12 prilli – Dita e Kozmonautikës, 60-vjetori. Për pushtuesit e parë të hapësirës kozmike

J L

E fshehta dhe e panjohura gjithmonë e kanë tërhequr dhe sugjestionuar mendjen dhe fantazinë e njeriut. Qielli plot yje dhe kozmosi kanë qenë ndër të fshehtat më të mëdha, që njerëzit janë përpjekur të njohin që në ditët e para të ekzistencës së tyre.

Qytetërimet e para, që njohim, kanë bërë përpjekje, për të studiuar kozmosin. Por vetëm pas shpikjes së teleskopit në vitin 1608 Njerëzimi mundi t’i shohë më hollësisht yjet. Kurse zhvillimi i vrullshëm i teknikës dhe teknologjive në shek. XX mundësoi jo vetëm të vrojtohet qielli dhe yjet, por dhe “të preken me dorë” ato. Flamurtarë në këtë proces u bënë BRSS dhe SHBA. “Gara kozmike” e superfuqive e viteve 1940-1980 i dha një shtysë të fuqishme zhvillimit jo vetëm të fushës së kozmosit, por dhe drejtimeve të tjera ekonomike të teknologjisë së lartë, që punonin për sigurimin e fitoreve dhe rekordeve kozmike.

 

Kozmonautika në BRSS

 

              “Ajo, çka dukej e paarritshme gjatë shekujve,

                                       që deri dje ishte vetëm ëndërr tejet e

                                      guximshme, sot po bëhet detyrë reale,

                                       kurse nesër… e vërtetë e kryer”.

 

                                         S.P.Koroljov

       (Shkencëtar sovjetik, konstruktor i sistemeve të raketave kozmike).

 

Ideja për të bashkuar drejtimin kozmik me atë tokësor të veprimtarisë së njeriut i përket shkencëtarit rus, themeluesit të kozmonautikës teorike K.E.Ciollkovskit. Janë të njohura fjalët e tij: “Fillimisht, në mënyrë të pashmangshme, ecin mendimi, fantazia, përralla… kurse pas tyre marshon llogaria e saktë”. Llogaritjet e tij ishin vërtet më të saktat për kohën e tij, duke u bërë më pas mbështetje për inxhinierët e shquar sovjetikë – Sergej Koroljov dhe Mihail Tihonravov.

Kozmonautika është unikale për faktin, që shumë parashikime, fillimisht të fantastëve, mё pas u kryen nga shkencëtarët me shpejtësi vërtet kozmike. Që më 4 tetor 1957, vetëm 12 vite pas mbarimit të Luftës shkatërrimtare të Madhe Patriotike 1941-1945, në BRSS, nga aerodromi kozmik në qytetin Bajkonur, u krye lëshimi i raketëmbajtëses “Sputnik” (Satelit), e cila më vonë doli në orbitën pranë Tokës. Ai ishte sateliti i parë i ndërtuar nga dora e njeriut dhe i lëshuar nga Toka. Lëshimi i kësaj rakete shënoi një epokë të re në zhvillimin e studimeve kozmike. Një muaj më vonë u lëshua “Sputnik-2”, me krijesën e parë të gjallë brenda, që doli në orbitën e Tokës. Ishte qeni Llajka. Ai ishte 3 vjeç dhe kthimi në Tokë me anë të konstruksionit të aparatit kozmik nuk ishte parashikuar. Disa orë pas qëndrimit në kozmos qeni ngordhi nga temperatura e lartë, por ai dha një ndihmesë të madhe në zhvillimin e kozmonautikës. Pastaj, më 19 gusht 1960, në kozmos, me anijen “Sputnik-5” fluturuan qentë kozmonautë sovjetikë Bjellka dhe Strellka, të cilët u kthyen shëndoshë e mirë në Tokë pas 25 orë fluturim.

Triumf i vërtetë i shkencës sovjetike u bë lëshimi më 12 prill 1961
i anijes kozmike “Vostok” (Lindja) me njeriun e parë kozmonaut në botë në bord, Juri Gagarinin. Pikërisht këtë ditë Rusia dhe disa shtete të ish Bashkimit Sovjetik e kremtojnë si Ditën e Kozmonautikës. Në vitin 2011,
– viti jubilar i kozmonautikës botërore – në sesionin e 65-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-sё u vendos, që 12 prilli të quhet Dita ndërkombëtare e fluturimit të njeriut në kozmos. Këtë vit kjo ngjarje mbush 60 vjet.

Kjo ditë është rast i mirë, për të kujtuar emrat e yjeve më të ndezur të kozmonautikës sovjetike, të njohur mirë jo vetëm në atdheun e tyre, por dhe në mbarë botën.

Sergej Koroljovi – kryekonstruktori i teknikës kozmike

 

Inxhinieri dhe konstruktori i ardhshëm i teknikës kozmike Sergej Koroljovi (1909-1966) lindi në qytetin Zhitomit në familjen e një mësuesi të folklorit rus. Njohja e tij e parë me teknikën e aviacionit ndodhi në moshën  4 vjeç në qytetin Njezhin, ku e kishin çuar për të parë gjyshen dhe gjyshin. Më 4 qershor 1911 në Njezhin erdhi njëri prej pilotëve të parë rusë, popullarizuesi i lundrimit ajror dhe aviacionit, Sergej Utoçkin, i cili kishte sjellë një avion me vete. Djali mbeti gojëhapur: në sytë e tij qilimi – fluturues i përrallës u bë i vërtetë. Më pas ai i tregoi i emocionuar moshatarëve të tij, që e kishte parë vetë, si fluturoi “makina me krahë” dhe një njeri brenda në të. Që në vitet e shkollës Sergej Koroljovi interesohej shumë për teknikën e aviacionit, atëkohë ende të re dhe manifestoi aftësi të jashtëzakonshme lidhur me të. Në vitet 1922-1924 ai mësoi në shkollën profesionale të ndërtimit, duke bërë pjesë në rrethe dhe kurse të ndryshme.

Pas takimit në qytetin Kaluga me Konstandin Ciollkovskin (1857-1935), shkencëtar-autodidakt rus dhe sovjetik, i cili përpunoi problemet teorike të kozmonautikës, konstruktorin e ri të aviacionit e tërhoqi ideja e fluturimit në stratosferë dhe siguroi themelimin në Moskë të organizatës shoqërore Grupi i studimit të lëvizjes reaktive (GSLR). Në gusht 1933 u krye lëshimi i parë i suksesshëm i raketës GSLR. Deri në fund të qershorit 1938 ai punoi në byro dhe laboratorë të tjerë konstruksioni të teknikës së aviacionit dhe raketave.

Në fund të qershorit 1938 Sergej Koroljovi u përfshi në “përndjekjet staliniste”, midis punonjësve të tjerë të Institutit të raketave, i akuzuar për “veprimtari kundërrevolucionare”, u arrestua dhe u dënua me 10 vjet në kampin e edukimit dhe të punës në Kallima. Në mars 1940 u transferua në “burgun special” në Moskë, ku qëndroi me të tjerë inxhinierë të burgosur deri në korrik 1944, duke patur mundësi të punojë në profesionin e tij. Në fillim të vitit 1943 u caktua kryekonstruktor i grupit të pajisjeve të raketave. U mor me përmirësimin e karakteristikave teknike të bombarduesit pikiatues Pe-2. Në korrik 1944 Koroljovin e liruan para afatit, ja hoqën dënimin, por nuk e rehabilituan.

Në vitin 1946 Sergej Koroljovi u emërua kryekonstruktor i Byrosë së Veçantë Konstruktive Nr 1 (BVK), të ngritur në Kaliningradin pranë Moskës (sot qyteti Koroljov), për përpunimin e raketave balistike të veprimit të largët. Ishte udhëheqësi dhe frymëzuesi i fitoreve kozmike sovjetike, i pari ndër të barabartët në Këshillin e kryekonstruktorëve. Mendimi i tij ishte vendimtar në përzgjedhjen e kandidaturave të kozmonautëve të parë.

Për opinionin shoqëror Koroljovi mbeti kryekonstruktori sekret, paemër dhe botohej nën pseudonim. Vetëm pas vdekjes së akademikut në janar 1966 emri i tij i vërtetë u bë i njohur në të gjithë vendin dhe portretet e tij u shfaqën në tekstet mësimore dhe revistat.

Juri Gagarini – piloti kozmonaut i parë në botë.

 

Juri Gagarini (1934-1968), pilot kozmonaut i BRSS, Hero i Bashkimit Sovjetik, kavalier i shenjave dalluese më të larta të disa shteteve, qytetar nderi i shumë qyteteve ruse dhe të huaja. Buzëqeshja e tij e çiltër, duket, sikur përmban gjithçka më të mirë, që ka patur në Rusi dhe në BRSS në shekullin XX.

Piloti kozmonaut i parë në botë lindi në një familje fshatare trashëgimore në fshatin Klushino, rajoni i Gzhatskut, qarku i Smolenskut. Në klasën e parë të shkollës së fshatit Juri në vjeshtën e 1941-it mundi të mësojë vetëm disa ditë. Fëmijëria mori fund, kur fshatin e pushtuan hitlerianët. Dy vite pas pushtimit të fshatit Gagarini e vazhdoi shkollën dhe mbaroi gjashtё klasa. Pastaj studioi njëkohësisht në teknikum në Luberci pranë Moskës dhe në shkollën e rinisë punëtore. Në vitin 1951 Gagarini vazhdoi mësimet në teknikumin industrial të Saratovit. Më 1954 nisi të merrej në aeroklubin e Saratovit. Mësues të tij ishin pilotët e frontit, heronj të Bashkimit Sovjetik. Më vonë – shkolla e aviacionit dhe shërbimi në flotën e Veriut. Togeri Gagarin kaloi përzgjedhjen në grupin e kozmonautëve dhe, pas provave të panumërta u përzgjodh për misionin më të përgjegjshëm dhe më të rrezikshëm, sepse shumë gjëra për kozmosin dhe ndikimin e tij te njeriu ende nuk njiheshin.

Në mëngjes herët të 12 prillit 1961 raketëmbajtësja 287-tonëshe “Vostok” u vendos në pusin e stërmadh të sheshit të lëshimit. Në agim pranë tij ndaloi një autobus i vogël, ku qe ulur Gagarini i veshur me skafandër dhe kaskë hermetike me germat e mëdha: “BRSS”. Ai përshëndeti me duart ngritur dhe bëri drejt raketës. Në orën 09:07 sipas Moskës togeri Juri Gagarini tha fjalën, që hyri në histori: “Nisemi!” Dhe po atë sekondë anija “Vostok” startoi nga kozmodromi Bajkonur.

Të tjerat tashmë i di e gjithë bota. Pas fluturimit Gagarini u bë fytyra e atdheut – rol, të cilin e luajti gjithashtu në mënyrë të përsosur. Nuk e harroi edhe detyrën në grupin e kozmonautëve. Por për lavdi atij i ishin paracaktuar vetëm shtatë vite. Më 28 mars 1968 kozmonauti i parë në botë u vra në mënyrë tragjike gjatë një fluturimi stërvitor. Juri Gagarinin e qau i gjithë vendi.

 

Aleksej Leonovi – piloti kozmonaut i parë në botë, që doli në kozmosin e hapur.

 

Aleksej Leonovi (1934-2019) – piloti kozmonaut i BRSS me Nr 11, njeriu i parë, që doli në hapësirën kozmike, dy herë hero i Bashkimit Sovjetik, gjeneralmajor i aviacionit, autor i një cikli librash shkencorë e të tjerë mbi kozmosin.

Aleksej Leonovi lindi në vitin 1934 në fshatin Listvjanka, rajoni Tisulit, qarku i Kemerit në familjen me shumë fëmijë të kreut të këshillit të fshatit dhe mësueses. Në vitin 1955 mbaroi shkollën Nr 10 ushtarake të aviacionit në Kremençug dhe më 1957 shkollën ushtarake të aviacionit për pilotë të Çugujevit si “pilot gjuajtës”.

Aleksej Leonovi bënte pjesë në përbërje të grupit të parë, të Gagarinit, të kozmonautëve. Vlerësohej ndër më të mirët në të gjithë treguesit, por ende nuk kishte fluturuar. E ndërkohë ai po mbushte të tridhjetat.

Te Leonovi Koroljovi vërejti njeriun, i cili duhej të ishte i pari, që do e shihte Tokën në një fluturim të lirë, jo nga iluminatori. Këtu u pa, që zbuluesit e parë të kozmosit ishin jo vetëm konstruktorë, por dhe romantikë. Koroljovi thoshte, se i pari që do e shohë galaktikën tonë nga kozmosi i hapur duhet të jetë jo vetëm pilot, por edhe piktor.

Fluturimin e tij të parë në orbitë Leonovi e kreu në mars 1965 bashkë me pilotin kozmonaut Pavel Beljavin në anijen “Voshod-2” (Agimi). Më 18 mars ai doli për herë të parë në hapёsirën kozmike vetëm për 12 minuta. Gjatë kësaj kohe kozmonauti u largua nga anija 5 metra.

Disa minuta pasi Leonovi doli në hapёsirën kozmike, skafandri i tij, për shkak të ndryshimit të trysnisë brenda dhe jashtë, u fry si balonë me ajër. Në tokë një gjendje të tillë nuk e kishin parashikuar. Oksigjeni po mbaronte, vendimi duhej marrë pamenduar gjatё. Gagarini dhe Koroljovi diçka e këshilluan me radio, por Leonovi e mori vetë vendimin. Në kundërshtim me instruksionin, ai arriti të futej me kokën përpara në paradhomën e anijes. Atje, në “parabanjën” e ngushtë iu desh të kapërdihej, që të hynte në anije. Për fat të mirë, gjithçka përfundoi mirë e bukur.

Por provat e qëndrueshmërisë nuk mbaruan me kaq. Nisi të bëjë naze teknika dhe kozmonautët nuk po e ulnin dot anijen në regjim automatik. U desh të bënin edhe një rrotullim rreth Tokës, gjatë të cilit inxhinierët e kaluan sistemin e drejtimit në regjimin “me dorë”. Ekuipazhin arritën ta marrin nga vendi i uljes në Tokë vetëm 24 orë më vonë.

Rezonanca e këtij fluturimi mund të krahasohet vetëm me atë të Gagarinit. Amerikanët prej disa muajsh përgatiteshin për të dalë në kozmos të hapur, por Koroljovi edhe këtë radhë doli më i shpejtë. Kozmonauti amerikan doli në “fluturim të lirë” plot tre muaj pas Leonovit.

Aleksej Leonovi jetoi deri në moshë të madhe; iku nga jeta në Moskë, më 11 tetor 2019 në vitin e 86 të jetës.

 

Valentina Tereshkova – gruaja e parë kozmonaute në botë

 

Valentina Tereshkova është pilotja kozmonaute Nr 6 (emërtimi “Çajka”), gruaja e parë kozmonaute në botë, Heroinë e Bashkimit Sovjetik, gjeneral – majore e aviacionit.

Lindi më 6 mars 1937 në fshatin Maslenikovo, rajoni i Tutajevskit, qarku i Jarosllavlit në njё familje fshatare me prejardhje nga Bjellorusia. Në vitin 1945 hyri në shkollën e mesme Nr 32 të qytetit të Jarosllavlit, punoi në uzinën e gomave të Jarosllavlit; nga viti 1959 u mor me sportin e parashutizmit në aeroklubin e Jarosllavlit (ka kryer 90 hedhje). Pikërisht këto mësime mundësuan regjistrimin e saj më 1962 në grupin e parë femëror të kozmonautëve, të ngritur me porosi të Koroljovit pas fluturimit të suksesshëm të meshkujve në kozmos.

Hedhja me parashutë nuk ishte kriteri i vetëm i detyrueshëm për t’u përzgjedhur në atë grup. Vajzat ose gratë e moshës deri 30 vjeç duhet të gëzonin shëndet të plotë, aparat të mirë parakthinor, gjatësi jo më shumë se 170 cm dhe peshë deri 70 kg. Kuptohet, arsim – jo më pak se i mesmi.

Ditën e fluturimit të saj në kozmos Tereshkova i tha njerëzve të afërm, që do shkonte në gara të hedhjes me parashutë; për fluturimin ata mësuan nga radio. Pavarësisht diskomfortit fizik dhe ngarkesave serioze, Valentina bëri 48 rrotullime rreth Tokës, kaloi gati tri ditë në kozmos, ku mbajti ditarin e bordit dhe bëri fotografi të horizontit, të cilat më vonë u përdorën për zbulimin e shtresave aerozole në atmosferë.

Fluturimi i Tereshkovës në anijen “Vostok-6” më 16 deri 19 qershor 1963 kaloi jo fort sipas programit, kryesisht për shkak të gabimeve në vendosjen e panelit të drejtimit në anije. Më pas byroja konstruktive e analizoi me hollësi ecurinë e tij dhe zbuloi pasaktësi të karakterit teknik. Por, gjithsesi, gruaja e parë kozmonaute u ngjit në orbitë, zbatoi të gjitha detyrat e ngarkuara dhe u kthye shëndoshë e mirë në Tokë. Gruaja tjetër, që pushtoi qiellin me yje dhe që doli e para midis femrave në kozmos të hapur (19 vite pas Valentina Tereshkovës, – në gusht 1982) ishte po qytetarja e BRSS – Svetllana Savickaja.

Gjithsej në kozmos kanë fluturuar 124 kozmonautë sovjetik dhe rusë, midis tyre 4 femra, që dhanë ndihmesë kolosale në pushtimin e kozmosit, në zhvillimin e shkencës dhe teknikës. Aktualisht në grupin e kozmonautëve rusë bëjnë pjesë 29 vetë.

Share This Article
8 Comments
  • Thuhet për humor që kur raketat ruse dhe amerikane pa njerëz zbritën në Hënë komunikuan pa përkthyes me njëra tjetrën se të dyja flisnin gjermanisht. Nuk hidhen posht arritjet sovjetike dhe amerikane në fushën e kozmonautikës por lereni baban autodidakt të raketave ruse Ciolkovskin në ëndrrat e tij kozmike bashkë me adhurimin e rusëve ndaj tij, teknika e raketave që pushtuan kozmosin u përpunua nga gjermanët dhe në vitin 1945 të dy rusët e amerikanët, mbasi mposhtën makinën ushtarake të përbindëshme hitleriane, vrapuan në garë, përveç të tjerave, të rrëmbenin edhe fon Braunët e raketave hitlreriane që qëlluan Britaninë dhe qenë këta inxhinjerë gjermanë që zhvilluan teknikën e raketave sovjetike dhe amerikane që çuan dhe Juri Gagarinin si heroin e parë të guximit nerzor për të filluar pushtimin e kozmosit të pafundëm .

    • Fiks, te kishte duruar edhe jo shume por 2-3 vjet ushtria

      Naziste, sot do te flisnim Gjermanisht te gjithe.

      Avionin anti radar qe kishin prodhuar inxhinieret

      Gjerman me 1944 (ne laborator, por me permasa dhe

      gjithshka tjeter reale), e testuan ne qendren e radareve

      ne Teksas te ushtrise amerikane, dhe eficensa 100%,

      as edhe nje shenje nuk dha radari qe e rrihte me

      perqendrim avionin.

  • Thuhet për humor që kur raketat ruse dhe amerikane pa njerëz zbritën në Hënë komunikuan pa përkthyes me njëra tjetrën se të dyja flisnin gjermanisht. Nuk hidhen posht arritjet sovjetike dhe amerikane në fushën e kozmonautikës por lereni baban autodidakt të raketave ruse Ciolkovskin në ëndrrat e tij kozmike bashkë me adhurimin e rusëve ndaj tij, teknika e raketave që pushtuan kozmosin u përpunua nga gjermanët dhe në vitin 1945 të dy rusët e amerikanët, mbasi mposhtën makinën ushtarake të përbindëshme hitleriane, vrapuan në garë, përveç të tjerave, të rrëmbenin edhe fon Braunët e raketave hitleriane që qëlluan Britaninë dhe qenë këta inxhinjerë gjermanë që zhvilluan teknikën e raketave sovjetike dhe amerikane që çuan dhe Juri Gagarinin si heroin e parë të guximit nerzor për të filluar pushtimin e kozmosit të pafundëm .

  • …Litarin, litarin llliiittttaaaaaaaaaaaaariiin gjejeprraaa:::,,, …dhe mbaje fort.., se lakun ta bej une…, qe me pas Ti te varesh qente e rruges qe lehin naten neper lagjen Tende….

    • Shiko, se po varim qente e rruges, dhe nuk jemi

      ne drejtimin e duhur kemi 100 e kusur vite hame ate

      mikun me dhembe te gjithe si popull.

      Po ke per te thene, thuaj dicka te re, jo ato qei dime

      tashme.

  • More po çfarë lidhje ka litari i Arbenit me Juri Gagarinin? Për çdo gjë që flitet , edhe për sondën amerikane në Mars do të çfaqet Arbeni me një goxha litaaaaaaaaar mbrapa sondës në Mars, pa kostum mbrojtës kozmonauti, vetëm me litaaaaaaaar. O zoti i madh na ruaj fiqirin…….!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *