Nga Bedri Islami
Tani nuk është më një e fshehtë: shefi i vërtetë i opozitës nuk ndodhet në selinë e njohur si Shqup, por pak qindra metra më tej, në pallatin presidencial, që dikur ishte menduar të ishte ambasada e shtetit sovjetik.
Ilir Meta që para dy marsit të vitit të shkuar shpalli kredon e tij për rrëzimin e qeverisë dhe Lulzim Basha, duke menduar se rruga e presidentit do të ishte gjithnjë edhe rruga e tij, e mbështeti në një miting, që sa ishte i zhurmshëm për nga madhësia, aq ishte edhe grotesk nga përmbajtja.
Por, 2 marsi 2020, ishte shpallja e liderit opozitar dhe, duan apo nuk duan në shumicën qeverisëse, tani ata përballjen nuk e kanë me Bashën, që, edhe pse duket, nuk është aq “djalë i mirë” dhe naiv, por që përmasat e politikës së nëndheshme janë shumë më të mëdha dhe të ndjeshme se ajo që ai arrin të kuptojë.
Çdo gjë është e hapur, nuk ka pas vetes asnjë kulisë, megjithëse ka të fshehta.
Ilir Meta i ka hequr prej kohe dorezat dhe e ka ndërtuar në mendimin e tij ringun politik ku do të ndeshet me Ramën dhe, nëse humb me të, e di se në cilin qosh të ringut tjetër do të vendosë Lulzim Bashën.
Këto janë dy muajt përballës të jetës së tij dhe nga ajo që do të ndodhë ai e di se ka para vetes dy rrugë: ose aty ku është, pra fitues, duke deleguar bashkëshorten në Ministrinë e Brendshme, ose , si është edhe droja e tij, i akuzuar për një mijë e një gjëra, të cilat edhe ai vetë i di, por që nuk pranon t’i dijë.
Disa momente kyçe të ditëve të fundit, si në zyrat e një partie fantazmë, që nuk i ka mbetur gjë tjetër veçse një Sali, ku shpërtheu në një haluçionacion të çartur, sa që të dukej se nuk kishe të bëje me një president, por me njërin nga të fortët e lagjeve; thirrjet për prerje duarsh dhe këmbëngulja se kjo nuk është metaforë; kërcënimi se do i dërgojë njerëzit në burg me duart e tij, konferencat e shtypit që ngjajnë me thirrje lufte, përbetimet për sakrificë si heronjtë e moteve, shpallja hapur e qëndrimit të tij për luftë, nuk të dërgojnë në asgjë të mirë dhe tashmë, selia presidenciale është kthyer jo thjeshtë në vatrën e LSI, por në qendrën e opozitës.
Lulzim Basha nuk e ndjek dot atë, edhe po të dojë ta ndjekë. Herë pas here edhe ai shprishet, por e gjitha të ngjan me një kopje të keqe dhe si çdo kopje tjetër, kjo kthehet në komedi.
Ilir Meta duhet marrë seriozisht nga shteti. Paralajmërimi i tij për skenarin që po ndërton, që të ndalojë manipulimin e votave, nuk është dëshmi e një mendje të qartë e të qetë politike e as njerëzore. Ai është mësuar të ndërtojë skenarë të fuqishëm, të bazuar në egërsi dhe pushtet, dhe, nëse dikur ka arritur të burgosë, qoftë edhe për pak orë rivalin e djeshëm dhe mikun e tanishëm, Berishën, ai e bën këtë për këdo që mund të ketë nesër nën këmbën e tij.
E, jo vetëm kaq. Ilir Meta e di se partia e tij, ashtu si është dhe në duart e kujt është, është në rënie dhe se vetëm ai mund ta ngritë rishtas atë, të paktën sa të mos shkërmoqet. Llogaritë e tij janë të qarta dhe kthimi i presidencës në një shtab lufte, tashmë është fakt i kryer.
LSI është forca politike e mësuar të mbijetojë nga përllogaritjet, shit – blerjet, duke qenë e pranishme dhe duke ngritur strukturën e saj të përkohshme, por si një detashment ushtarak. Deri tani është forca politike më e komanduar, më e gatshme për përplasje, më e bindur dhe më agresive, si çdo forcë tjetër e përdhosur nga forca. Të mençurit aty janë të paktë, të diturit nuk janë të përshtatshëm, të arsyeshmit nuk bëjnë risi, të qetët nuk janë në vijën e parë dhe intelektualët që mendojnë me kokën e tyre nuk gjenden aq lehtë.
Duke e ditur se nga qeverisja Rama shumë njerëz janë lodhur, po aq sa janë në mosbesim nga rruga që ndjek Basha; të bindur se me votë nuk do të mund ta rrëzojnë dot të majtën qeverisëse, të informuar se shumë nga të fortët e qyteteve të mëdha tani janë vënë në rresht për të qëndruar pranë shefit të qeverisë, e po ashtu duke e ditur se Basha nuk ka këllqe e as njohje për të krijuar detashmentin e tij, megjithëse provën e bërë, ai ka përveshur mëngët dhe ka hyrë me të gjithë stafin e tij në betejë.
Që, ose do të jetë një fillim i ri i pushtetit të tij, e kësaj here i plotfuqishëm, ose do të jetë kthesa e fundit në jetën e tij politike e, ka të ngjarë, edhe në rrugëtimin e tij si pasunar.
Ai e di se, jo prej tashit, por prej shumë kohe, mes tij dhe institucioneve ndërkombëtare shumëçka, në mos gjithçka, është akullzuar dhe nuk ka shanse të ketë shkrirje të shpejtë. Në të gjitha dyert e pranishme në Shqipëri ai është më i padashur se asnjëherë dhe se, pas tij, vërvitet figura e Adriatik Llallës, kryeprokurorit që e hodhi në betejë kundër Departamentit të Shtetit, deri sa u bë i pari shef i madh që futet familjarisht në listën e zezë.
A mund të jetë edhe fati i Metës dhe familjes së tij, i njëjtë me të Llallës.
Zhvillimet deri në 25 prill e pas tij do të tregojnë shumë gjëra.
Presidenca e ka hapur tenderin e luftës.
Ky do të jetë i vetmi tender ku ai do të japë e nuk do të marrë, e duke dhënë, do të synojë të marrë përsëri shumëfish.
Si çdo politikan tjetër në Shqipëri në këto 30 vite.
—–
©Copyright Gazeta DITA
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016
