Nga Bedri islami
Që nga dota e djeshme, Albin Kurti është kthyer në zyrën e kryeministrit, duke filluar kështu mandatin e tij të dytë, pas ndërprerjes së të parit pa kaluar ende 2 muaj. Ishte, si të thuash, prova e tij e përgjithshme, para se të kthehej në të njëjtën zyrë, nga ku kishte larguar nga detyra, pikërisht njeriun që ia dorëzoi atë.
Dhe, si duket, kësaj here, ai ka vendosur të qëndrojë gjatë, duke qenë i bindur se më shumë se 50 për qind e votuesve të Kosovës, që e mbështetën atë, do të vazhdojë t’i qëndrojë besnik edhe për shumë kohë.
Albin Kurti e kishte përllogaritur gjithçka me qetësi dhe pa u ngutur rikthimin e tij në pushtet, i cili i kaloi atij shumë qetësisht, sipas një protkolli që respektohet ende në Kosovë dhe që nuk lë shkas për mëri ende pa nisur puna, edhe pse ajo mund të fshihet pas buzëqeshjes apo aktit të dorëzimit.
Ai, Kurti, ndërtoi edhe kabinetin e tij qeveritar, përgjithësisht me njerëz të përgatitur, të arsimuar, gjë që jep shkas të besimit, dhe, mbi të gjitha, me një bërthamë të militantëve të njohur të Partisë së tij, të cilëve iu bashkëngjitën edhe disa përkrahës të minutës së fundit të Vjosa Osmanit, që, duhet pranuar, në skenën politike të Kosovës, ka ditur të bëjë lojën e saj, duke iu bashkëngjitur Kurtit dhe duke u bërë gruaja dhe njeriu i politikës më i votuar në Kosovë, pavarësisht se Lista e saj, nëse do të ishte e vetme, do e kalonte pragun përmes vështërsive.
Por, të gjitha këto kaluan. Albin Kurti është kryeministri i Kosovës, ai ka përkrahjen e shumicës së votuesve të Kosovës, ka shpalosur në shumë e shumë vite mendimet e tij, që kanë qenë gjithnjë kundër qeverisjeve të kohës, ka shpallur divorce dhe bashkime, është zemëruar dhe ka tymosur, ka protestuar dhe ka gjuajtur dhe, si duket, shqiptarët në Kosovë, e besuan edhe për këtë, shpirtin rebel të politikës së tij, duke pritur tashmë shpalljen e asaj që është premtuar.
Kjo është tani koha të qeverisë Albin Kurti.
Zakonisht, pas pritjeve dhe zhgënjimeve , të cilat nuk janë aq të mëdha sa janë paraqitur, njerëzit janë të paduruar për ndryshim dhe shumë prej tyre do e presin me ndryshimin me orë dhe me ditë. Do të jenë të gabuar, pasi ajo që nuk është bërë mirë në këto 20 vite nuk mund të ndreqet as në njëzet ditë e as në njëzet muaj. E prapshta ndreqet ngadalë dhe njerëzit duhet ta dinë këtë. Nëse ka të tillë që mendojnë se korrupsioni do të zhduket brnda një muaji, apo se punësimi do të rrjedhë si gurrat, do të jenë të gabuar.
Albin Kurtit i duhet dhënë kohë të veprojë, të dëshmojë dhe të ndërtojë. Duhet mbështetur në veprat e mira dhe duhet bërë opozitë në fajsitë apo gabimet që mund të vijnë nga ngutja apo pamundësia. Këtë i thashë edhe drejtuesit të një force opozitare , nga më kryesoret në Kosovë, pasi ky është edhe mendimi im dhe bindja ime. Kryeministri i Kosovës duhet të ketë gjithë kohën e duhur, natyrisht, jo të pafund, për të dëshmuar se është i aftë të ndërtojë një sistem vlerash, për mungesën e të cilave ka protestuar; duhet lënë kohë për të ndërtuar kontrollin mbi institucionet qeveritare në luftë kundër korrupsionit, pasi ai doe gjejë aty në shumë hallka; i duhet lënë kohë ër të vënë në punë ingranazhin e rënduar të ekonomisë së Kosovës, ku është mbizoterues informaliteti; duhet patur durim për të ndjekur hapat e qeverisë së tij në depolitizimin e plotë të institucioneve të pavarura, duke i trajtuar si njësi të mvetme; duhet pritur për shtrirjen e rrjetit të së mirës në të gjitha komunat, kur, për më tepër, thuajse kudo është votuar në mbështetje të tij, ashtu si i duhet lënë mundësia të dëshmojë se në bisedimet me shtetin serb, do të ketë atë qasje dhe prioritete që ka gjetur të mangët apo të gabuar tek paraardhësit e tij.
Albin Kurti nuk mund të ndryshojë Kosovën as për një ditë e as për një muaj. Qeverisja e tij nuk do të mund të bëjë ndryshimet e duhura në punësim, ndalimin e emigracionit, pranimin në institucionet e larta ndërkombëtare, vendosjen enë shinat e duhura të problemeve të mëdha të shtetit të tij , ndoshta as për një vit. Ndaj ai ka mandat katërvjeçar, ama, gjithnjë duke opozituar qartësisht, mendjehapur dhe qartësisht, pasi , megjithëse nuk është faji i tij për gjendjen, do të jetë i fajshëm nëse nuk zbaton ato që ka premtuar.
Një gjë është urgjente për qeverinë e tij, lufta kundër pandemisë, Do të jetë prioritet dhe mendoj se shumë rrethana do e favorizojnë daljen nga gjendja e stanjacionit dhe kalimi i situatës.
A do i bëjë Albin Kurti të gjitha ato që ka premtuar dhe që ka kërkuar nga të tjerët?
Është e vështirë të parashikojmë dhe të përcaktojmë, por bindja e njerëzve në Kosovë është se gjërat do të ndryshojnë.
Tani, si shefi i qeverisë që e ka ndër mend të qëndrojë në detyrë edhe pas katër viteve, Kurti duhet ta dijë më mirë nga të gjithë se, koha e deklarimeve politike po shkon drejt fundit dhe afron koha e fillesës së realizimit të asaj që pritet.
Zgjedhjet lokale të vjeshtës do të jenë dëshmia e tij e parë nëse mbështetja nuk do të rrudhet, megjithëse janë veçantitë e tyre që nuk mund të jenë të njëllojta me zgjedhjet politike. Por, janë një sinjal.
Para qeverisë Kurti, kabinetit të tij, zgjedhur me dorë një nga një nga vetë ai dhe forca e tij politike, janë mbështetur shumë shpresa dhe pritshmëria është më e lartë se ndaj çdo qeverie në të shkuarën.
Rivalët e tij të mëdhenj politikë nuk janë në Kosovë, por fryma e tyre mbetet. Kundërshtarët e tij në parlamentin e Kosovës nuk e kanë forcën për ta ndaluar. Dhe , do të bënin mirë, një punë të arsyeshme, nëse nuk do të përpiqeshin me çdo kusht të pengonin një qeveri që mori votëbesim me shumë se të gjithë ata bashkë.
Njerëzit duhet të mësohen edhe me humbjen, për të patur ringritje.
Ashtu si Kurti duhet të mësohet me faktin se qeverisja është krejt ndryshe nga komoditeti i opozitës.
Tani fillon përgjegjësia e tij. E njëjtë me besimin ndaj tij.
—
©Copyright Gazeta DITA
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016
