Ruani distancën! Dëshira e Ronaldos për gjyqtarët

anazapta

Kristiano Ronaldo u ka bërë thirrje gjyqtarëve kudo në botë që të sigurohen për respektimin e distancës midis topit dhe murit mbrojtës gjatë goditjeve të lira. Ylli i Portugalisë dhe Real Madridit është një nga ekzekutuesit më të mirë të gjuajtjeve të lira në botë dhe nëse i realizohet dëshira numri i golave të shënuar prej tij do të jetë edhe më i madh.

“Një rregull që do të bënte punë nëse do të zbatohej kudo do të ishte bërja e një vije nga gjyqtari gjatë goditjeve të lira, e cila tregon vendin ku duhet të rrijë muri mbrojtës”, tha Ronaldo në Konferencën Ndërkombëtare Sportive në Dubai, i pyetur se çfarë rregullash do të donte të ndryshonte në futboll.

Portugezi, i cili ka shënuar 40 gola në 32 ndeshje me kombëtaren dhe klubin këtë sezon, iu përgjigj pyetjeve të ish-gjyqtarit të famshëm italian, Pierluixhi Kolina. Atij iu dha edhe çmimi “Global Soccer Award” si më i miri në vitin 2013. Për fatin e tij të mirë, FIFA e ka bërë të ditur që më parë tashmë se gjyqtarëve në  Kupën e Botës do t’u jepet një kanaçe me spruco për të bërë pikërisht ashtu siç kërkon ai.

Kjo gjë u eksperimentua me sukses në Kupën e Botës për Klube, pak ditë më parë në Marok. E njëjta pyetje iu bë edhe disa lojtarëve të tjerëve dhe trajnerëve të pranishëm në Dubai, përfshirë Pep Guardiolën e Bajernit, Antonio Konten e Juventusit dhe Fabio Kapelon e Rusisë. Guardiola tha se atij do t’i pëlqente të bënte më tepër zëvendësime, “për ta menaxhuar më mirë skuadrën”. Kapelo dhe Konte thanë që të dy se dëshironin një time-out si në basketboll. Ata do të donin një ndërprerje një ose dy minuta për të folur me lojtarët.

Ndërkaq, Ronaldo shihet si një yjet e botërorit të ardhshëm, pasi shënoi katër gola në play-off kundër Suedisë së Zlatan Ibrahimoviçit, por është i bindur se Portugalinë e pret një detyrë e vështirë në Brazil. “Do të jem i sinqertë, mendoj se duhet t’i marrim ndeshjet me radhë, pasi jemi në një grup shumë të vështirë. E nisim me Gjermaninë, një skuadër fantastike. Është shumë e rëndësishme që të kalojmë grupin”, tha Ronaldo.

 

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *