“I nderuar kryetar i Kuvendit, zoti kryeministër Kurti, deputetë të legjislaturës së 8-ë. Përfaqësues të vendeve mike, miq që nuk na u ndatë. Faleminderit për durimin dhe pjesëmarrjen.
Është nder i madh për mua që me bekimin tuaj dhe vullnetin e qytetarëve t’iu drejtohem nga foltorja e këtij Kuvendi në cilësinë e Presidentes më të re të vendit tonë.
Vullneti juaj i shprehur me 14 shkurt, më veshi njëkohësisht me përgjegjësi. Dashuria për Kosovën, ka qenë motivimi më i madh për jetën politike. Sot është dita e Kosovës, është dita juaj, është ditë në të cilën vullneti juaj i shprehur me 14 shkurt po plotësohet dhe institucionet po konstituohen.
Është dita e Kosovës sepse personat që ju zgjodhët, po demonstrojnë një nivel të lartë demokracie. Dëshmojmë edhe njëherë, që me urtësi dhe vendosmëri dimë t’i përballojmë sfidat dhe t’u japim kuptim.
Sot Kosova zgjodhi edhe njëherë një Presidente grua. Shpresoj ta mbani ndërmend këtë që po ndodh tani. Vajzat e kanë vendin aty ku ëndërrojnë, e aty ku punojnë me zell. Përfaqësimi i qeverisë tonë nga gra, është shembull që duhet ndjekur edhe nga vende më të zhvilluara. Nuk kemi nevojë të shohim përtej kësaj salle, për të kujtuar vuajtjet e tmerrshme të vendit tonë dhe sakrificat e shumta që kaluam. Historia jonë është dhe historia e njerëzve përfaqësues në këtë sallë.
Si drejtuese e institucionit më të lartë, shfrytëzoj rastin të ftoj të gjithë politikanët e këtij vendi që të ndërtojmë mirëkuptim ndaj njëri tjetrit, bashkëpunim me qeverinë e Kosovës dhe gjithë përfaqësuesit e qytetarëve në Kuvend. Duhet të sigurohemi që Kosova është vendi i qytetarëve të saj.
Paqja do të arrihet vetëm kur të ketë pendesë nga Serbia, kur të kërkohet falje nga ajo.
Sfidat janë të shumta, veçanërisht ajo me pandeminë. Prandaj le ti qëndrojmë pranë njëri-tjetrit. Fitorja dhe suksesi do të jenë të përbashkët dhe vetëm të bashkuar do ta bëjmë të mundur. Kemi humbur shumë jetë njerëzish dhe të tjera mund të humbim.
Do të jem sy dhe vesh për të dëgjuar nevojat tuaja. Kosovën duhet ta bëjmë më të fortë se është mëmëdheu ynë. Si presidente, do të sigurohem që interesi ynë nacional të jetë mbi të gjitha. Të gjithë jemi në shërbim të Kosovës”
