Luftërat në Afrikë, rizgjimi i zemёrimit tё tribuve

anazapta

Një nga avantazhet më të mëdha të fuqisë së Perëndimit, është se mund t’i lejojë vetes të jetë i drejtë dhe i padrejtë sipas preferencave të tij. Afrika është një kasaphanë njerëzish: në Sudan, Somali, Kongo, Mali, Republikën e Afrikës Qendrore dhe Nigerinë e Veriut ka çdo ditë luftё. Shtëpi që përfshihen nga flakët, gra e fëmijë të tërhequr zvarrë nga burra ne uniforme, njerëz të egër që hakmerren për të vdekurit e tyre,  turma që ulërijnë midis tymit dhe shkëndijave… Është rizgjuar zemërimi i tribuve, etja për ar, diamante dhe naftë

Në vitin 2011, Shtetet e Bashkuara ‘shpikën’ një shtet inekzistent: Sudanin e Jugut. Në brigjet e Nilit, një qoshe e harruar, e gjitha natyrë dhe prehistori. Faraonët nuk shkelën kurrë këtu. Barinj me kopetë e tyre, kasolle balte, asnjë rrugë apo qytet, vetëm tribu që nuk kanë parë në jetën  e tyre një makinë apo shkollë. Por aty është nafta. Një tjetër vend i mallkuar ku njerëzit e lënë veten të dehen, torturohen, poshtërohen dhe ekzaltohen nga obsesioni i saj. Duhej një shtet në mes të asgjësë për të justifikuar bizneset e mira. Sudani i Jugut, i korruptuar, tragjikisht i privuar nga çdo gjë, varet në 95% nga “ari i zi”, por ama ka flamurin, festën kombëtare dhe presidentin e tij, një ish-luftëtar i pritur në Uashington si të ishte një shërbyes ekzotik. Që nga 15 dhjetori, fisi dinka i presidentit Kiir lufton kundër nuerëve të ish-zv/presidentit Machar, i shkarkuar nga detyra si pretendent për grusht shteti. Dikur luftonin për një copë tokë apo për një lopë të grabitur, sot për një pellg nafte. Të vdekur me mijëra, refugjatë dhe njerëz që për të shpëtuar kokën u mbuluan me kufoma.

Pastaj Afrika Qendrore. Dukej një minierë diamantesh, ndoshta edhe nafte. Por, në kryeqytetin Bangui mësyjnë sistematikisht skuadra me njerëz të armatosur e të ngarkuar me detyra të pahijshme. Rebelët, të ndihmuar nga bashkëpunëtorët e tyre ciadinë, kërkojnë të shfarosin të gjithë myslimanët e veriut. Erdhën për të dëbuar një president, tashmë të zhdukur nga skena, i cili nuk kishte një ideologji, një kredo apo fe. Vetëm kleptokraci, qeveri hajdutësh. Midis tyre ka nga ata që janë vënë në ndjekje të fisit “seleka” për ta eliminuar, të tjerë me të njëjtin qëllim ndaj të krishterëve. Nëpër rruginat e savanës has kufoma të braktisura që pushojnë mbi shtresa gjaku të mpiksur. Ushtarët francezë që kalojnë midis shohin indiferentë.

 Kongoja: Nuk ka në botë një pikë më të favorshme për të shprehur disa komente mbi format e reja të urrejtjes dhe frikës. Në pyllin e heshtur të mbështjellë me pafundësinë e pemëve, në tokën e butë që avullon në një nxehtësi serre, grupe misterioze fëmijësh e adoleshentësh ecin këmbëzbathur e të armatosur. Rebelë, siglat e të cilëve zgjasin një javë dhe pastaj zhduken nga faqja e dheut. Nga ana tjetër, ushtarë të kthyer në banditë për të mbijetuar, ushtri private me bosa të vegjël që gërryejnë koltanin apo minerale të tjera në pyje, skllavërues që kërkojnë fëmijë për t’i shndërruar në skllevër dhe prostituta. Kongoja është lufta në gjendjen më të përsosur, ku edhe ata që i janë vënë kundra, kanë humbur fillin e historisë  dhe besojnë se kjo është përditshmëria normale.

Në veri të shkretëtirës, në Mali, pohojnë se gjithçka ka përfunduar: një luftë e shkurtër, francezët (sërish ata) në ndjekje të tuaregëve të cilët janë përfshirë në radhët e Al Kaedës, e që dikur ëndërronin një kalifat nën hijen e kullave Timbuktu. Tashmë duket se ka marrë fund gjithçka. Por nëse marshohet me në veri, gjithnjë e më larg ujërave të Nigerit, në koren e shkretëtirës shtrihet harku i një kame të madhe shkëmbinjsh vullkanikë, të mbuluar nga shtresa të zeza të tymi dhe gazi. Poshtë këtyre vargmaleve të Kidalit thuhet se fshihen thesare madhështore. Tuaregët dhe aleatët e tyre zelotë janë grumbulluar këtu. Presin që edhe francezët e fundit të largohen, pastaj ngadalë të marshojnë drejt Jugut. Luftërat në Afrikë nuk mbarojne kurre./D.Gjuzi

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *