11 persona kanë vdekur brenda 24 orëve të fundit në Kosovë si pasojë e infektimit me koronavirus.
Kështu është bërë e ditur nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, në njoftimin e të cilëve thuhet se edhe 512 persona janë infektuar me COVID-19.
Rastet e reja të infektimit kanë rezultuar nga gjithsej 4 mijë e 718 mostra të marra për testim.
Gjatë së njëtës periudhë kohore janë shëruar 524 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 77.957 raste, kurse numri i rasteve aktive është 14.284.
Numri total i rasteve pozitive është 94.167 raste nga 447.840 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.926 raste të vdekjes.
“Rastet pozitive janë nga komunat: Prishtinë 185 raste, Gjakovë 39 raste, Ferizaj 37 raste, Gjilan 37 raste, Pejë 37 raste, Mitrovicë 25 raste, Podujevë 22 raste, Fushë-Kosovë 21 raste, Kamenicë 13 raste, Kaçanik 12 raste, Prizren 9 raste, Vushtrri 9 raste, Obiliq 8 raste, Skenderaj 8 raste, Drenas 7 raste, Malishevë 7 raste, Lipjan 6 raste, Viti 6 raste, Klinë 5 raste, Suharekë 5 raste, Rahovec 4 raste, Shtime 4 raste, Deçan 2 raste, Istog 2 raste dhe me nga një rast komunat Dragash dhe Graçanicë”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.
Me rritjen e numrit të rasteve pozitive dhe vdekjeve si pasojë e koronavirusit, Ministria e Shëndetësisë, me rekomandim të institucioneve të tjera shëndetësore, ka marrë vendim që të ketë masa më strikte, për të parandaluar shpërthim edhe më të madh të infeksionit.
Është propozuar mbyllja për 12 ditë e lokaleve të gastronomisë, qendrave tregtare, palestrave e shkollave. Po ashtu, lëvizja e qytetarëve është propozuar të lejohet nga ora 05:00 e mëngjesit deri në orën 22:00 të mbrëmjes. Marketet, furrat dhe barnatoret do të lejohen të ushtrojnë veprimtarinë e tyre.
Sipas Express, këto masa që është propozuar të hyjnë në fuqi nga data 6 dhe të zgjasin deri më 18 prill, do të diskutohen sot në mbledhjen e Qeverisë në orën 15:00, ku pritet të merret vendimi për miratimin e tyre.
Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti ka deklaruar për Express se gjatë ditës do të dalë njoftimi për masat e reja.
“Për masat gjatë ditës ju njoftojnë kurdo që merret ndonjë vendim”, ka thënë Hoti.
j.l./ dita
