Veçoritë specifike të organizmit ndihmojnë disa njerëz që shërimin e plagëve të operacionit t’a kenë më të shpejtë, pa u prekur nga infeksionet apo ndërlikime të tjera. Çelësi në trajtimin e shpejtë të këtyre plagëve sipas ekspertëve të mjekësisë, vjen nga marrja e masave për forcimin e imunitetit trupor para realizimit të ndërhyrjes kirurgjikale. Edhe në këtë rast grupi i gjakut dhe informacionet rreth tij janë vendimtare në përcaktimin e elementëve të duhur ushqyes që ndihmojnë në shërimin e shpejtë të plagëve, teksa ndihmojnë në pakësimin e shenjës së operacionit në lëkurë.
Hartuesi i studimit: “Të ushqehemi drejt sipas grupeve të gjakut”, doktori Peter Dadamo sqaron se vitaminat dhe bimët mjekësore luajnë një rol të rëndësishëm në shërimin e shpejtë të plagëve të shkaktuara nga ndërhyrjet kirurgjikale, nëse përdoren sipas rekomandimeve të përcaktuara për secilin grup gjaku. Përdorimi i vitaminës C dhe A, disa ditë para dhe pas realizimit të ndërhyrjes, siguron mbrojtjen e duhur për organizmin që të shmangë ndërlikimet apo mundësinë e prekjes nga infeksionet e ndryshme post-operacion. “Të gjitha ndërhyrjet mjekësore gjatë një procesi kurues shkaktojnë shok në organizëm. Mos e merrni kurrë me të lehtë dhe sikur të bëhet fjalë për një operacion të vogël.
Fuqizoni që më parë sistemin tuaj imunitar të çfarëdo lloj grupi gjaku qofshi. Vitaminat C dhe A shkaktojnë efekt të madh në mbylljen e plagëve dhe kufizojnë në maksimum shenjen e prerjes që mbetet”, sqaron Dadamo në studimin e tij. Në këto kushte të gjitha grupet e gjakut kanë dobi nga marrja e shtesave të vitaminave para se të bëhet operacioni. Filloni të merrni vitaminat A dhe C katër ditë para operacionit dhe një javë më pas. Është vënë re se të gjithë të sëmurët që kanë ndjekur këtë këshillë dhe kirurgët e tyre kanë mbetur të kënaqur nga shpejtësia e shërimit të tyre.
Rekomandimet për shtesa në vitamina para operacionit
Grupi i gjakut Vitamina C (doza ditore) Vitamina A (doza ditore)
Grupi i gjaku 0 2000 mg 30.000 UI
Grupi i gjakut A 500 mg 10.000 UI
Grupi i gjakut B dhe AB 1000 mg 20.000 UI
Problemet kirurgjikale të grupit të gjakut 0
Njerëzit që kanë grupin e gjakut 0 shfaqin humbje më të madhe të gjakut se sa grupet e tjera gjatë ndërhyrjes kirurgjikale dhe më pas, sepse kanë më pak elementë mpikës në gjakun e tyre. Për këtë duhet të siguroheni që vitamina K gjendet me bollëk në organizmin tuaj, para se të kryhet operacioni i planifikuar. Prezenca e kësaj vitamine është e domosdoshme për mpiksjen e gjakut. Lulelakra dhe spinaqi kanë në përmbajtje të tyre sasi të bollshme të kësaj vitamine, por ju mund ta plotësoni ushqimin tuaj me klorofil të lëngët, e cila gjendet në ushqimet që shiten pranë dyqaneve organike. Njerëzit e grupit 0 që kanë histori të sëmundjes së variceve, ose që marrin ilaçe për të rralluar gjakun duhet që të këshillohen me mjekun e tyre për plotësimet që duhet të marrin. Duhet të dimë që se gjaku i rrallë i grupit 0 mund të mos i ndihmojë ata domosdoshmërish nga tromboza. Njerëzit e grupit 0 mund të fuqizojnë sistemin e tyre imunitar dhe metabolizmin e tyre me anë të një aktiviteti të theksuar fizik. Nëse mund t’a bëni këtë para operacionit, ushtrimi fizik do t’a ndihmojë organizmin të përballojë më mirë stresin e operacionit dhe të marrë veten sa më shpejt pas operacionit.
Problemet kirurgjikale për njerëzit që kanë grupin e gjakut B
Grupi i gjakut B është më fatlum se sa grupet e tjera, sepse ka pak mundësi që të shfaqë ndërlikime pasi të jetë kryer operacioni. Por, pavarësisht nga kjo ju nuk duhet të neglizhoni programin e përmendur për marrjen e vitaminave shtesë, para realizimit të ndërhyrjes kirurgjikale. Njerëzit e grupit B që ndihen të dobët, duhet të marrin para operacionit çaj nga dy bimë mjekësore që forcojnë sistemin imunitar. Rrënjët “arktiu” (Arktium lappa) dhe ekinakia (Echinacea purpurea) janë përforcues të fuqishëm të imuniteti. Disa filxhanë çaj nga këto bimë mjekësore janë shumë të rëndësishme në forcimin e imunitetit tuaj.
Ndërlikimet kirurgjikale për personat me grup gjaku A dhe AB
Njerëzit që u përkasin këtyre dy grupeve të gjakut janë shumë të ndejshëm ndaj infeksioneve pas ndërhyrjeve kirurgjikale. Këto infeksione mund të vonojnë shërimin dhe të krijojnë një situatë të vështirë. Këto dy grupe këshillohen që të marrin vitamina një apo dy javë para operacionit që të forcohet gjaku dhe sistemi i tyre imunitar. Këta persona duhet të marrin çdo ditë vitamina B 12, acid folik dhe plotësime me hekur, paralelisht me shtesat e vitaminave A dhe C. Këto vitamina është e vështirë që të merren plotësisht nga ushqimi i grupeve A dhe AB, ndaj këshillohet që të merren nëpërmjet shtesave. Floradix është një lëng i pasur me hekur dhe bimë mjekësore që tretet lehtë. Rekomandohet veçanërisht si shtesë hekuri, sepse hekuri shkakton acarim të sistemit tretës të këtyre grupeve. Floradix gjendet me shumicë në dyqanet organike. Grupet A dhe AB më shumë se sa grupet e tjera shfaqin shumë shpesh stres emocional dhe mendor për shkak të plagës së operacionit. Teknikat e qetësimit si dialogu dhe çlodhja, mund të jenë shumë të dobishme për këto grupe, që shfaqin një tension të lartë nervor. Duke zbatuar këto teknika, mund të ndikoni shumë thellë në procesin e shërimit. Shumë mjekë anestezistë, bashkëpunojnë me pacientët për ushtrime, ndërkohë që pacienti gjendet në anestezi. Këshillohet që të pyetet mjeku për këtë metodë, e cila rezulton të ketë shumë efekte për personat që i përkasin grupit A.
Ç’duhet të bëjmë pas operacionit
Calendula sucus, (kalendula), ndihmon plagën të mbyllet dhe e mban të pastër. Një tretje e kësaj bime omiopathitike është jashtëzakonisht shëruese, për të gjitha prerjet dhe gërvishtjet në përgjithësi. Lëngu ka veti antibiotike, dhe mund të hidhet në plagë. Ndërsa plaga fillon dhe mbyllet fillojnë dhe hiqen qepjet, një mbulim lokal me vitamine E do të zvogëlojë shenjën e prerjes dhe tërheqjen e lëkurës. Shumë veta marrin thjeshtë një kapsulë vitamine E dhe e hapin mbi plagë, por këto kapsula që merren nga goja nuk janë të përshtatshme edhe për t’u hedhur mbi lëkurë. Duhet të përdorni një krem apo një lëng që është prodhuar pikërisht për këtë qëllim.
Arsyet përse duhet të dëgjoni grupin tuaj të gjakut !
Ka shumë vitamina dhe bimë mjekësore që ndihmojnë mbrojtjen e organizmit dhe terapinë. Plotësimet e rekomanduara për rastet e operacioneve janë të pakta që ju duhet të bëni për t’u mbrojtur, dhe për të forcuar organizmin tuaj. Ushqimi i çdo grupi gjaku, përmban informacione që ju lejon që të bëni zgjedhje logjike me atë se çfarë duhet të hani ose çfarë nuk duhet të hani. Të gjitha këto zgjedhje mund të kenë ndikim të madh në shëndetin tuaj dhe në cilësinë e jetës tuaj. Duke bërë zgjedhje të drejta për atë që është më e mira për organizmin tuaj, do të mund të ndikoni pozitivisht ecurinë e terapisë, dhe të shërimit tuaj nga operacioni. Kështu, ju do të keni jo vetëm kontroll më të plotë mbi kushtet e sotme, por edhe të siguroni shëndetin tuaj në të ardhmen. Të gjithë mund të përfitojnë duke ditur se çfarë shkon me grupin e tyre të gjakut dhe çfarë nuk shkon. Bëhet fjalë për një lidhje logjike. Gjithashtu i jep përgjigje pyetjes së përse disa njerëz ja dalin me sukses me metodat tradicionale, të kurimit kurse disa të tjerë shfaqin ndërlikime dhe dhembje. Këshillohet përdorimi i këtyre informacioneve rreth grupit të gjakut për të gëzuar një shëndet më të mirë.

Artikull i mire per mjeket.