SHËNIM: Namuzqaret e qytetit dhe gratë e periferisë

editor

Është krijuar prej vitesh një mit, me ngarkesë jo pozitive, për gratë e periferisë së Tiranës. Ky lidhet me mitin e stërnjohur tashmë rreth komuniteteve të të ardhurve në kryeqytet dhe metropole. Thelbi i tij ka të bëjë me perceptimin publik të grave të periferisë si një grup nevojtar. Të paktën ky perceptim është krijuar në mjedise të shoqërisë civile. Dhe prej andej ka bërë vend në mjediset e donatorëve dhe politikëbërësve publikë. Ku është, megjithatë, problemi?

 

Të përjashtuarat e periferisë

Gratë e periferisë janë pjesë e komuniteteve të mëdha të të ardhurve. Këta migrantë të brendshëm nuk janë më një pakicë në popullsinë e Shqipërisë. Të dhënat e Bankës Botërore konfirmojnë se rreth 500 mijë shqiptarë banojnë aktualisht në një vend të ndryshëm nga ai që jetonin në vitin 1990. Në mënyrë të tërthortë, duke u mbështetur në strukturën gjinore të popullsisë, sipas Censusit të vitit 2011,  mund të konkludojmë se rreth 20 përqind e grave dhe vajzave shqiptare janë zhvendosur nga zonat rurale, të thella e malore të vendit drejt qyteteve të mëdha. Por nuk është i përligjur konotacioni që i jepet shpesh kësaj vëmëndjeje në ligjërimin politik, politikat publike dhe financimet prej donatorëve. Gratë dhe vajzat adresohen si një grup vulnerabël, në nevoja emergjente kryesisht për shërbime riintegrimi dhe kujdesi social. Ky teprim, jo vetëm që ka krijuar për to një imazh jorealist, por ka penguar integrimin e të tyre në jetën ekonomike dhe sociale të metropleve. Gratë e periferive, ashtu si gjithë komuniteti i tyre, janë vitale, me energji, potenciale dhe motivim për tu përfshirë. Ato nuk preferojnë të jenë thjesht përfituese, por edhe kontribuese në sistemin e mirqënies. Ato janë të etura për punë, arsimim dhe integrim, jo thjesht për lëmosha donatorësh që nuk dihet ku përfundojnë. Por shoqëria, me adresimin e gabuar, i ka dekurajuar të bëhen të tilla. Këto gra, me aq sa kanë pasur mundësi, nuk kanë munguar ta tregojnë veten, duke bërë një jetë aktive. Edhe pse në shumicën e rasteve jashtë tregut formal të punës, me veprimtaritë e tyre të përditshme ato kryejnë më shumë se një turn pune. Por që ne, me stereotipet tona, vazhdojmë të mos ua njohim. Ato dëshirojnë të përfshihen, por ne i mbajmë me zor të përjashtuara! Mania e shoqërisë pas një situate të tillë, më shumë virtuale se reale, ekzagjerimi i nevojës për ndihmë përkundrejt krijimit të kushteve për të kontribuar, ka krijuar një varësi të grave të periferisë nga politikat sociale pasive si edhe veprimet populiste. Dhe ato vetë ndjehen të fyera kur shërbejnë si ilustrim propagande.

 

Të harruarat e qytetit

Më ka rënë rasti shpesh të lëviz në komunitetet dhe territorin e disa  njësive bashkiake të Tiranës. Kjo edhe për shkak të detyrës sime si anëtare e Këshillit Bashkiak Tiranë. Si të gjithë aktivistët politikë dhe të zgjedhurit vendorë, edhe unë jam ndeshur me perceptimin e mësipërm për gratë e periferisë. Gjithashtu, jam surprizuar nga energjitë dhe pasioni i tyre. Por duke u afruar nga periferia drejt qendrës, kam zbuluar një realitet po kaq të dhimbshëm. Gratë qytetare, le t’i quajmë konvencionalisht vendase përkundrejt të ardhurave të periferisë, janë po kaq të përjashtuara sa edhe gratë e periferisë. Por në raport me investimin dhe kapitalin arsimor e kulturor që kanë krijuar gjatë jetës së tyre, ky përjashtim është edhe më i madh. Edhe pse nuk bie më shumë në sy. Përjashtimi i ponderuar i grave të qytetit është më i theksuar se përjashtimi i grave të periferisë. Në Tiranë, në fillim të viteve 1990-të, kishte dhjetra-mijra vajza të reja, të cilat punonin në industritë  e tekstilit, industritë e drurit, industritë ushqimore etj. Një pjesë e tyre po i afrohen tashmë moshës së pensionit. Një pjesë tjetër janë ende në moshë aktive për punë. Shumica e tyre janë të papuna. Më e keqja është se ato ndodhen jo vetëm jashtë tregut, por edhe jashtë vëmëndjes publike. Shumica e tyre janë të mbyllura brenda mureve të shtëpisë, por në mënyrë të heshtur. Për shkak të heshtjes së tyre ato kanë imponuar një vëmendje më të pakët prej hartuesve të politikave. Nëse i referohemi grup-moshës 30-64 vjeç, (Anketa e Forcave të Punës të INSTAT-it nuk ofron të dhëna më të detajuara për nëngrupet brenda këtyre kufijve moshorë) konstatojmë se një pjesë e konsiderueshmë e grave janë jashtë përgatitjes për të hyrë në tregun e punës. Anketa e fundit (tremujori i dytë 2013) na tregon se vetëm 0.2 përqind e grave të këtyre moshave ndodhen në një proçes trainimi, ndërkohë që mbi 28 përqind e tyre janë shtëpiake. Ato janë në këto situata jo si zgjedhje, por si zgjidhje, ngaqë nuk u ofrohen mundësi të tjera. Por edhe kjo dukuri ka përthyerjet e veta. Gratë e qytetit janë, ndoshta, më të përjashtuara sa gratë e ardhura të periferisë, por e fshehin këtë përjashtim me “namuzin” karakteristik të grave qytetare tiranase. Prandaj ne duhet tua heqim këtë namuz të vetëimponuar me politika e shërbime aktive, për të mos e lënë atë të shndërrohet në një perçe të vërtetë për gratë qytetare.

 

 

 

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *