Faleminderit Gjergj Meta

editor

Duke qenë se para disa kohësh u bëra pjesëmarrës në një mini-debat me Dom Gjergj Metën ku unë dhe të tjerë ankoheshim për mungesën e zërave të moderuar në komunitetin katolik shqiptar në çështje të marrëdhënieve me komunitetin musliman, e ndjej si obligim ta falënderoj Gjergj Metën tani që ai ka shprehur qartësisht dhe pa ekuivok një nga mesazhet më të forta në mbështetje të bashkëjetesës fetare në Shqipëri. E kam fjalën për shkrimin e tij të para ca ditëve, “Europa e ‘krishterë’ dhe Shqipëria ‘myslimane’”. Në këtë shkrim Gjergj Meta u përgjigjet zërave të disa politikanëve, ndoshta Ilir Meta, por edhe kryeministri Edi Rama ditët e fundit, si dhe të tjerë miqve të tij, të cilët ia faturojnë mohimin e statusit kandidat nga BE-ja faktit se ne jemi vend me shumicë muslimane. Gjergj Meta i vë fre menjëherë këtij debati hutues duke e bërë fare të qartë se fajet për mos marrjen e statusit nuk i ka aspak përbërja jonë fetare e prezenca e Islamit mes nesh, por i ka plotësisht dhe pa asnjë dyshim kasta jonë e dështuar politike.

Arsyeja pse e falënderoj Gjergj Metën dhe e konsideroj shkrimin e tij si një nga më të mirët të viteve të fundit është sepse ai jo vetëm tregon sinqeritetin dhe njerzillëkun e munguar tek shumica dërrmuese e liderëve tanë fetarë e politikë, por ai me këtë shkrim arrin dy gjëra shumë të vyeshme e të domosdoshme për diskursin tonë publik. Së pari, nga pozita e një lideri fetar mjaft të respektuar katolik shqiptar, ai kundërshton me forcë diskursin anti-islam që nxjerr kokën herë pas here në mediat tona, si nga individë të komunitetit të krishterë, dhe atij laiko-ateist. Me këtë ai kryen një shërbim të paçmueshëm ndaj bashkëjetesës sonë fetare. Së dyti, ai ua bën të qartë politikanëve tanë se ne nuk mund të gënjehemi kaq kollaj dhe nuk pranojmë që ata të na shesin përralla të tilla me ngjyrime fetare për të maskuar dështimet e tyre katastrofike dhjetra vjeçare ndaj popullit shqiptar. Kjo është një thirrje syçelëse ndaj çdo qytetari shqiptar që të mos pranojë justifikime të tilla bajate nga ata që e kanë marrë përsipër të na përfaqësojnë por që vetëm se na zhgënjejnë, vazhdimisht e pandërprerë.

Rëndësia e shkrimit të Gjergj Metës del në pah edhe më fort nga kontrasti me shkrimin e një lideri tjetër fetar katolik të vetëm disa ditëve më pas, atë të Dom Lush Gjergjit, kreut të Kishës Katolike në Kosovë, me titull “Krishtërimi historik dhe aktual në Kosovë”. Me fjalët e një kritike që i bëri këtij shkrimi forumi musliman E-zani: “Janë vetëm disa nga rastet e ndërhyrjes së Kishës katolike të Kosovës në sferën publike, identitare dhe politike, në shkelje të hapur të laicitetit, shtetit, bashkëjetesës ndërfetare, e cila duhet të bazohet mbi laicitetin, të trashëgimisë kombëtare që vjen nga themelet e shtetit shqiptar gjatë rilindjes, të konceptit të kombit të përpunuar nga rilindësit shqiptarë etj. Ajo shkel gjithashtu kompromisin fetar, që, megjithëse i pashkruar, nuk do të thotë se është fantazmë. Asnjë komuniteti fetar nuk mund t’i tolerohet monopolizimi i vlerave laike të shqiptarizmit, aq më tepër përjashtimi komuniteteve të tjera nga këto vlera të përbashkëta. Jemi shqiptarë përtej besimeve fetare dhe kemi disa simbole e karakteristika që i mbivendosen feve tradicionale. Përkundrazi, Kisha katolike e Kosovës pretendon haptazi superioritetin, autoktoninë, vjedhjen e identitetin shqiptar.”

Prandaj edhe njëherë e falënderoj publikisht Dom Gjergj Metën për shkrimin e tij frymëzues i cili më bën të ndihem krenar që kam bashkëatdhetarë të tillë të krishterë dhe më bën të ndihem i qetë që bashkëjetesa jonë fetare ka mbrojtës kaq të mirë.

 

P.S. Unë nuk jam përfaqësues i asnjë organizate apo shoqate muslimane dhe nuk marr përsipër të flas në emër të gjithë shqiptarëve muslimanë. Ky shkrim dhe ky falënderim është thjesht opinioni im personal si besimtar dhe aktivist musliman shqiptar.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *