor të një brezi strategjik, të gjallë e dinamik” (J.A.Williams: 1971).
Kësaj dinamike të Islamit politik Federata Shqiptare mund t’ia kundërvë fare lehtë intencën e brendshme që ruan civilizimi shqiptar përmes mëtimit të ngritjes së elementeve autoktone në vlera univerzale, si: besën, toleancën, bashkëjetesën, shpirtin individual, dinamikën e grupit, forcën e Shtetit, konkurencën lojale… që reflektohen suksesshëm në fusha si: shkencë, sidomos në mjekësi e informatikë, respektivisht inovacion. Mjafton të shihen vetëm të dhënat e fondacionit THINK BANK ALBANIA (Banka e mendjes shqiptare), për të veçuar 4–5 emra nga ai numër relativisht i madhë swhkenctarësh (Dr Kristi Panqe, Dr Tomorr Imeri, Dr Eriona Heta, Dr Edi Prifti, Dr Liva Tepshi, Dr Edor Kabashi…); nga kultura (vokalistë e instrumentalistë të shkollave shqiptare sot ka gjithandej pothuajse në të gjitha shtëpitë më në zë të operave në Perendim; në sport (fudbollistë e xhudistë yje që performojnë gjithandej në të gjitha arenat sportive më cilësore të Perendimit); pop muzikë (emrat e Rita Orës, Bebe Rexhës, Dua Lipës na bëjnë të ndihemi krenar kudo)…
Ndërkohë me antarësimin e Shqipërisë në NATO, pres që civilizimit tonë, pra civilizimit perendimor, ne t’i japim edhe gjeneral të klasit të W.Clark-ut.
Autenticiteti kulturor – produkt i botëkuptimit optimist
Mbijetesa e qytetërimit shqiptar në Shqipërinë e jashtme (Kosovë me vise) nën Jugosllavi, nën zotërimin sllav, i dedikohet kryesisht forcës shtytëse, respektivisht fuqisë rezistuese që ka ruajtur në vetëvete qytetërimi ynë autentik, që ndërlidhet, sidomos gjatë shek. 20, me egzistencën e nukleusit shqiptar — Shqipërisë politike (1912). Autenticiteti kulturor i kombit sigurisht se ka krijuar një lloj botëkuptimi (Weltanschaung) optimist dhe individualitetin specifik, që është kultivuar në ndërdijen e shqiptarit. Këtë fenomen e pasqyron më së miri reflektimi i tij (i këti botëkuptimi) tek e drejta jonë zakonore, e njohur dhe e vlerësuar tashmë edhe nga qarqet akademike të jashtme, por edhe tek mendimi politik shqiptar modern (Ukshin Hoti — Demokracia autentike).
Qytetërimi islam pavarësisht depërtimit të tij në trupin dhe shpirtin e një pjese të kombit tonë, dhe ndryshimeve të jashtme të dukshme që ka sjellë, sidoqoftë ai nuk ia ka arritur dot ta cenojë këtë botëkuptim të brendshëm që zura në gojë më lart, që ka burimin tek vetë etnopsikologjia e kombit.
Elita jonë, ajo kulturore e politike e krijuar kryesisht në Perendim (fillimisht në Itali, Austri, Francë e gjetkë) dhe së fundmi në Gjermani, në Angli, në SHBA etj., në përputhje me sistemin e vlerave autentike, ishte gjithashtu në harmoni të plotë me vetëdijen dhe formimin e brendshëm familjar e nacional, të selitura mbi tabanin autokton.
Përjashtim bënin ca familje të “kasabave”, ku fryma otomane po bënte depërtimin e saj si pykë në trupin e huaj, duke davaritur me këtë rast ndërgjegjen dhe identitetin nacional. Në ruajtjen e identitetit kulturor, në rrethana aspk të lehta, në vitet e pushtimit të egër otoman, si fanar drite shërbeu mendja e zemra e elitës sonë të kohës si: Gjon Buzuku, Pjetër Budi, Pjetër Bogdani, Frang Bardhi, Gjon Nikollë Kazazi e deri tek Gjergj Fishta e së fundmi At Zef Pllumi… të selitur tërësisht në frymën e civilizimit perendimor.
Ky fakt, ka ndikuar gjithësesi në forcimin e identitetit tonë kombëtar, bazuar në parimet e gjuhës e kulturës dhe duke refuzuar ndërhyrjet e huaja të çfardo karakteri të mundshëm.
Ndikimi sllav është më i pavenerueshëm në botëkuptimin tonë, meqë qytetërimi perëndimor yni, edhe nga vetë serbët, është akceptuar si më superior deri vonë. Madje në rrafshin e mendimit politik, elita jonë edhe në përballjet e rrepta në fillim të viteve të ‘80-ta, do të dëshmohet më superiore.
Rikthimi i Shqipërisë politike në gjirin e civilizimit perendmor, në mekanizmat e tij të sigurisë dhe mbrojtjes siç është NATO dhe prosperimi i saj drejt antarësimit në BE, ndërkaq pozicionimi i NATO-s pro mbrojtjes së qenies shqiptare në krahinën shqiptare (Kosovë) në vitin vendimtar (1999) nga gjenocidi serb, duke përmbyllur këtë mbështetje me krijimin e republikës së dytë shqiptare në truallin e Ilirisë (2008), e rikthen edhe më bindshëm Kombin tonë tek Shqipëria e Gjergjit, duke krijuar kështu mundësinë reale të korigjimit të kolateralit historik (epokës osmane dhe pasojave që solli ajo me çarjen e kombit në rrafshin kulturor).
Federata Shqiptare gjithësesi do t’i shfrytëzojë benifitet që i ofron ky rreshtim i ri i Shqipërisë politike dhe me të krijimi edhe i Republikës së Kosovës, në dobi të faktorizimit të Kombit në rajon dhe brenda civilizimit perendimor.
Qendrat urbane ku është selitur qytetërimi shqiptar, si: Shkodra, Arta, Shkupi, Ulpiana… në antikitet; ato si: Janina, Manastiri, Prizreni, Shkodra… në epokën e Rilindjes, janë djepi i mëkëmbjes e selitjes së qytetërimit tonë, ku është krijuar botëkuptimi ynë, ku janë krijuar institucionet tona shoqërore e politike, por edhe stili i jetës dhe ndjesitë tona të përkatësisë nacionale.
Krijimi i Federatës Shqiptare do t’i jepte hov zgjimit e zhvillimit të kësaj ndjesie, por edhe vetëpozicionimit të faktorit shqiptar brenda civilizimit perëndimor dhe familjes politike europiane (BE-së), duke forcuar e stabilizuar krahun juglindor të tij.
Shqiptarët si komb i bashkon me kombet tjerë të Perëndimit, jo vetëm të qenunit gjeografikisht në të njejtin kontinent, jo vetëm historia, por edhe vlerat e përbashkëta , që janë de fakto pasaporta e prototipit HOMO OCCIDENTALIS.
Ngritja, mirëmbajtja e kultivimi i institucioneve të njëjta (Shtetin, Shtetin e së drejtës – pra sistemin juridik; konstitucionalizmi; pluralizmi dhe Liritë individuale; ekonomia e tregut dhe mirëqenia sociale si vlera të përbashkëta, e përafrojnë, respektivisht e bëjnë kombin shqiptar të barabartë me kombet tjerë, pjesë integrale të qytetërimit perëndimor.
