Data dhe struktura e testit kombëtar për klasat e V-ta!

Ornela

Provimi kombëtar për klasat e pesta do të zhvillohet në muajin Maj. Në udhëzimin e fundit të miratuar, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë bën me dije se zhvillimi i vlerësimit të arritjeve të nxënësve të arsimit fillor për klasat e pesta do të jetë në datën 21 Maj. Për shkak të gjendjes së krijuar në vend nga pandemia e Covid-19, përgjatë vitit të shkuar ky test nuk është zhvilluar.

Shkollat tashmë po marrin të gjitha udhëzimet në lidhje me përgatitjet që duhet të zhvillojnë për realizimin e këtij testimi në datën e përcaktuar. Sikundër ka ndodhur në vitet e mëparëshme, edhe për 2021 nxënësit e këtyre klasave do t’i nënshtrohen testit me shkrim që do të jetë i integruar, ku në përmbajtje do të përfshijë pyetje që kanë të bëjnë me njohuritë që janë fituar në tre lëndët, gjuhë shqipe që do të ketë 45 për qind të pyetjeve, matematikës me 35 për qind të pyetjeve, si dhe diturisë së natyrës me 20 për qind të pyetjeve.

Sa i takon pyetjeve që do të jenë rreth lëndës së gjuhës shqipe, autoritetet e arsimit sqarojnë se nxënësit do të testohen për të lexuarit e teksteve letrare dhe jo letrare, të shkruarit për qëllime personale dhe funksionale, si dhe përdorimin e duhur të gjuhës shqipe. Nxënësi duhet të jetë në gjendje të dallojë dhe të përdorë drejt lloje të ndryshme fjalish, gjymtyrët kryesore të fjalisë, si dhe kategoritë gramatikore kryesore të emrit, foljes, mbiemrit, përemrit, si dhe gjen lidhëzat dhe parafjalët, etj.

Për lëndën e matematikës, vlerësimi i njohurive dhe shkathtësive të kompetencave matematikore do të ndalet në zgjidhjen e ushtrimeve dhe problemave që kanë të bëjnë me këto pesë tematika kryesore që janë: numri, matjet, gjeometria, algjebra dhe funksioni, si dhe statistika dhe probabiliteti.

Identifikimi i problemeve dhe zgjidhja e tyre, përdorimi i mjeteve, objekteve dhe procedurave shkencore, komunikimi në gjuhën dhe në terminologjinë e shkencës, janë ndër tematikat ku do të ndalet testimi i nxënësve sa i takon pyetjeve që do të ketë lënda e diturisë së natyrës.

Sipas rregullave të përcaktuara, testi për vlerësimin e arritjeve të nxënësve të arsimit fillor do të nisë në orën 10:00. Provimi do të zhvillohet në ambientet e përcaktuara nga strukturat vendore të arsimit parauniversitar. Për plotësimin e testit nxënësit do të kenë në dispozicion 1 orë e 30 minuta kohë të nevojshme për realizimin e të gjitha pyetjeve. Ekspertët e arsimit sqarojnë se një ndër rregullat që nuk duhet neglizhuar është edhe koha e paraqitjes në ambientet ku do të zhvillohet testimi. “Nxënësi duhet të paraqitet 1 orë përpara në qendrën ku do të zhvillohet testi”, sqarohet në udhëzimin e MASR.

Për nxënësit me aftësi të kufizuara bëhet e ditur se provimin do ta zhvillojnë bazuar në planin individual me të cilin punojnë në shkolla, si dhe në përshtatje me veçoritë e tyre specifike. Ndërsa Instituti i nxënësve që nuk shikojnë do të tërheqë testin në Qendrën e Shërbimeve të Arsimit një ditë përpara zhvillimit të provimit, të cilin duhet ta kthej në sistemin e shkrimit “brail” që të jetë i kuptueshëm për këtë kategori nxënësish. Do të jetë Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar që do të monitorojë procesin e vlerësimit të arritjeve të nxënësve të arsimit fillor për këtë vit, për çdo parregullsi të verejtur gjatë kohës së zhvillimit të tij.

Vlerësimi i testit të nxënësve do të bëhet me pikë sipas një formati të përcaktuar nga Qendra e Shërbimeve të Arsimit në varësi të përmbajtjes së testit. Sikundër ndodh me provimet e maturës, edhe për klasat e pesta testet do të korigjohen nga dy vlerësues. Në korrigjimin e testeve do të marrin pjesë vetëm arsimtarët që plotësojën këto tre kushte: të kenë minimalisht pesë vite pune eksperiencë në arsimin fillor, të kenë arsimin e lartë përkatës, si dhe të jenë vlerësuar me rezultate të larta në mësimdhënie. Shpallja e rezultateve do të bëhet brenda 15 ditësh nga momenti i zhvillimit të testit.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *