Nis nesër gara e testimeve për licencat e reja në mësuesi. Qendra e Shërbimeve të Arsimit ka detajuar listën e 221 mësuesve të rinj që do të kalojnë të parët në testim përgjatë ditës së enjte dhe të premte për të fituar lejen e ushtrimit të profesionit të mësuesit në lëndën e gjuhës shqipe, gjuhës gjermane, italiane, asaj frënge, si dhe arteve figurative. Ndërkohë që për profilet e tjera lëndore testimet do të rifillojnë javën e ardhëshme.
Për çdo kandidat që është pjesë e listave të detajuara në vijim të shkrimit, është përcaktuar edhe data dhe ora specifike se kur duhet të paraqiten në ambientet e QSHA-së për të zhvilluar testin e informatizuar. Çdo mësues duhet të tregohet i kujdesshëm dhe të paraqitet për të dhënë provimin vetëm në datën dhe orën e përcaktuar për të.
Sipas rregullores së zbardhur më herët, për të mos rrezikuar hyrjen në provim, kandidatët që janë pjesë e kësaj liste duhet të paraqiten në ambientet e kësaj qendre 30 minuta para fillimit të provimit të shtetit. Ditën e provimit kandidati duhet të jetë i pajisur me: mjetet mbrojtëse, maskë dhe doreza plastike, të zbatojnë ruajtjen e distancës fizike 1,5-2 metër me kandidatët e tjerë. Gjithashtu, duhet të keni me vete edhe letërnjoftim (Kartë ID ose Pasaportë) për pjesëmarrje në provimin e shtetit (dokumenti original, si dhe kopje të tyre, si edhe faturën e pagesës së tarifës së provimit të shtetit të derdhur në një nga bankat e nivelit të dytë, ku të jetë e specifikuar hera pjesëmarrjes. Autoritetet e QSHA-së sjellin në vëmendje se fatura duhet të ketë vulën e bankës përkatëse.
Po ashtu, duhet të keni me vete edhe kopjet e diplomave të programeve të ciklit të parë dhe të dytë të studimeve të përfunduara prej tyre, si dhe njohjen e tyre nga MASR, në rast përfundimi të programeve të studimit jashtë shtetit. Kandidatët, të cilët nuk janë pajisur me diplomë të ciklit të dytë të studimeve, duhet të paraqesin një vërtetim nga universiteti përkatës, ku konfirmohet shlyerja e të gjitha detyrimeve, përfshirë edhe gjuhën e huaj, sipas akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi. Mungesa e ndonjërit prej këtyre dokumenteve penalizon kandidatët me përjashtim nga provimi e shtetit për profesionin e rregulluar të mësuesit.
Kandidatët që do të vlerësohen në testimin me alternativa me më pak se 50 pikë, nuk do të pajisen me licencën profilit në të cilën aplikojnë, pasi rezultojnë mbetës. Sipas rregullores, nëse një kandidat nuk paraqitet në provim, ose tërhiqet përpara fillimit të tij, atëherë provimi nuk vlerësohet si i kryer. Nëse kandidati nuk e merr provimin me herën e parë, kur ta rijapë atë sërish, duhet të paguajë një tarifë edhe më të lartë. Tarifa vjen në rritje, për çdo provë të dështuar të kandidatit.
Personi, që kërkon të ushtrojë një profesion të rregulluar, duhet të ketë përfunduar programin përkatës të akredituar të studimit ose kualifikime profesionale në atë profesion, të cilat vërtetohen me dokumente zyrtare, të lëshuara brenda ose jashtë vendit dhe të njohura në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
KLIKO grupet:
