Për Qemal Bregasin dhe ata që po ikin përgjithmonë

J L

In memoriam

Xhevdet Shehu

 

Iku dhe Qemal Bregasi. E mori koronavirusi. Do ta përcjellim sot për në banesën e fundit. Nuk e di kush do të flasë sot atje në vendbanimin e përjetshëm të Qemalit.

Në mungesë në atë ceremoni modeste në kushtet e pandemisë, unë, si një mik i hershëm i Qemalit do të thosha vetëm kaq: Po përcjellim një njeri të mirë! Përkundër atyre që e quanin një komunist fanatik, une them se ishte një demokrat i moderuar. Koha do të bëjë të vetën, por unë u ula të shkruaj këto radhë për ikjen e Qemalit me bindjen se sot po i jap lamtumirën një njeriu të të mirë…

Të gjitha ikjet e pakthyeshme janë të dhimbshme. Por edhe të pashmangshme. Dhe në momentin e përcjelljes së një miku a të një shoku, vihemi në mendime dhe kujtohemi për emrin që la pas. Qemali la një emër të mirë dhe të respektuar edhe në kohë të vështira. Nuk kam takuar asnjë njeri që të fliste keq për të. Kaq është e mjaftueshme për njeriun. Të kujtohet për mirë.

Iku para disa kohësh Themie Thomai, ish-ministrja e Bujqësisë me një emër shumë të respektuar. Iku një specialist i njohur i bujqësisë si Jorgo Dhimpali. Iku Ismet Jaku, një intelektual i shquar në Kukës, iku Nuri Dragoj, një studiues dhe atdhetar i devotshëm. Iku mësuesi im shumë i respektuar i matematikës në shkollën e mesme Leandër Koshovari, për të cilin mund të shkruaja edhe një roman… Është e pamundur aktualisht të shkruhet për miqtë dhe shokët që po na ikin. Më besoni miqtë e mi lexues: Po kthehem në një shkrues nekrologjish! Më mbushen sytë me lotë nga ky realitet. Jam i tejmbushur me dhimbje, miqtë e mi!

***

Por u ndala tek Qemali për shkak të një historie të veçantë që më ka lidhur me të…

Qemal Bregasi ka qenë një figurë e njohur e regjimit të kaluar. Ka qenë anëtar i Komitetit Qendror të PPSH dhe sekretar i Parë i Partisë për rrethin e Sarandës, në Përmet etj., në gjysmën e parë të viteve ’80.

Jo vetëm si mallakastriot, por si gazetar, e takoja herë pas here Qemalin dhe bisedoja për probleme të ndryshme. Një nga çështjet që më ka ngjallur interes në bisedat me të ishte çështja e arratisjes së dy motrave Isabela dhe Zamira Islami, nga Saranda në gusht të vitit 1984, kohë në të cilën Qemali ishte sekretar i parë i partisë për rrethin e Sarandës. Në 2014, unë kam zhvilluar një intervistë me Qemalin dhe ai më ka treguar sa vijon për këtë ngjarje:

Pas tridhjetë vjetësh mua ajo ngjarje më sjell shumë kujtime, sepse u turbulluan shumë ujëra. U morën masa e ndëshkime të rënda, por… Padyshim që arratisja e atyre dy motrave për të cilat ti ke shkruar në gazetë, është një nga ngjarjet më mbresëlënëse. Koha në të cilën ato u arratisën, ndërsa Enver Hoxha ishte ende gjallë, ishte një tërmet i vërtetë për sistemin. Ne i shpallëm në atë kohë tradhtare ato të dy vajzat, kemi bërë mbledhje pa fund për rritjen e vigjilencës revolucionare, por në fakt akti i tyre ishte i pashembullt. Unë sot ato i konsideroj heroina dhe e çmoj shumë lart aktin e tyre, pavarësisht se nga partia në atë kohë kam marrë vërejtjen më të rëndë…

Por, historia ka ndodhur pikërisht ashtu siç e përshkruan Isabela. Ato kishin qenë të internuara në Çermë të Lushnjës dhe zgjodhën të arratiseshin nga Saranda. Kanë hyrë në det në mbrëmje diku pranë ish-kampit të punëtorëve dhe kanë mundur t’u shpëtojnë prozhektorëve që ndriçonin detin herë pas here. Askujt nuk i shkonte në mendje se mund të ndodhte një arratisje e tillë në ato kushte. Ato e bënë. Bëheshin ca lojëra olimpike në atë kohë dhe me sa dukej vigjilenca kishte rënë disi. Pas tyre do të ndodhnin edhe disa raste të tjera arratisjesh, edhe ushtarë janë arratisur… Po kur isha unë sekretar i parë, ky ishte rasti më i bujshëm. U bënë shumë mbledhje në atë kohë dhe u morën masa të rrepta për forcimin e regjimit të kufirit. Aty nga viti 1988 a ‘89, pasi unë kisha ikur nga Saranda, u arratisën nga kufiri tokësor me Greqinë dhjetëra njerëz, brenda një nate iku gati një fshat i tërë. Pra e kam fjalën se pas arratisjes së atyre dy motrave ka pasur një sërë arratisjesh nga deti e nga toka. Por ato ishin të parat dhe mua për shkak të tyre më është dhënë një vërejtje shumë e rëndë; dhe mund të them se kam qenë në prag të burgosjes…

Pse? Do të pyesni ju. Mungesa e vigjilencës revolucionare, liberalizëm, zbutje e luftës së klasave etj., i fusje ku të doje fare kollaj ngjarje të kësaj natyre. U bë një mbledhje e Plenumit të Komitetit Qendror të Partisë në atë kohë. Mbledhjet atëherë kishin një rend dite të përcaktuar shumë qartë kohë më përpara, mirëpo një pjesë e mbledhjes zakonisht nga fundi i kushtohej problemeve të ditës. Ngrihet Ramiz Alia dhe para gjithë Komitetit Qendror më kritikon për liberalizëm dhe më tërheq një vërejtje të rëndë. Të kritikoheshe në atë kohë nuk ishte gjë e thjeshtë. Ne që ishim në Komitetin Qendror e dinim shumë mirë se pas një kritike të tillë, në mbarim të mbledhjes të hidheshin hekurat dhe futeshe në burg. Mund të tregoj se ne ishim katër anëtarë të Komitetit Qendror nga rrethi i Sarandës. Rrinim bashkë në sallë. Pas kritikës, ata m’u larguan menjëherë pasi mund të shpallesha armik dhe raste të tjera më përpara, kishin treguar se sa dilnin nga salla ata që kritikoheshin, arrestoheshin. Fatmirësisht mua nuk m’u hodhën hekurat. Por hija e dyshimit vazhdoi dhe nuk m’u nda asnjëherë.

Rrodhën vitet. Regjimi komunist u përmbys dhe… një ditë të bukur, edhe Qemal Bregasi u arratis. Natyrisht pa dashjen e tij, ai ndoqi rrugën e arratisjes që kishin bërë ato dy motrat në vitin 1984.

Ja çfarë më ka treguar Qemali për arratisjen e tij:

Pavarësisht se në kohën e regjimit kur isha një kuadër i rëndësishëm arratisja konsiderohej tradhti kombëtare, në kushtet që ato vajzat u arratisën mendoj kanë vepruar shumë drejt. Njeriu duhet të pësojë vuajtjen dhe shtypjen për të kuptuar një akt të tillë. Pse e them këtë? E dini ju se edhe unë jam arratisur njëherë, nja dhjetë vjet pas atyre motrave?

Ja ta tregoj. E mbani mend kur Sali Berisha nxori një ligj për gjenocidin aty nga viti 1995. Ai ishte një ligj fashist dhe shumë njerëz të sistemit të kaluar përfunduan në burg. Edhe unë isha në listë. Po unë nuk i kisha bërë keq askujt, nuk kisha dëbuar apo internuar asnjë njeri të vetëm. Por, unë nuk mund ta lija veten të më hidhte hekurat Sali Berisha. Kështu që unë jam dënuar me burg në mungesë nga Berisha, por poshtërsia qëndron edhe në faktin se pasi e nxorën atë ligj dhe dënuan me burg shumë njerëz, janë zhdukur edhe dokumentet. Pra ata që u dënuan me burg nuk figurojnë si të dënuar. Nejse. Një mik më ndihmoi mua dhe ika në Greqi në atë kohë. Mund të them se kam kaluar një periudhë shumë të mirë në Greqi, në Athinë midis shumë miqve sarandiotë dhe minoritarë që i takova dhe treguan mjaft respekt ndaj meje. Më ka prekur miqësia dhe mirënjohja e tyre pas shumë viteve. E ruaj miqësinë edhe sot e kësaj dite me ta dhe dua të theksoj se periudha e viteve të punës në Sarandë ka qenë nga më të bukurat e jetës sime.

…Nga regjimi i Sali Berishës ka vuajtur i gjithë populli shqiptar. Këtu janë vrarë njerëz nga shteti, u dogj Shqipëria dhe u shkatërrua vetë shteti, kanë ndodhur krime të përbindshme si Gërdeci dhe 21 janari… Një ditë do të bëhet drejtësi edhe në këtë vend. Unë besoj se kjo do të ndodhë. Për më tepër kur ky njeri që ka mbjellë aq shumë përçarje dhe fatkeqësi, vazhdon të ushqejë urrejtje dhe fatkeqësi të tjera. Këtij njeriu i duhet thënë ndal njëherë e mirë.

Edhe ikja e djeshme e Qemalit ishte e padëshirueshme për shkak të një armiku të gjithëmbarshëm, covidit 19. Një ikje pa kthim! E trishtueshme. Por ngushëllimi më i mirë për të afërmit e tij është fakti se ai la një emër të mirë!

Share This Article
6 Comments
  • Kete e kane kritikuar per liberalizem asaj kohe! Dhe shume te tjere. Biles kryetarin e deges se brendshme te Srandes e hoqen atehere! Ne 1984, deri ne tetor, flitej neper mbledhje lagjesh ne Tirane, se ishin arratisur, apo bere tentativa arratisjesh, rreth 280 vete! Disa nisen te rregulloheshin, por dyqanet nisen te boshatiseshin, sepse gjithshka shkonte jashte!

  • Xhevdet, Qemali nuk eshte as i pari e as i fundit qe juve e pershkruani per lexuesin. Keni shkruar e mbrojtur shume figura serioze, burra shteti qe punuan me vetmohim ne periudhen e sistemit socialist e disa edhe me pas ne sistemin kapitalist…Te uroj shendet familiarisht!

  • Me dhmbie perciell kete lajm, per ndarien nga jte te nje Kryenjeriu*NJERI, ne kuptimin e plote te fjales.ne mund te quhej KOMUNIST, ne kuptimin e vertete te atij emertimi, qe e dime kane qene te paket, Qemal Bregasi ishte NJERI perj Tyre.
    E Kam njohur si emer,qe duhet ta imitoje, Ne Athine ato vite e para shkuar,mes 90tes, pare e rrespektuar, e kontaktuar,direkt.,fal konsideratave mare nha DAJA.*Luftetar i Shekullit*.Tavolinat ku rinte Ai shkelqenin dhe njerezit kenaqeshin, kur kontaktonin. Faleminderit i nderyari Xhevdet Shehu,sa shkruani.. I MIRI me te MIRIN e ka vendin. Ndiese e nderim asaj figure NJERZORE se pari. Permeti e mbante ne goje, Per *Luftetarin e Shekuiili* Vaso Dama….Micani… Sa shoh fotografine them :*FYTYRA PASQYRE e SHPIRTIT*
    Nje ishte Qemal Bregasi.
    Me MIRESITE e sinqeritetin e TIJ.

    85 vjecari;*Pasues Veterane*
    Guri Naimit D,(Dh,Xh)

  • .Lamtumiren I nderuar Qemal Bregasi!
    Ike I qete e krenari se kudo ku punove e drejtove ishe Njeri,I Ndershem, I Urte, I Pergjegjshem…Ne emrin e te gjitheve ne qe te njohem e te deshem Lamtumiren e fundit ta qendisi XhevdetI, miku yne brilant qe kjo kohe e nemur e ka ngarkuar si Sibilen e legjendes te percjellI per te Portat e Parajse karvanin e atyre qe u takon Parajsa. Qofsh I paharruar!

  • Si ka mundesi te kete kaluar shume mire zoti i Nderuar Qemal ne nje vend i consideruar”rracist” nga turqit e vetequajture “Shqiptare”?
    Edhe nga miq te quajture Minoritare ka kaluar shume mire zoti Qemal qe nuk ndryshoi Emrin sic kane bere me qindra mijera Epirote ne Turqi nga frika e Qemal Ataturkut?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *