Si llogaritet shtesa që përfitoni kur shtyni moshën e pensionit!

Ornela

Pranvera Kola
Çdo person që plotëson kushtet për të marrë nga skema e sigurimeve shoqërore pension pleqërie, nëse vendos të shtyjë kohën e daljes në pension ka të drejtë të përfitojë edhe një shtesë mbi pensionin. Sipas kushteve të përcaktuara në ligjin përkatës, kjo shtesë do të jetë 0.5 për qind e masës së pensionit. Përfitimi i kësaj shtese do të zgjasë për aq kohë sa është shtyrë edhe mosha e daljes në pension.

“Përfituesi i pensionit të pleqërisë, që ndërpret pensionin, vazhdon të punojë dhe paguan kontribute, merr shtesë mbi pension në masën 0,5 për qind për çdo muaj ndërprerjeje. Kjo shtesë llogaritet mbi atë masë pensioni që rezulton pas rritjeve dhe indeksimit që ka pësuar pensioni gjatë kohës së ndërprerjes”, bëjnë me dije ekspertët e sigurimeve shoqërore.

Pensioni mujor i pleqërisë përbëhet nga një shumë bazë dhe nga një shtesë. Shuma bazë llogaritet si raport i periudhës së sigurimit, që ka realizuar personi, me periudhën sigurimit të kërkuar, shumëzuar me pensionin social. Shtesa do të jetë 1 për qind për vit sigurimi shumëzuar me bazën mesatare të vlerësuar që personat e siguruar kanë arritur nëpërmjet kontributeve. Shuma e përgjithshme e pensionit nuk mund të jetë më e vogël se pensioni social.
Sipas kushteve të përcaktuara, pensioni social, pensionet e pleqërisë, të invaliditetit, familjare, si edhe të ardhurat nga aksidentet në punë dhe sëmundjet profesionale indeksohen çdo vit për të kompensuar pasojat e ndryshimit të çmimeve të mallrave dhe të shërbimeve të zgjedhura për nivelin minimal të jetesës së pensionistëve.

Lidhur me tërheqjen e përfitimeve mujore, pensionet e njohura, por të patërhequra do të paguhen në çdo kohë, por jo më shumë se për 3 vjet. Ndërsa pensionet e caktuara, por të paguara më pak, jepen në çdo kohë, por jo më shumë se për 3 vjet. Ligji i sigurimeve shoqërore përcakton se e drejta për të kërkuar shumat e marra tepër gjatë një viti, ushtrohet jo më vonë se 3 vjet nga marrja e tyre, por jo më vonë se 6 muaj nga data e konstatimit dhe masa e ndalesës për çdo muaj është 20 për qind e këstit mujor të pensionit.

Personi, që ka përfituar pension ose të ardhura të tjera nga sigurimet shoqërore, në mënyra e mjete në kundërshtim me ligjin, detyrohet të kthejë të gjithë shumën e marrë tepër, të cilën e shlyen duke iu mbajtur çdo muaj 50 për qind e këstit mujor të përfitimit. Gjithashtu, personi dënohet me gjobë në masën katërfish të dëmit të shkaktuar, pavarësisht nga dënimi i parashikuar në dispozitën përkatëse të Kodit Penal. Autoritetet e sigurimeve shoqërore sqarojnë me tej se pensioni i invaliditetit do të ndërpritet për periudhat që pensionisti refuzon të vizitohet te komisioni i mjekëve ekspertë kompetent. Gjithashtu pensioni i invaliditetit ndërpritet edhe për periudhat kur ai refuzon të marrë pjesë në kurset e kualifikimit e të rikualifikimit, në ripërtëritjen mjekësore dhe në trajtimin kundër alkoolit e drogës, që synojnë të reduktojnë aftësinë tij për punë.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *