Kushtet për licencat e reja, ja datat e testimit për mësuesit e rinj!

Ornela

Pranvera Kola

Me mijëra mësues të rinj në të gjithë vendin përgjatë muajit prill do të garojnë për të siguruar lejen e ushtrimit të profesionit në profilet lëndore ku dhe janë diplomuar. Qendra e Shërbimeve të Arsimit ka detajuar tashmë edhe kalendarin me datat e testimit për secilin profil lëndor, teksa në ditët e ardhëshme do të shpallë edhe listën zyrtare të kandidatëve që plotësojnë kushtet për të hyrë në testim, ku për secilin prej tyre do të komunikohet data dhe ora përkatëse se kur duhet të paraqiten në QSHA për të zhvilluar provimin e shtetit për të fituar lejen e ushtrimit të profesionit. Sipas rregullave, secili kandidat duhet të paraqitet për të dhënë provimin vetëm në datën dhe orarin e përcaktuar specifikisht për të, në të kundërt nuk do të lejohet që të konkurojë në këtë sezon për licencën.

Referuar kalendarit të shpallur, mësuesit e profilit të gjuhë letërsisë do të jenë të parët që do të zhvillojnë testimin e informatizuar në datën 1 prill, për të vijuar më pas me mësuesit e gjuhëve të huaja, edukimit fizik, si dhe profileve të tjera lëndore, sipas datave të cilat i gjeni të detajuara në vijim të shkrimit. Për ciklin e arsimit fillor, testimet do të vazhdojnë për disa ditë me radhë, kjo për shkak të numrit të madh të kandidatëve që do të garojnë në këtë sezon për lejen e ushtrimit të profesionit në mësuesi.

Qendra e Shërbimeve të Arsimit ka detajuar edhe rregullat që kandidatët duhet të zbatojnë në ditën e provimit për të shmangur përjashtimin. Në këto kushte, krahas dokumenteve të identifikimit, si dhe mandat pagesës së hyrjes në testim, mësuesit e rinj në ditën e provimit duhet të kenë detyrimisht me vete edhe kopje (jo të noterizuara) të diplomave të ciklit të parë dhe të dytë të studimeve të përfunduara, vërtetimin për njohjen dhe njësimin e diplomës në rastet kur studimet janë përfunduar jashtë shtetit, dokumentacionin e lëshuar nga institucioni përgjegjës për arkivat që provon lëshimin e diplomës apo dokumentit të barasvlershëm me të, në rastet kur studimet janë përfunduar në një institucion të arsimit të lartë të mbyllur.

Në mungesë të pajisjes me diplomë të ciklit të dytë të studimeve, kandidati duhet të pajiset nga universiteti përkatës me një vërtetim ku të specifikohet se: ka shlyer të gjitha detyrimet për përfundimin e ciklit të dytë të studimeve në edukim, (si dhe njohjen e gjuhës së huaj, në bazë të testimeve të njohura ndërkombëtare dhe në nivelin e specifikuar në aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi). Ky vërtetim duhet të përmbajë edhe emërtesën e plotë dhe llojin e programit të ciklit të dytë të përfunduar, vitin e përfundimit, numrin e matrikullimit, si dhe datën e diplomimit. Kandidatët, të cilët nuk paraqesin këto dokumente, nuk mund të marrin pjesë në provimin e shtetit, e për rrjedhojë nuk do të mund të aplikojnë për vendet e lira të punës në strukturat arsimore publike dhe private në vend.

Për të mos rrezikuar pjesëmarrjen në provimin e informatizuar që do të zhvillohet në ambientet e QSHA-së, çdo kandidat duhet të zbatojë edhe rregullat në vijim, ku duhet të paraqitet pranë QSHA-së 30 minuta para orarit të përcaktuar për zhvillimin e testit, teksa duhet të jetë i pajisur me mjetet mbrojtëse për Covid-19, siç janë maska dhe doreza plastike, të zbatojë ruajtjen e distancës fizike 1,5-2 metër nga kandidatët e tjerë, të ketë me vete vetëm dokumentet e kërkuara dhe mjetin e identifikimit, të ketë me vete stilolaps për nënshkrimin e deklaratës dhe rezultatit të provimit, si dhe të mos mbajë mjete të tjera të panevojshme.

Çdo kandidat që do të kalojë në testim përgjatë këtij sezoni tashmë mund të orientohet edhe në lidhje me përmbajtjen e testit. Për të ndihmuar kandidatët rreth përmbajtjes që do të ketë testi i licencës, QSHA ka detajuar edhe fondin e mijëra pyetjeve nga të cilat do të përzgjidhen edhe pyetjet që do të jenë pjesë e tezës së provimit të licencës, të cilat janë shpallur edhe në faqen online të kësaj qendre.

Gjatë paraqitjes në provim, kandidati duhet të zbatojë këto rregulla:
• Të paraqitet pranë QSHA-së vetëm në orarin specifik të përcaktuar për të, teksa duhet të jetë i pajisur me mjetet mbrojtëse, maskë dhe doreza plastike.
• Të zbatojë ruajtjen e distancës fizike 1,5-2 metër nga kandidatët e tjerë.
• Të ketë me vete dokumentet e identifikimit, Kartë ID ose Pasaportë, dokumenti origjinal dhe kopje të tyre.
• Të ketë me vete faturën origjinale me vulën përkatëse të pagesës së tarifës së provimit për llogari të QSHA, të kryer në një bankë të nivelit të dytë bazuar në herën e pjesëmarrjes.
• Të ketë me vete kopje (jo të noterizuara) të diplomave të ciklit të parë dhe të dytë të studimeve të përfunduara dhe vërtetimeve përkatëse.
• Të ketë me vete stilolaps për nënshkrimin e deklaratës dhe rezultatit të provimit.
• Të mos ketë me vete celularë, çanta dhe sende të tjera personale të panevojshme për zhvillimin e provimit.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *