Me rastin e 77 vjetorit të rënies së dëshmorëve Jaho Kasëm Lepenica dhe Alush Gjika
Xhevdet Shehu
Rait Kasemaj
Nderimi për luftën antifashiste nacionalçlirimtare dhe dëshmorëve të saj është padyshim një nga vlerat e shoqërisë sonë. Në vitin jubilar të 75 vjetorit të çlirimit të atdheut nga pushtuesit nazifashistë dhe veglat e tyre kolaboracioniste ajo luftë rifitoi një shkëlqim të ri, ndërsa dëshmorët që ranë në lulen e rinisë së tyre ngrihen edhe më madhështorë në piedestalet e përjetësisë… Kënga e njohur që populli u ka kënduar atyre menjëherë pas rënies “Bij, ç’është kështu me ju,/ vitet tutje, ju tëhu…!” vazhdon të mbetet aktuale. Sado që të përpiqen ish-bashkëpunëtorët e pushtuesve nazifashistë dhe pinjollët e tyre ta mohojnë luftën dhe gjakun e dëshmorëve, e kanë të pamundur t’ia arrijnë qëllimit të tyre të mbrapshtë.
Por nuk ishte e thënë që beteja me neofashistët dhe pinjollët e ballistëve të përfundonte dy vite më parë. Me sa duket ajo do të vazhdojë, përderisa lukunitë kundër Luftës së madhe Antifashiste vazhdojnë e vazhdojnë.
Kam njohur dy vite më parë një pasardhës dëshmori nga Lepenica. Më preku me tregimin e tij dhe që edhe pas më shumë se treçerekshekulli mendja i rri atje, te akti sublim i tij, te sulmet që i bëhen një kauze të ndritur të historisë sonë kombëtare. Me shumë mundim, po përpiqemi të rikujtojmë dhe të sjellim në kujtesën e lexuesve aktin e dëshmorit të Atdheut Jaho Lepenica… Sot është 77-vjetori i rënies së tij. Kujtesa është një vlerë e kombeve të qytetëruar. Është një apel që historia e keqe e pushtimeve dhe e riciklimit të së keqes të mos përsëritet.
Dëshmori Jaho Lepenica na bën apel!
***
Një nga yjet e pashuar të lirisë është dhe Jaho Kasëmi, ish-partizan i Brigadës së 5-të Sulmuese që e dha jetën në fund të marsit të vitit 1944, vetëm pak muaj para se të çlirohej Shqipëria. Nuk është i vetëm Jahoja në këtë fat. Janë edhe shumë e shumë të tjerë, djem dhe vajza idealistë të një Shqipërie të re para të cilëve duhet të përulemi përjetësisht. Le të kujtojmë se Brigada e Pestë Sulmuese, e drejtuar nga Shefqet Peçi, ishte një nga brigadat më heroike dhe më legjendare të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, e cila shkroi faqe lavdie në atë epope të ndritur nga jugu e deri në veri të Shqipërisë.
Por, le të ndalemi te jeta e dëshmorit Jaho Kasëmi, pasi edhe ai është një nga yjet e asaj brigade, një pjesë e lavdisë dhe e heroizmit të saj.
Ai ishte dhe mbeti një nga ata, të pavdekshmit e lirisë. Le ta përkujtojmë sot këtë dëshmor. Është një nga aktet më të thjeshta që mund të bëjmë, kur ai bëri aktin sublim. Në të vërtetë akti i tij është krejtësisht i ngjashëm me atë të gjithë dëshmorëve të panteonit të lirisë shqiptare. Në atë panteon ai shkëlqen si një yll i pashuar…
Jeta e këtij dëshmori nuk ka shumë enigma.
U lind dhe u rrit mes shumë vështirësish jetese si të gjithë shqiptarët në atë kohë. Ishte një jetë shumë e vështirë, thuajse e papërfytyrueshme për kohën e sotme.
U lind në fshatin Lepenicë të Labërisë famëmadhe. Tradita atdhetare familjare luajti një rol të jashtëzakonshëm në formimin e karakterit të tij si revolucionar, me një dashuri të pakufishme për atdheun. Në një kohë që atdheu ishte i pushtuar nga fashistët, Jahos i vlonte gjaku. E donte atdheun të lirë. Por si?
Me dëshirë të madhe merrte pjesë në mbledhjet e rinisë antifashiste dhe diskutonte me zjarr. Pa asnjë mëdyshje merrte përsipër detyra të vështira që rrallëkush mund t’i pranonte. Ishin detyra luftarake dhe me rrezik jete. Por ai ishte sypatrembur… Ndërkohë, me një vullnet të hekurt mësoi shkrim e këndim, pasi ishte një detyrë e ngarkuar nga organizata e rinisë komuniste.
Në nëntor të vitit 1943,në mbledhjen e rinisë që u bë në fshatin Gumenicë, Jahoja bashkë me të rinjtë dhe të rejat e aktivit, doli vullnetar për të qenë pjesëmarrës i Brigadës së Pestë Sulmuese që ishte duke u formuar. Dhe u bë një nga yjet e asaj brigade. Ai ishte pjesëtar i kompanisë së parë të batalionit të pestë të kësaj brigade.
Në muajin mars të vitit 1944 Jahoja shkruajti një nga faqet më të ndritura të jetës së tij si partizan, si atdhetar i madh. Mori detyrën të zbulonte pozicionet naziste. Koha nuk priste. Skuadra u u nis nga fshati Plloçë,e maskuar që të mos diktohej nga armiku. Skuadra mbërriti në përrua pa u diktuar dhe filloi të ngjitet në faqen e një bregoreje me shkurre. Nazistët nga ana e tyre po nxitonin të arrinin majën e bregores. Sa u dukën helmetat e nazistëve, filloi lufta. Armiku fillimisht u duk se u tërhoq nga ky zjarr i papritur. Por askujt nuk i shkonte ndërmend se armiqtë ishin të fshehur aty rrotull…
Më 30 mars pasdite batalioni u rreshtua. Komisari foli për situatën dhe detyrat që shtroheshin. Partizanët ndodheshin para një sfide të vështirë.
Në mbrëmje, kur u drejtuan nga Kropishti, u kuptua më qartë misioni i rëndësishëm. Në afërsi të Kropishtit, u ndanë detyrat. Kompania e parë do të sulmonte pozicionet dhe fortifikimet me qendra zjarri të nazistëve. Jahoja bënte pjesë në skuadrën e parë, e cila iu afrua telave me gjemba, ku ishin rrethuar nazistët. Pritej sinjali për t’u hedhur në sulm kundër armikut. Kushtroi thirrja: Para partizanë!
Jahoja sulmoi me granata dore dhe me zjarr të pandërprerë. Por një mitraloz me një breshëri të pandërprerë ia këputi jetën në mes.
Kjo ndodhi më 31 mars 1944. Në atë përpjekje bashkë me Jahon, në pozicionin afër me të, mbeti i vrarë edhe Alush Muhamet Gjika, komandanti i skuadrës. Oh, sa mirë do të ishte të shkruhej sa më gjatë për heroizmin dhe lavdinë e këtyre trimave!
Lavdi dëshmorit Jaho Kasëmi dhe të gjithë atyre që e dhuruan gjakun për lirinë e atdheut!
Populli këndon:
Jaho Kasem Lepenica,
Shumë i ri dole në prita,
U bashkove me petrita,
Djem të rinj nga Shushica.
Në Brigad’ të Pestë qëndrove,
Në shumë beteja luftove,
Po një natë befasisht,
Ju bënë pritë në Kropisht.
Jaho si dragonj luftuat,
Me Alush Gjokën e shokë,
Ju ishit në pararojë,
Si heronj bëtë epokë!
Ju u hodhët si shqiponja,
Mbi hordhitë e armikut,
Batalionin e shpëtuat,
Nuk iu drodh fare qerpiku!
Aty ratë për Shqipëri,
Dy pishtarë për liri,
Mbetët yje të pashuar,
Në tokën lavdi mbuluar!
Lule djemtë e nënave,
O yje të Labërisë!
Lule Jaho dhe Alush,
I dhatë dritë Shqipërisë!
