Të paktën tetë njerëz mbetën të vrarë, mes tyre gjashtë gra aziatike, si pasojë e tre sulmeve me armë zjarri në tre qendra masazhesh.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur gjatë orëve të vona të natës së kaluar në Georgia, shkruan AbcNews.
47 minuta pas sulmit të parë, policia mori një telefonatë me anë të së cilës u lajmërua për një grabitje në një SPA, por brenda saj gjeti dy gra të vdekura.
Telefonatat u shtuan edhe për dy qendra të tjera masazhesh dhe shumë shpejt autoritetet dolën në përfundimin se kishin të bënin me sulme me armë zjarri, e jo grabitje.
Gjashtë prej viktimave janë gra aziaetike, ndërsa dy të tjerët ishin: një grua e bardhë dhe një burrë i bardhë. Një burrë tjetër që ka mbetur i plagosur ndodhet në spital ku po merr ndihmën e nevojshme mjekësore.
Nga ana tjetër, hetimet për ngjarjen kanë nisur dhe një person i dyshuar është vënë në pranga.
Bëhet fjalë për një 21-vjeçar që është pikasur nga kamerat e sigurisë së qendrave të masazheve. Ai është Robert Aaron Long, 21 vjeç, nga Woodstock, Georgia.
Arsyeja që e shtyu të riun të kryente këto sulme nuk dihet ende, por mendohet të jetë urrejtja ndaj aziatikëve.
Ndërkohë që FBI vijon hetimet për sulmin, pasi dyshohet se 21-vjeçari ka edhe bashkëpunëtorë.
j.l./ dita
